S’ka kuota të reja për doktoratura

Shqipëria

S’ka kuota të reja për doktoratura

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 17:41

As këtë vit nuk do të ketë kuota të reja për doktoratura në universitetet publike. Ky është viti i tretë akademik që institucionet e arsimit të lartë publik nuk do të ofrojnë kuota për doktoraturat. Qeveria ka ndërmarrë një vendim të tillë me argumentin e abuzimeve që janë bërë veçanërisht në vitin akademik 2012-2013.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, e cila në një intervistë për “Ora News” u shpreh se e vetmja pengesë e këtij ngërçi në të cilin gjendet arsimi post universitar, janë abuzimet e konstatuara në vitet e mëparshme dhe mungesa e standardit.

“Situata nuk ka asnjë pengesë nga Ministria e Arsimit. Pengesa është standardi duke rezultuar që një profesor të ketë edhe 41 doktorantë. Kemi ecur hap pas hapi për të zgjidhur këtë ngërç dhe për të ardhur në parametrat që standardi i ligjit të ri kërkon”, u shpreh ministrja.

Marrja e titullit për ata kandidatë që janë në proces do të vijojë, ndërkohë që doktoraturat do në nisin në institucionet e arsimit të lartë, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për arsimin.

“Hyrja në fuqi e ligjit të ri, ju jep më shumë autonomi universiteteve deri në kufijtë e lirisë për të mësuar vetë të gjithë këtë procesin e karrierës akademike”, shtoi më tej ministrja e Arsimit.

Ndërkohë që zgjedhja e vetme mbeten universitetet private, priten bisedime me zyrtarë të MAS, për të diskutuar mbi kriteret e kandidatëve për doktoraturë. Kandidatët, që nuk arrijnë të përmbushin kriteret e vendosura, nuk klasifikohen për të vazhduar më tej studimet e doktoratës dhe të pajisen me një dëshmi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat