Versioni zyrtar i Policisë: Shefi i FNSH-së u vra menjëherë, në operacion ishin 250 policë

Shqipëria

Versioni zyrtar i Policisë: Shefi i FNSH-së u vra menjëherë, në operacion ishin 250 policë

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 16:35

Policia ka bërë publik edhe versionin e saj të ngjarjeve të ndodhura mbrëmjen e djeshme dhe mëngjesin e sotëm, ku kanë humbur jetën shefi i FNSH-së së Shkodrës, Simon Gjergji dhe 56-vjeçari Ruzhdi Aishta.

Në fund të operacionit policia thotë se, kanë qenë të detyruar që të bënin eliminimin e 56-vjeçarit, pasi ai vazhdimisht qëllonte me armë ndaj uniformave blu, duke sulmuar edhe trupën e RENEA-s që kishte hyrë brenda ambienteve të banesës së tij.

Në Shkodër kanë mbërritur dhe prokurorë të Krimeve të Rënda që kanë nisur hetimet në lidhje me vrasjen e shefit të FNSH-së dhe agresorit Ruzhdi Aishta.

Versioni i policisë

Më datë 3 tetor 2015, rreth orës 18:40, forcat e policisë të Komisariatit të Policisë së Shkodër së bashku me forcat e Repartit FNSH Shkodër, kanë shkuar sipas një plani për të bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit, Ruzhdi Aishta, 56 vjeç, banues në Fshatin Obot i Ri, Njësia Administrative Ana e Malit Shkodër,

Aksioni kishte nisur pasi Ruzhdi Aishta, gjatë një konflikti ka plagosur rëndë me armë zjarri automatik bashkëfshatarin e tij, shtetasin Besar Sherbela, 21 vjeç, banues në Fshatin Obot i Ri, Njësia Administrative Ana e Malit Shkodër, i cili aktualisht ndodhet pranë Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.

Në momentet e ndërhyrjes së forcave të policisë në banesës së shtetasit Ruzhdi Aishta, për të bërë kapjen e tij, ky person ka hapur zjarr ndaj forcave të policisë, ku për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme Komandanti i Njësisë, Komisariatit të FNSH Shkodër N/Komisar Simon Gjeta, 49 vjeç, banues në Tiranë.

Menjëherë në mbështetje të punonjësve të policisë në vendngjarje, janë nisur menjëherë forcat të shumta policore, si ato të Repartit FNSH Shkodër, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër dhe Forcat Speciale RENEA.

Efektivat e RENEA-s porsa kanë mbërritur në vendngjarje, kanë bërë rigornicionin e terrenit përreth, si dhe rrethimin e banesës, me qëllim ndërhyrjen e policisë, për të kapur autorin. Efektivat e RENEA-s i kanë bërë thirrje të vazhdueshme autorit të dorëzohet, por autori i krimit ka hapur zjarrë në drejtim të tyre.

Forcat Renea, kanë përdorur gaz lotsjellës, tymuese e strunë, për ta detyruar autorin që të dilte nga banesa, pasi autori kishte shkëputur energjinë elektrike në banesë e tij.

Autori i krimit nuk ka dalë nga banesa edhe pas përdorimit të këtyre metodave, por në mënyrë të përsëritur hapte zjarr ndaj Forcave Special të RENEA-s.

Rreth orës 07:10, të mëngjesit të ditës së sotme, në kushtet e ndriçimit të plotë, efektivat e RENEA-s, i kanë bërë përsëri thirrje të dorëzohet, por autori nuk është përgjigjur. Ndodhur në këto kushte forcat speciale, duke përdorur mburojën kolektive antiplumb dhe kamerat me fibra optike kanë mundur të hyjnë në brendësi të banesës, ku nëpërmjet kamerave me fibra optike në cepin e aneksit të banesës është evidentuar i fshehur autori i ngjarjes.

Nga brenda banesës Forcat RENEA, kanë bërë përsëri thirrje të dorëzohej, por autori kur ka konstatuar në brendësi të banesës së tij, efektivat e RENEA-s kanë hapur zjarr me breshëri në drejtim të tyre. Efektivat i janë kundërpërgjigjur, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë autori i krimit, shtetasi Ruzhdi Aishta.

Në operacion janë angazhuar, gjithsej 250 forca policore, 15 automjete, ndër to 5 të blinduara.

Gjatë operacionit u përdoren: qeni i gjurmës, mburoja kolektive antiplumb dhe kamera me fibër optike. Operacioni është drejtuar nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, me në krye drejtorin Haki Çako.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat