Veliaj: Më shumë hapësira të gjelbra për qytetarët. Mentaliteti i të fortit ka marrë fund

Shqipëria

Veliaj: Më shumë hapësira të gjelbra për qytetarët. Mentaliteti i të fortit ka marrë fund

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 12:08

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndoqi nga afër punimet që po kryhen në bllokun e pallateve në rrugën “Medar Shtylla”, ku edhe po bëhet rikualifikimi i të gjitha hapësirave mes pallateve, përfshirë rrugët, trotuaret, ndriçuesit, koshat e mbeturinave dhe lulishtet.

Duke e konsideruar një histori suksesi aksionin e zhvilluar në njësinë 5 për lirimin e hapësirave publike, kryebashkiaku Veliaj tha se janë liruar shumë hapësira që deri dje konsideroheshin ishin shpallur si të paprekshme.

“Unë kam qenë në këtë zonë edhe gjatë kohës së fushatës, një zonë që ka pasur probleme të vazhdueshme, bllokime rrugësh, zënie të hapësirave. Më vjen mirë që mentaliteti i të fortit nuk ekziston më në Tiranë. Sot, i fortë quhet ligji, shteti dhe qytetari”, – tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ka ndjekur praktikën e me të mbaruar prishjen e ndërtimeve pa leje dhe çlirimin e hapësirave të zëna, vijon me procesin e rehabilitimit, kthimit në identitet dhe gjelbërimit të zonës. “Ky që po rehabilitojmë sot është vetëm njëri nga blloqet kryesore. Në njësinë 5 do të do të kemi 5 blloqe të tilla”, – tha Veliaj.

Por, Veliaj kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve për lehtësimin aksioneve të ndërmarrjeve të bashkisë, si dhe të ruajnë ambientin e përbashkët.

“U kërkoj të gjithë qytetarëve të bashkëpunojnë teksa ne bëjmë punimet, sigurohemi se kultura kur diçka që prishej lihej siç ishte, e prishur, për t’u bërë akoma më keq, tashmë ka mbaruar. Këto punime nuk bëhen me bamirësi, por me taksat e qytetarëve dhe për sa kohë që bëhen me paratë e tyre, qytetarët duhet të jenë të parët që t’i ruajnë”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Kryebashkiaku Veliaj njoftoi se bashkia ka në plan t’i vijë në ndihmë banorëve të zonës lidhur me problemin e parkimit, t’i pajisë ata me një kartë të posaçme parkimi që do t’i garantojë një vend të sigurt për makinën e tyre.

“Për herë të parë do të fusim edhe një sistem të ri të menaxhimit të hapësirave publike, si për parkingjet.
Qytetarët do të pajisen me kartën e rezidentit dhe vetëm banorët e kësaj lagjeje do të kenë parkimin e tyre të garantuar. Kjo është një ide që funksionon në të gjitha vendet e tjera. Është një mënyrë për t’u ndarë nga kultura ku e gjithë lagja “blindohej” me mjete rrethanore dhe për të sjellë një kulturë të re, ku njësia administrative emeton kartën e rezidentit dhe secilit banor i garantohet vendi i parkimit”, – përfundoi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat