Reforma në drejtësi, Moisiu: Referendum për ndryshimet kushtetuese

Shqipëria

Reforma në drejtësi, Moisiu: Referendum për ndryshimet kushtetuese

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 09:49

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu deklaroi dje, në një intervistë për “Ora News”, se duhet referendum për ndryshimet në Kushtetutën e vendit. “Ndërhyrjet në Kushtetutë, pikërisht duke pasur parasysh gabimin e bërë, por edhe në tërësi Kushtetuta nuk cenohet. Ta ndërtojmë një çezmë apo të mos e ndërtojmë një çezmë”, – u shpreh Moisiu. I pyetur për referendumin, Moisiu tha: “Unë jam për këtë, sepse Kushtetuta është ligji bazë dhe nuk mund të luajmë me kështu, dhe mund të bëjmë gabime siç bëmë atë gjullurdinë e famshme të 2008-ës”.

Moisiu, që mbajti detyrën e presidentit nga viti 2002-2007, thotë se ka ardhur koha, që i pari i shtetit të zgjidhet nga populli. “Po të studiosh situatën e këtyre 25 viteve, raportin e presidentit me mazhorancën drejtuese, shikojmë që tendenca është që të kenë një president që ta komandojnë, jo një president që vepron në bazë të Kushtetutës. Për këtë arsye, unë them që presidenti duhet të zgjidhet nga populli”. Ish-presidenti mbështet propozimin e ekspertëve ndërkombëtarë, për ndryshimin e formulës së zgjedhjes së kryeprokurorit.

“Nuk mund ta quash tani… të dali kryeministri dhe t’i thotë kryeprokurorit ‘lavire’. Prokurori është ai që është, të ketë të drejtat e tij të plota dhe duhet respektuar”, – u shpreh ish-presidenti. Sa i përket përfshirjes së opozitës në këtë reformë, Mosiu u shpreh: “Edhe mazhoranca nuk duhet ta konsiderojë pjesëmarrjen e opozitës thjesht që, ‘ja, e kemi këtë si çadër’, por duhet ta respektojë vendimin e saj. Por edhe opozita nuk duhet ta shpërdorojë të drejtën e saj që të bëhet pengesë”, – tha Moisiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat