Kush ishte kreu i Forcave Speciale, që u vra në krye të detyrës

Shqipëria

Kush ishte kreu i Forcave Speciale, që u vra në krye të detyrës

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 09:47

Kreu i Policisë, i ekzekutuar mbrëmë në krye të detyrës, ishte emëruar si drejtues i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, gati 1 vit më parë.

Ai ishte 49 vjeç dhe babai i dy fëmijëve. Gjeta ishte me origjinë nga Rrësheni, ndërsa prej pak vitesh jetonte në Shkodër, në lagjen “Mark Lula”. Gjeta kishte mbaruar Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, por më pas kishte kaluar në forcat e Policisë.

Para emërimit në krye të FNSH-së mësohet se 49-vjeçari ka qenë larguar nga radhët e uniformave blu, për t’u angazhuar sërish vitet e fundit.

Në ngjarjen e djeshme, komandanti Simon Gjeta vendosi të hynte në shtëpinë e autorit, banesë njëkatëshe me katër dhoma dhe ta zinte në befasi 56- vjeçarin, por ky i fundit ishte i armatosur me një kallashnikov dhe hapi zjarr me breshëri ndaj tij.

Pritet që hetimet të nisin dhe mbi mënyrën e organizimit të aksionit që solli ekzekutimin e efektivit të Policisë. Ai rezulton se nuk ishte i pajisur me mjete mbrojtëse përballë autorit që do të kapej, për të cilin kishin të dhëna se ishte i armatosur dhe sapo kishte plagosur një djalë të ri.

Më herët, Ruzhdi Arishta nuk ka dosje penale. Por ai lëvizte me armë në zonën ku jetonte, pasi në pjesën më të madhe të kohës dilte për gjah, i armatosur me automatikun me të cilin qëlloi ndaj dy personave, njëri prej të cilëve shefi i Policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat