Festa e ribashkimit të Gjermanisë, në ceremoni vetëm Presidenti Nishani

Shqipëria

Festa e ribashkimit të Gjermanisë, në ceremoni vetëm Presidenti Nishani

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 09:17

Mbrëmë ambasadori i Republikës Federale Gjermane, Helmut Hoffman, organizoi një pritje me rastin e 3 tetorit, 25- vjetorit të bashkimit të dy Gjermanive, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

nishaniPritja u organizua në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku të ftuarit, mbi 700 persona, ndoqën edhe “Carmina Burana” të Carl Orff, në një performancë të rrallë baleti. Tetori gjerman këtë vit do të organizohet nën sloganin “25 vjet ribashkim i Gjermanisë – 25 vjet transformim në Shqipëri”.

Por ajo që ra në sy ishte një bojkot total i maxhorancës në këtë pritje. Mungonte Kryeministri Rama, por dhe kryetari i Kuvendit Meta. Mungonte gjithashtu edhe ministri i Jashtëm Bushati, por dhe të gjithë ministrat e kabinetit, me përjashtim të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro.

I pranishëm ishte Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Gjithashtu ishin prezentë edhe nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj dhe kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade dhe disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Edhe ish-kryeministri Berisha dhe kreu aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mungonte në këtë aktivitet.

Kjo mungesë e krerëve të lartë të politikës ra në sy në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit edhe sepse Ambasada Gjermane në Tiranë kishte lënë një rresht të tërë bosh ku në çdo karrige shkruhej në një letër emri i të ftuarit VIP.

Paradoksale u cilësua nga disa të pranishëm kjo mungesë masive, në një kohë që samiti i Berlinit dhe ai i Vjenës sillen gjithnjë në vëmendje të qeveritarëve sa herë flitet për reforma, integrim apo bashkëpunim rajonal.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori Helmut Hoffman solli në kujtesë një pjesë të historisë, që pas kapërcimit të ndarjes së Europës solli edhe rënien e diktaturës në Shqipëri dhe rikthimin e vendit në familjen europiane, siç u shpreh ai. Duke shprehur mbështetjen gjermane për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Hoffman vlerësoi përpjekjet e deritanishme, por shtoi se ka vendi ka ende punë për të bërë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat