Meta takime të njëpasnjëshme me Ramën dhe Nacon/Cfarë mesazhes iu përcollën Kryeparlamentarit pas vizitave në SHBA dhe Britani

Shqipëria

Meta takime të njëpasnjëshme me Ramën dhe Nacon/Cfarë mesazhes iu përcollën Kryeparlamentarit pas vizitave në SHBA dhe Britani

Nga: Gjergj Koja Më: 3 tetor 2015 Në ora: 19:01

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka pritur në zyrën e tij në Kryesinë e Kuvendit në takime të njëpasnjëshme Kryeministrin Edi Rama dhe më pas ministrin e Drejtësisë Nasip Naco. Kreu i Qeverisë ka qëndruar në zyrën e Kryeparlamentarit për 90 minuta, ndërsa është larguar prej saj pa dhënë ndonjë deklaratë për mediat.

Më pas Metën e ka takuar ministri i Drejtësisë, Nasip Naco, i cili ka qëndruar për 30 minuta në zyrën e Kryeparlamentarit dhe nuk ka pranuar të bëjë komente për mediat. Rama ka vizituar Metën menjëherë pasi është kthyer nga një vizitë disa ditore në SHBA, ndërsa Naco pas vizitës së zhvilluar në Britaninë e Madhe. Në këtë kuadër, duket se Kryeministri, por edhe ministri i Drejtësisë, duket se i kanë përcuar Kryetarit të Kuvendit mesazhe, i pari nga SHBA dhe tjetri nga Britania e Madhe.

Takimet e Ramës dhe Metës vijnë në një kohë kur Kryetari i Kuvendit ndodhet nën akuzën e përfshirjes në aferën e mbledhjes së borxheve nga DIA për kompaninë CEZ. Kuvendi nuk miratoi kërkesën e PD-së për një hetim ndërkombëtar, pasi Partia Socialiste e konsideroi të pamundur një hetim të tillë. Kryeministri Rama paralajmëroi nga SHBA një ditë përpara se Kuvendi të votonte mbi draftin e paraqitur nga demokratët se hetimi ka nisur dhe do të kryhet nga Prokuroria shqiptare.

Besohet se cështja e CEZ është një nga pikat e bisedës 90 minutëshe të Kryeministrit me kreun e Kuvendit, ku nuk përjashtohet të jenë diskutuar edhe mbi paralajmërimet e bëra nga ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti se do të paraqesë prova të rëndësishme në lidhje me hetimin.

Por një tjetër pikë besohet se është vijimi i reformave, ku dy nga më kryesoret janë ajo në drejtësi dhe dekriminalizimi. Draftet tashmë janë në Kuvend, por opozita ka shprehur kontestime në lidhje me propozimet e bëra nga Partia Socialiste, qoftë përsa i takon ndryshimeve të Kushtetutës ashtu edhe përsa i takon reformimit të disa institucioneve në lidhje me reformën në drejtësi.

Gjithashtu një tjetër pikë, mund të ketë qenë ajo mbi funksionimin e koalicioni qeveritar, ku herë pas here ka pasur deklarata kontradiktore. Por gjithashtu temë e bisedës 90 minutëshe Rama-Meta nuk përjashtohen të ketë qenë zhvillimet rajonale apo më gjerë, referuar edhe fjalës së mbajtur nga Kreu i Qeverisë në OKB.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat