Takimi urgjent/ Pse trokiti Rama në derën e Metës?

Shqipëria

Takimi urgjent/ Pse trokiti Rama në derën e Metës?

Më: 3 tetor 2015 Në ora: 18:40

“Një fundjavë të qetë” vetëm këto fjalë i ka thënë Rama reporterëve që e prisnin tek dera e kuvendit, pas takimit të tij me Ilir Metën. Asnjë fjalë më shumë për takimin e shumëpritur sqarues që zgjati rreth 1 orë e 35 minuta. Por megjithëse palët nuk kanë bërë ende komente për çfarë kanë diskutuar aty, disa gjëra tashmë dihen. E para Edi Rama me ty kther nga SHBA takimin e parë e bëri në zyrën e Metës. Së dyti njerëzit e tij të komunikimit u kujdesën që kjo të merrej vesh. E treta vetë Rama si një mjeshtër i lëshimit të mesazheve pa thënë asgjë, u kujdes që të shkonte në këmbë në selinë e kuvendit, për tu fokusuar edhe njëherë nga kamerat dhe fotografët se është ai që kërkon ta ruajë koalicionin në dallim nga Meta që e ka akuzuar se ai dhe Basha, po komplotojnë kundër tij.

Po si është në fakt e vërteta? Pse i sapo kthyer nga një udhëtim i largët dhe pas një foto simbolike me presidentin e SHBA, Edi Rama nxitoi të qetësonte Metën?

Kjo ndodhi për faktin e thjeshtë se tashmë LSI-a e ka vënë kryeministrin nën akuzë. Ajo po e akuzon se në rastin më të mirë ai fërkon duart kur sheh linçimin mediatiko politik që i bëhet Metës në publik dhe se në rastin më të keq ai qëndron pas kësaj goditjeje. Madje zëra brenda LSI-së po aludojnë deri atje se ka një komplot të madh që Kastriot Ismailajt, drejtorit të burgosur të DIA-s, i është kërkuar që në këmbim të dëshmisë kundër Ilir Metës, ti falet procesi i arbitrazhit me shtetin shqiptar në të cilin luhet një shifër prej 130 milionë eurosh. Paranoja shkon edhe më tej. Ajo pretendon se Rama vazhdon të flasë kundër vëllait të tij armik tek ndërkombëtarët duke thënë se ai nuk mund të qeverisë me ministrat grabitës të Metës. Madje, thuhet në korridoret e LSI-së, edhe Tom Doshi, të cilit nuk i është prekur asnjë fije floku nga bizneset e tij të mëparshme, edhe Dritan Prifti janë të frymëzuar nga kryeministri për të vazhduar betejën me Ilir Metën.

Të gjitha këtyre dyshimeve paranojake që gëlojnë në LSI i është shtuar edhe një pikëpyetje: pse Rama nuk ka folur kurrë pro Metës? Pse ai nuk ka dashur të bëjë duart pis me aferën e ndyrë të CEZ-it? A mos vallë ai e sheh këtë cirk me kënaqësinë e atij që po planifikon një linçim?

Ndoshta këto argumenta e kanë detyruar edhe Metën të lëvizë në panik. Një herë duke denoncuar një plan mes socialistëve, oligarkëve, medieve të fuqishme kundër tij dhe njëherë tjetër duke i shkelur syrin Berishës për një bashkëpunim të mundëshëm.

Natyrish këto lëvizje të çakorduara e kanë telendisur mazhorancën dhe kanë evokuar rikthimin e telenovelave brenda së majtës, ku miqësitë dhe aleancat nuk zgjasin shumë. Ato kanë ndjellë frikën e një prishjeje koalicioni dhe të shkuarjes drejt zgjedhjeve të reja.

Pikërisht përhapja e kësaj frike e ka shpënë Ramën të trokasë në derën e Metës. Ai ka dëshmuar se edhe nëse e do “zhdukjen” e mikut të tij rival, ai nuk është ende gati dhe nuk ka ndërmen që tani për tani të hapë betejë frontale.

Dhe megjithëse e ka të pamundur ta mbrojë, megjithëse edhe njëherë akoma ai ka refuzuar ti dalë në krah publikisht, ai ka dashur të lëshojë një mesazh: të tregojë se është ai që po kërkon pajtim. Ndërkohë që Meta i ka kërkuar mbrojtje ai i ka dhënë vetëm imazhin, por jo tekstin e saj. Ai është kujdesur që kameramanët dhe fotoreporterët ta fiksojnë duke hyrë në zyrën e Metës, por që gazetarët mos shënojnë dot asnjë fjalë pozitive që kryeministri thotë për vëllain e tij armik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat