Nuk priste kupon, procedohet pronarja dhe dy inspektorë

Shqipëria

Nuk priste kupon, procedohet pronarja dhe dy inspektorë

Më: 3 tetor 2015 Në ora: 14:12

Procedohen penalisht pronarja e një lokali në fshatin Libonik të Korçës, si dhe dy inspektorë të Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave për “Shpërdorim detyre”.

Specialistët e Sektorit për Krimin Ekonomik nisën procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen R.V, 54 vjeç, banuese në fshatin Libonik.

Procedimi ndaj kësaj shtetaseje nisi pasi, nga kontrolli i ushtruar në lokalin, pronë e saj në fshatin Libonik me licencën përkatëse, u konstatua se nuk priste kupon tatimor për klientët, si dhe kishte punësuar shtetasin, R.A, 19 vjeç, si kamerier, por të paregjistruar në Sigurimet Shoqërore.

Në vijim të hetimeve, në lidhje me këtë rast, filloi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për dy shtetas, me detyrë inspektorë verifikimi pranë Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave në Korçë. Procedimi penal nisi për inspektorët N.N, 58 vjeç dhe E.Ç, 26 vjeç, të dy banues në Korçë.

Procedimi ndaj këtyre shtetasve filloi pasi, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën gjatë kontrollit të ushtruar në datën 01.10.2015, në lokalin e mësipërm, pasi nuk morën masa për punonjësin e pasiguruar, si dhe për subjektin, i cili nuk priste kupon tatimor për klientët.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave”, si dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 170/a, 180 dhe 248 të Kodit Penal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat