PD: Përfshirja e Tahirit në trafikun e drogës, u ndërkombëtarizua. Është turp kombëtar

Shqipëria

PD: Përfshirja e Tahirit në trafikun e drogës, u ndërkombëtarizua. Është turp kombëtar

Më: 3 tetor 2015 Në ora: 12:45

Partia Demokratike, referuar shkrimeve në mediat italiane, deklaroi se skandali i përfshirjes së Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në trafikun e drogës u ndërkombëtarizua. Zëdhënësja e PD-së Ornela Nebijaj tha se gazeta italiane, “Il Secolo XIX” shkruan për akuzat që rëndojnë ndaj Tahirit dhe i referohet dëshmive të sjella nga oficeri i lartë Zagani.
“Dëshmi që tregojnë se banda e habiljave përdor makinën private të Ministrit, dhe se krerët e policisë marrin urdhër nga lart për ti lënë ata të lirë në aktivitetin e tyre. Duke theksuar bashkëpunimin e oficerit Zagani në luftën anti-drogë me autoritetet e vendit fqinj, shtypi Italian hedh dyshime edhe për largimin e mistershëm të një zyrtareje të lartë italiane, oficeres së kontaktit që ishte vendosur në Tiranë, pikërisht për shkak të ndjeshmërisë që ka Roma zyrtare nga narkotrifiku i Shqipërisë. Me Saimir Tahirin, me mister AA003GB, ne ia arritëm edhe kësaj dite kur shtypi Italian të përmendë përfshirjen e ministrit të brendshëm në trafikun e drogës, dhe ky skandal të ndërkombëtarizohet tashmë”, tha Zëdhënësja e PD.
Në vijim ajo shtoi se “nuk e dimë se sa krenar është Edi Rama pas kësaj me ministrin e tij, por një gjë dihet se ka kaluar një muaj qyshse Tahiri gjendet nën akuzat më të rënda për një ministër të brendshëm, dhe ai vazhdon të jetë në detyrë”.
“Eshtë kthyer në një turp kombëtar dhe nxitës i krimit dhe i trafikut, siç po e vërejmë çdo ditë me ngjarjet e rënda në vend, dhe siç e konstaton edhe anti-mafia italiane që është e alarmuar për sasitë e drogës që kalojnë nga Shqipëria në Itali. Saimir Tahiri duhet të largohet menjëherë nga detyra e të hetohet plotësisht nga drejtësia për përfshirjen në trafikun e drogës dhe inkriminimin e Policisë. Çdo ditë më shumë në detyrë, është një dëm që i bëhet asaj pjesë të Policisë që kërkon të luftojë drogën, që kërkon të vendosë rend e siguri, është një dëm që i bëhet vendit e qytetarëve”, theksoi Nebijaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat