Dëshmia e Zaganit kundër Tahirit, shpërthen skandali edhe në Itali

Shqipëria

Dëshmia e Zaganit kundër Tahirit, shpërthen skandali edhe në Itali

Më: 3 tetor 2015 Në ora: 09:05

Ngritjen në detyrë e mori ndërsa proçesi gjyqësor ishte në vazhdim, konfirmimi iu dha pas dënimit. Në ditët e errëta te G8 në 2001 kur kazerma e Bolxanetos u transformua në një qendër torturash, Anna Poxhi, drejtuese e policisë së Xhenovës, ishte përgjegjëse e zyrës, ku u arrestuan në mënyrë të jashtëligjshme, u dhunuan dhe u torturuan manifestues neoglobalistë.

Ashtu si shumë policë të tjerë të ndëshkuar per dhunën gjatë Samitit, dënimi prej 2 vitesh e 4 muajsh, nuk e pengoi të bënte para me karrierën e saj.

Pavarësisht problemeve me drejtësinë, Italia e ngre në detyrë dhe e emëron në përfaqësinë diplomatike në Shqipëri: në një detyrë shumë delikate, përgjegjëse për koordinimin me Interpol, në frontin e luftës kundër trafiqeve të drogës, për të cilat Italia është shumë e vëmendshme, duke qenë se është vetëm pak kilometra nga brigjet e saj.

Zyra sot është në dijeni të një skandali, që ka përfshirë Ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahirin, te akuzuar nga ish shefi i Antidrogës i Vlorës, se është i lidhur me një bandë të narkotrafikantëve, dhe që rrezikon të rrezojë qeverinë në Tiranë. Dhe Poxhi, në mënyrë të mistershme, u shkarkua nga detyra me një urdhër nga Ministria e Brendshme italiane.

Një histori ndërkombëtare spiunësh

Për ta kuptuar më mirë këtë histori, duhet të nisemi nga epilogu, në gushtin e kaluar. Në një zyrë anonime të autoriteteve zvicerane prezantohet një burrë që kërkon azil politik.

Ka frikë, ndjehet i tradhtuar, është arratisur në fshehtësi nga Shqipëria, vendi i tij, sepse trembet për veten dhe për familjen. Dikur ishte një njeri i rëndësishëm, ka qenë shef i Policisë Kufitare të Vlorës e më pas përgjegjës për luftën kundër narkotrafikut. Emri i tij është Dritan Zagani. Vitin e fundit është përballur me një poshtërim: i arrestuar per akuzën, se ka kaluar në anën tjetër. Sikur kishte marrë pjesë në operacione të jashtëligjshme, sikur kishte trafikuar drogë dhe shitur informacione hetuesve italianë të Guardia di Finanza.

Për të njëjtën histori, ai tregon një version tjetër: problemet e tij, thotë se nisën kur zbuloi një linjë të re të narkotrafikantëve, që në vend se të kalonin nga deti, kishin nisur të fluturonin aeroplanë plot e përplot me drogë, direkt për në Itali. Hetimet e çuan tek një bandë, pjesë e së cilës ishin edhe disa kushërinj të Ministrit të Brendshëm shqiptar, dhe që kishin përdorur makina shtetërore për të fshehur ngarkesën e tyre.

Skenari që rrëfeu, në një intervistë të bërë publike nga gazetari Basir Collaku, është apokaliptik. Dhe nga përballja me krimin e organizuar, kalon në përballje me strukturat shtetërore.

Çështja shndërrohet menjëherë në një tërmet.

Kush është në të vërtetë Zagani, një zyrtar i korruptuar, siç e quan kryeministri i Tiranës, apo një Serpiko që preku interesa shumë të forta për të? Dhe mbi të gjitha: si implikohet Italia në gjithë këtë?

Tensioni diplomatik

Në qershor cikloni kishte nisur. Dhe pas shumë vitesh Anna Poxhi shkarkohet dhe zëvendësohet nga zëvëndës/komisari Mikele Grilo. Burime nga Ministria e Brendshme e konsiderojnë një lëvizje rutinë. Por ështe fakt, qe situata nuk është kaq e lehtë në zyrat e hetuesve italianë.

Nga njëra anë janë përgenjështrimet e kundërshtarëve të Zaganit, të cilët e përshkruajnë si një njeri që i ka dhënë informacione në mënyrë të paligjshme.

Nga ana tjetër është versioni i vetë Zaganit, me të cilin gazeta (Secolo XIX) komunikoi në telefon. Ai qëndron në një vend sekret, me statusin e refugjatit. Mes provave të tij, ai tha se disponon edhe një letër të firmosur nga zyrtarët e italianë. Një dokument zyrtar që ka lënë në hije parregullsi për aktivitetin e tij. Një skenar ky, që megjithëse pritet të vërtetohet, nxjerr në dritë një situatë shpërthyese që rrezikon të përfshijë edhe Italinë. Ndërkohë, siç pretendon polici në arrati, së bashku me policinë italiane ai drejtonte operacione hetimore shumë delikate kundër trafikantëve të drogës, të autorizuara dhe të njohura nga të dy shtetet.

Kjo histori ka të bëjë me ndryshimet e hetuesve italianë.

Ana Poxhi ndërkohë përfundoi në Lubjanë, në Slloveni. Dhe gazeta (Secolo XIX) provoi ta kontaktojë në rrugë zyrtare. Pa sukses, por me justifikimin se një përgjigje mund të vijë në ditët në vazhdim. Prej kohësh, Ministria e Brendshme italiane, drejtueses nga Xhenova, dhe kolegëve të saj përgjegjës i la barrën e dëmshpërblimit të viktimave të Bolxanetos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat