Reforma në Drejtësi, PD: 54 arsye pse shumica synon kapjen e sistemit

Shqipëria

Reforma në Drejtësi, PD: 54 arsye pse shumica synon kapjen e sistemit

Më: 3 tetor 2015 Në ora: 08:28

Partia Demokratike dorëzoi dje në Kuvend qëndrimin e saj për reformën në drejtësi, draft i cili, së bashku me paketën e ndryshimeve kushtetuese që mbështetet nga mazhoranca, do t’i çohen për mendim Komisionit të Venecias. Shqetësimi kryesor i opozitës në raport me 58 ndryshimet kushtetuese është kapja e institucioneve të drejtësisë.


Për këtë ekspertët pranë PD-së prezantojnë 54 vërejte dhe parashtrojnë 130 pyetje drejtuar ekspertëve të Venecias. PD-ja shprehet se ka për qëllim evidentimin për atë që e konsideron tentativë të mazhorancës për kapjen e sistemit të drejtësisë dhe për dhunimin e standardeve ndërkombëtare nga amendamentet kushtetuese, që sipas tyre, i ka përgatitur shumica parlamentare.


Opinioni i është drejtuar Komisionit të Venecias dhe për dijeni Ambasadës së SHBA-ve, delegacionit të BE-së, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së. Në njoftimin e PD-së për këtë çështje thuhet: “Grupi parlamentar i PD-së depozitoi në Kuvend opinionin e tij për amendamentet e njëanshme kushtetuese të hartuar nga mazhoranca, duke kërkuar që ato të përcillen zyrtarisht nga Kryetari i Kuvendit pranë Komisionit të Venecias, si shoqëruese të draftit të mazhorancës. Në materialin prej 55 faqesh, ekspertet e PD-së kanë kundërshtuar nismën e ndërmarrë nga mazhoranca, duke prezantuar plot 54 vërejte mbi përmbajtjen dhe cenimin e standardeve nga projektligji i hartuar në mënyrë të njëanshme vetëm nga ekspertët e mazhorancës.


Opozita në Opinionin që do t’i përcillet zyrtarisht Komisionit të Venecias, ka parashtruar edhe rreth 130 pyetje drejtuar ekspertëve të Venecias, me qëllim që të evidentohet qartë tentativa e mazho-rancës për kapjen e sistemit të drejtësisë dhe dhunimin e të gjitha standardeve ndërkombëtare nga amendamentet kushtetuese të përgatitura nga shumica parlamentare.


Opinioni i është drejtuar Komisionit të Venecias dhe për dijeni Ambasadës së SHBA-ve, delegacionit të BE-së, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së”. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të kryesisë së grupit parlamentar të PD-së, e cila dje drejtohej nga kreu, Edi Paloka. Demokratët prezantuan para pak ditësh platformën e saj për reformën në drejtësi. Ekspertët e PD-së komunikuan përmbledhtazi pikat kryesore në 4 fusha: ndryshimet kushtetuese, lufta ndaj korrupsionit, arsimimi në sistemin e drejtësisë dhe financimi i sistemit. Partia Demokratike ka shtruar sërish çështjen e ndryshimeve kushtetuese, duke propozuar që Prokurori i Përgjithshëm, anëtarët e Kushtetueses apo KLD-së të zgjidhen jo më me shumicë të cilësuar, por me shumicë kushtetuese 94 vota për secilin prej këtyre anëtarëve.


Këto propozime janë pjesë e strategjisë që opozita ka hartuar për reformën në drejtësi. Ka disa gjëra që opozita nuk dëshiron t’i ndryshojë; p.sh., ajo kërkon që ministri i Drejtësisë të mos jetë pjesë e KLD-së, por presidenti të vazhdojë të qëndrojë në këshill. Po ashtu, ajo kërkon që procedura për zgjedhjen e presidentit të mos preket. Në total janë 300 propozime që opozita ka bërë në kuadër të strategjisë për reformën në drejtësi. Por ndërkaq, komisioni i ngritur nga parlamenti e ka miratuar që në muajin korrik strategjinë dhe mbetet për t’u parë nëse propozimet e PD-së do të merren apo jo parasysh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat