Basha: CDU e Merkel mbështet hetimin ndërkombëtar për CEZ (Foto)

Shqipëria

Basha: CDU e Merkel mbështet hetimin ndërkombëtar për CEZ (Foto)

Nga: Gjergj Koja Më: 3 tetor 2015 Në ora: 00:02

CDU-ja, partia e kancelares Angela Merkel mbështet kërkesën e Partisë Demokratike për të ftuar prokurorë të huaj, për hetimin e CEZ-it. Kjo u bë e ditur nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas vizitës dy ditore që zhvilloi në Bundestagun gjerman.

Basha tha se ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të CDU, të cilët sipas tij, janë shprehur në favor të hetimit ndërkombëtar, si e vetmja mundësi kjo që garanton besueshmërinë e hetimeve për aferën CEZ-DIA.

“Mega afera CEZ, ishte po ashtu çështje e bisedës. Mora mbështetjen e plotë të partnerëve tanë gjermanë, për iniciativën e Partisë Demokratike, për të angazhuar hetues ndërkombëtarë për zbardhjen
e kësaj afere si mënyra më e mirë për një hetim të plotë dhe të besueshëm”, u shpreh Basha.

Kreu i PD gjatë qëndrimit në Berlin, ka takuar kreun e Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, me të cilin ka ndarë shqetësimin e shkeljeve të konstatuara në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet.

“Deputetët gjermanë dhe kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, i kanë cilësuar tërësisht të papranueshme për një vend që aspiron të bëhet anëtarë i Bashkimit Europian, shkeljet e konstatuara në raportin e OSBE-ODIHR-i, për zgjedhjet”, tha ai.

Gjithashtu sipas Bashës, kristiandemokratët gjermanë shprehën dakordësinë e tyre edhe për propozimin e hershëm të demokratëve, atë të procesit të dekriminalizimit të politikës si dhe inkurajojnë miratimin me konsensus të ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat