Ngjarja në Laç, Basha: Të shporrim këta mafiozë nga pushteti

Shqipëria

Ngjarja në Laç, Basha: Të shporrim këta mafiozë nga pushteti

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 17:37

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar sot protesta për rrëzimin e qeverisë. Në një deklaratë për mediat, pas ngjarjes në Laç ku mbetën të plagosur 7 persona dhe u arrestuar si një prej autorëve deputeti socialist, Armando Prenga, Basha tha se armët i shkrehu një bandit por se përgjegjës është kryeministri Rama.

“Armët i shkrehu një bandit deputet, autori dhe përgjegjësi është kryeministri i vendit. Nuk do ishim në këtë situatë nëse Rama nuk do ta kishte kërkuar dhe s’do ta kishte bërë deputet Prengën pikërisht për këto cilësi që ka. Nuk do ishim në këtë situatë të rënies së shtetit, ku krimineli bën ligjin, nëse Rama nuk do kishte shpërblyer me lagunën e Patokut. Merret gangsteri bëhet deputet, i jepet më shumë pushtet dhe pasuri publike dhe ligji nuk vepron me të. Policia dhe shteti bën gjithçka për të qenë në anën e tij. Nuk ka më shtet nuk ka më standarde. Edi Rama nuk na ka lënë zgjidhje tjetër përveçse të ngrihemi në këmbë. Do ngrihemi i madh e i vogël, sovranit i ka ardhur ora ta heqë këtë zgjedhë nga qafa”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së, ka reaguar edhe në minutat e para pas ngjarjes në Laç. Në profilin e tij të Facebook, Basha shkruan se Rama ka urdhëruar “terr informativ” për të manipuluar ngjarjen dhe për të mbrojtur deputetin. Sipas Bashës, deputeti Prenga ka plagosur me armë 4 qytetarë.

“Terri informativ i urdhëruar nga Rama dhe zbatuar nga Tahiri mbi ngjarjen kriminale ku Armando Prenga plagosi me armë zjarri 4 qytetarë brenda komisariatit të Laçit ka për qëllim manipulimin e ngjarjes dhe mbrojtjen e deputetit të Ramës duke ja lënë fajin dikujt tjetër. I bëj thirrje mediave të mos heshtin, të mos pranojnë presionin për të manipuluar ngjarjen dhe të bëjnë detyrën ndaj shoqërisë duke raportuar të vërtetën”, shkruan Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat