Rama e Shehaj në Vlorë, takim me tatimorët

Shqipëria

Rama e Shehaj në Vlorë, takim me tatimorët

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 13:18

Në ditën e pestë të aksionit kundër informalitetit, kryeministri Rama ka udhëtuar drejt Vlorës, ku ka zhvilluar një takim me drejtuesit vendorë të tatimeve. Bashkë me kreun e qeverisë, e pranishme në takim ka qenë edhe drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj.

Takimi mësohet se është zhvilluar herët në mëngjes dhe ka zgjatur rreth 40 minuta. Temë e tij ka qenë aksioni i nisur dhe progresi i tij gjatë pesë ditëve të para.

Që në ditët e fundit të gushtit, kryeministri Rama paralajmëroi nisjen e një aksioni në shkallë të gjerë, me qëllim shmangien e informalitetit. Vetë kreu i qeverisë, por edhe ministrat e linjës, u kanë bërë thirrje bizneseve të regjistrohen dhe të lëshojnë kuponin tatimor për çdo mall apo shërbim të ofruar.

Pavarësisht se në ditët e para, aksioni duket se po sjell rezultate pozitive. Në një deklaratë për mediat ditën e djeshme, drejtoresha e QKR-së tha se vetëm në tri ditët e para të shtatorit janë regjistruar mbi 2500 biznese, ndërsa në sportele vijon të ketë radhë të gjata për regjistrime të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat