“Na vrau deputeti i zonës, Armando Prenga”

Shqipëria

“Na vrau deputeti i zonës, Armando Prenga”

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 12:15

“Na vrau deputeti i zonës Armando Prenga”, tha në një lidhje telefonike për televizionin ABCNews i plagosuri Gjergji Cali. Ai sqaroi rrethanat e ngjarjes, ndërsa konfirmoi se ishte jashtë rrezikut për jetën.

Shtatë persona mbeten të plagosur pas një sherri mes familjes së deputetit Armando Prenga dhe familjes Cali në qytetin e Laçit. Mësohet nga burime ende te pakonfirmuara së në orët e mbrëmjës vëllai i deputetit Prenga, Valentin Prenga, së bashku me disa të afërm, kanë shkuar tek lokali i një prej të afërmve të familjes Cali në Patok dhe aty janë konfliktuar verbalisht mes tyre.

Burime për ABCNews bëjnë me dije se me pas një anëtar i familjës Cali, i përfshirë në sherr, është nisur për tek komisariati për të bërë denoncim për familjen Prenga dhe aty është ndeshur me këta të fundit, të cilët i kanë kërkuar që të mos bëjë denoncim në komisariatin e Laçit.

Më pas sherri ka degraduar edhe në përdorimin e armëve dhe sendeve të forta nga ku konfirmohet zyrtarisht se 7 persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe vëllai i deputetit Armando Prenga.

Sipas News24, deputeti i PS mund të akuzohet për kanosje serioze, plagosje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha shkruan se në Policinë e Tiranës, Prenga po ushëzohet që të deklarojë se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes, për të shpëtuar nga drejtësia.

Nga ana tjetër, policia ka vënë në dijeni prokurorinë për arrestimin e deputetit Armando Prenga, ndërkohë që pritet që kryeprokuori të vërë në dijeni menjëherë kreun e Kuvendit.

Sipas Kushtetutës, deputeti mund të ndalohet ose arrestohet pa autorizimin e Kuvendit kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi.

Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

Neni 119 i Rregullores së Kuvendit shtjellon më tej nenin kushtetues, kur pas njoftimit të menjëhershëm nga kryeprokurori, kryetari i Kuvendit thërret menjëherë Këshillin e Rregullores dhe kërkon shqyrtimin e çështjes.

Brenda dy ditëve këshilli shqyrton nëse ka vend për procedim, duke dëgjuar Prokurorin e Përgjitshëm dhe deputetin e ndaluar ose të arrestuar.

Këshilli paraqet raportin për seancën plenare, e cila thirret brenda dy ditësh nga kryeparlamentari.

Me votim të fshehtë, seanca vendos heqjen ose mosheqjen e masës së ndalimit ose të arrestimit të deputetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat