Detaje të reja mbi sherrin e ndodhur në Lac/Llalla pritet të kërkojë arrestimin e deputetit Prenga

Shqipëria

Detaje të reja mbi sherrin e ndodhur në Lac/Llalla pritet të kërkojë arrestimin e deputetit Prenga

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 10:29

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pritet t’i kërkojë Kuvendit lejen për arrestimin e deputetit socialist Armando Prenga, pasi dyshohet si i përfshirë në sherrin e ndodhur para komisariatit të policisë në Lac, ku mësohet se janë plagosur 7 persona, mes të cilëve edhe vëllai i deputetit, Valentin Prenga. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmojnë se pas ngjarjes grupi hetimor ka konkluduar përfshirjen e deputetit socialist në ngjarje, ndërsa janë informuar edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Aktualisht deputeti Prenga ndodhet i ndalur nga policia, ndërsa është transferuar drejt ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Për arrestimin e tij, Prokuroria duhet të marrë lejen e Kuvendit, pasi deputeti gëzon imunitet.

Mësohet se Prenga është ndaluar nga policia në kushtet e flagrancës edhe për shkak të kundërshtimit të forcave të rendit, por gjithë procedura do të varet nëse Kuvendi do të miratojë ose jo lejen për arrestimin e tij.

Kuvendi nis zyrtarisht punimet në seancën e së hënës, në orën 17.00, ndërsa do t’I duhet të shprehet mbi kërkesën e organit të akuzës mbi heqjen e imunitetit dhe lejen për arrestimin e tij.

Burime shprehen se deri më tani deputeti Prenga është thjesht i ndaluar nga policia.

Ndërkohë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Lac janë zbuluar të tjera detaje. Policia ka shoqëruar 34 persona, të cilët pritet të merren në pyetje për të përcaktuar më pas arrestimin ose jo të tyre. Ndërkohë të plagosur si pasojë e sherrit masiv ku janë përdorur mjete të forta dhe prerëse kanë mbetur: Valentin Prenga, Gazmir Jushi, Eduart Prenga, Gjok Cali, Franceskt Cali, Gjergj Cali, Ton Cali dhe Nikoll Cali.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat