Koncesioni i Berishës për skanimin nis punën më 7 shtator

Shqipëria

Koncesioni i Berishës për skanimin nis punën më 7 shtator

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 08:54

Nis më 7 shtator zbatimi i sistemit të skanimit të kontenierëve dhe automjeteve të tjera në dogana. Kompania koncesionare “Rapiscan Systems Inc” do të nisë kështu nga puna pasi qeveria shqiptare rinegocioi marrëveshjen me të.

Ministria e Financave informoi dje se mbi bazën e sistemit të ri të skanimit bizneset por edhe individët do të duhet të paguajnë 22 euro për çdo deklaratë doganore kur malli i importuar është me vlerë mbi 1 000 euro dhe nëse vlera e tij është deri në 1000 euro, pagesa respektive do të jetë vetëm 5 euro.

Skanimi i kontenierëve

“Është gati sistemi i operimit për shërbimin e skanimit të konteinerëve dhe automjeteve të tjera për të gjitha ato biznese dhe individë që kanë si veprimtari të tyre importin, eksportin dhe kalimin tranzit në Republikën e Shqipërisë. Sikurse është bërë e njohur, qeveria shqiptare arriti të zgjidhë me mirëkuptim mosmarrëveshjet lidhur me kontratën koncesionare me shoqërinë “S2 Albania shpk” dhe “Rapiscan Systems Inc” me objekt financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të konteinerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”, - informoi dje Ministria e Financave.

Ajo shton se duke filluar nga dita e hënë, data 7 shtator 2015, shoqëria koncesionare do të fillojë operimin për shërbimin e skanimit të konteinerëve dhe të automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, kundrejt tarifës së skanimit. “Pagesa për skanimin do të kryhet mbi bazën e deklaratës doganore. Pagesë do të kryejnë të gjitha bizneset. Pra, do të përfshihet, si aktivitet importi, eksporti dhe kalimi tranzit. Pagesa për deklaratë do të jetë 22 euro. Për deklaratat doganore që janë me vlerë deri në 1 000 euro, pagesa respektive do të jetë 5 euro”, - sqarojnë më tej Financat.

Ministria e Financave shpjegon gjithashtu se qëllimi i realizimit praktik të këtij shërbimi nuk është vetëm shmangia e nënraportimeve të deklaratave doganore për efekt të keqklasifikimeve të kodeve, të mallrave, për marrjen e detyrimeve doganore ekzaktësisht për produkte që zhdoganohen, por edhe siguria kombëtare, sigurimi i kufijve nga parandalimi i kontrabandës, kryesisht të produkteve të akcizës, të lëndëve narkotike, të produkteve të dëmshme, të armëve, të municioneve, etj.

Në vitin 2013 qeveria “Berisha” nënshkroi një kontratë koncesionare me shoqëritë “Rapiscan Systems Inc” dhe “S2 Albania”, shpk për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë. Pas kundërshtimeve të biznesit për tarifat shumë të larta dhe sugjerimit të Autoritetit të Konkurrencës, qeveria “Rama”, pas ardhjes në pushtet, tentoi prishjen e kontratës. Por kompania amerikane “Rapiscan Systems Inc” në gusht të vitit 2014 e çoi çështjen në Arbitrazh duke kërkuar një gjobë prej 360 milionë eurosh nga shteti shqiptar për prishje marrëveshjeje.

Në këto kushte qeveria shqiptare kontraktoi firmën ligjore të bashkëshortes së Tony Blair, “Omnia Strategy” për të fituar çështjen në Arbitrazh. Por 3 muaj më pas, pas këshillimit të kompanisë ndërkombëtare ligjore, qeveria vendos të tërhiqet nga Arbitrazhi. Pas pamundësisë për prishjen e kontratës qeveria ka rinegociuar marrëveshjen me kompaninë koncesionare duke mundur të garantojë një ulje të tarifës së shërbimit 39 euro për një deklaratë doganore në 22 euro. Ndërkohë që, ndryshe nga parashikimet e marrëveshjes së parë kur nuk kishte një kohëzgjatje të bashkëpunimit mes shtetit shqiptar dhe kompanisë koncesionare “Rapiscan Systems Inc”, u arrit të caktohej që kontrata të jetë 15-vjeçare.

Marrëveshja e vjetër

Për 15 vjet, në 5 pikat doganore kryesore në vend, do të instaloheshin skanerë, të cilët do të bënin të mundur kontrollin kontenierëve dhe automjeteve. Ky shërbim do të ofrohej nga shoqëri private, “Rapiscan Systems Insc”, me seli qendrore në Kaliforni, përkundrejt tarifës prej 39 eurosh për çdo deklaratë. Në vit raportohen rreth 300 mijë deklarata dhe me tarifën e vendosur në koncesion, të cilën do ta paguante biznesi privat importues, krijohej një e ardhur prej rreth 12 milionë eurosh në vit, ose mbi 170 milionë euro për 15 vitet e ekzistencës së kontratës.

Debatet për “Rapiscan Systems Inc”

Marrëveshja e rinegociiuar mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë koncesionare “Rapiscan Systems Inc” u rivotua në kuvend por këtë herë duke marrë kritikat e opozitës e cila kishte qenë vetë firmëtarja e kësaj marrëveshje kur ishte në pushtet. Këtë herë argumentet e demokratëve ishin se shteti shqiptar rrezikoi të humbiste 360 milionë euro, pas tentativave për të prishur një kontratë të miratuar nga qeveria dhe parlamenti i kaluar.

Opozita u ankua në debatin për miratimin e kontratës së rishikuar, duke deklaruar se në fakt, nga ky rishikim, Shqipëria humbet më shumë para se sa nga marrëveshja fillestare, ndryshe nga sa pretendonte qeveria në relacionin shoqërues të kontratës. “Në gjithë këtë proces Shqipëria ka humbur 500 mijë euro të cilat nuk i janë dhënë Avokaturës së Shtetit por kompanisë së bashkëshortes së Tony Blair, në një kohë që rinegocimi mund të ishte bërë pa tentuar më parë prishjen e kontratës së firmosur në 2013-n”, - argumentoi demokrati Arben Ristani ndërsa u diskutua në Komisionin e Ligjeve marrëveshja e rinegociuar.

Të gjitha këto argumente të demokratëve u kundërshtuan fort nga socialisti Bashkim Fino i cili ndërsa sugjeroi që do të kishte qenë më mirë prishja e kontratës dhe pagimi nga shteti shqiptar i gjobës prej 360 milionë eurosh, akuzoi opozitën se ishte kundër marrëveshjes së re sepse mbronte bizneset e familjarëve të drejtuesve të saj. “Pse irritohet opozita dhe nuk do që ne t’i kursejmë këto 100-1800 milionë euro? Kush fshihet pas kontratës amerikane? Cilët janë? Janë familjarët e tyre, të udhëheqësve të tyre që po fitojnë, fituan këto dy vjet dhe po bëjnë zhurmë të madhe se duan të fitojnë akoma. Ndaj më mirë të pranohej gjoba”, - deklaroi Fino ndërsa debatonte me demokratin Ristani.

Auditi për bashkitë, kontrata më 8 shtator

Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi mblodhi dje në një takim kryetarët e rinj të bashkive për të diskutuar përparësitë dhe sfidat e qeverisjes së re vendore pas konstituimit të këshillave bashkiakë, si edhe për të prezantuar iniciativat e qeverisë shqiptare në ndihmë të bashkive të reja me qëllim ofrimin me cilësi të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm vendor.

Në takim ku nuk munguan as kryebashkiakët demokratë, ministri Çuçi njoftoi se në datën 8 shtator 2015 do të nënshkruhet kontrata me një nga katër kompanitë ndërkombëtare të auditimit, për konsolidimin administrativ financiar të 61 bashkive. Ai prezantoi gjithashtu projektin e Planeve të Përgjithshme Vendore si dhe hartimin e Planit të Zhvillimit Operacional për 26 bashki, të shoqëruara me një paketë financiare të vënë në dispozicion nga qeveria dhe donatorët.

Projekti i miratuar nga qeveria në gusht të këtij viti parashikon që Ministria e Zhvillimit Urban të kryej procedurat e prokurimit për realizimin e konkursit të projektimit për hartimin e planeve të përgjithshme vendore të 26 bashkive, përkatësisht për bashkitë e Dibrës, Konispolit, Durrësit, Krujës, Gjirokastërës, Kurbinit, Korçës, Librazhdit, Kukësit, Përrenjasit, Lezhës, Pogradecit, Shkodrës, Poliçanit, Tiranës, Rrogozhinës, Vlorës, Sarandës, Cërrikut, Shijakut, Divjakës, Skraparit, Himarës, Urë-Vajgurore, Kavajës dhe Vorës.

Ndërkohë në takimin e djeshëm është diskutuar edhe mbi kalimin e kompetencave të reja në nivel vendor, që do të realizohet në kuadër të paketës së decentralizimit: në fushën e ndihmës ekonomike, arsimit, funksioneve të policisë bashkiake, mbrojtjes nga zjarri, rrugëve rurale, shërbimit pyjor, etj. Ministri Çuçi vuri theksin tek iniciativa e qeverisë shqiptare për saktësimin e kufijve administrativ sipas koordinatave të sakta gjeografike dhe legalizimi i tyre duke i dhënë fund mbivendosjes së juridiksioneve administrative, si edhe problematikave shoqëruese dhe ftoi kryebashkiakët të bashkëpunojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat