Biznesi, ja gjobat që rriten

Shqipëria

Biznesi, ja gjobat që rriten

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 07:37

“Çdo blerësi i lind e drejta të mos paguajë për vlerën e mallit ose shërbimit të marrë, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor në përputhje me këtë ligj”. Kjo thirrje e bërë disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, në formën e një kërkese, lidhur me aksionin e ndërmarrë kundër informalitetit, duket se do të ligjërohet. Projektligji i Ministrisë së Financave, i cili u është shpërndarë për diskutim ministrive të linjës, ndryshon gjithashtu, ligjin e procedurave tatimore, duke ashpërsuar masat ndaj evazionit fiskal, ashtu siç ishte paralajmëruar më parë nga kryeministri.

Më konkretisht, në nenin 14 të tij, projektligji thotë se për çdo biznes që është subjekt i tatimit mbi fitimin, pra kompanitë me xhiro më të mëdha se 8 milionë lekë në vit, gjoba për moslëshim kuponi do të jetë 10 milionë lekë, ndërsa për tatimpaguesit e tjerë ajo do të jetë 500 mijë lekë. Paralelisht, veç gjobës, bizneseve që nuk lëshojnë kupon do t’u sekuestrohen edhe të gjitha mallrat gjendje. Këto masa ndëshkuese janë kur moslëshimi i kuponit konstatohet për herën e parë. Nëse kjo shkelje përsëritet, atëherë ajo do të konsiderohet si evazion dhe tatimpaguesi do të kallëzohet në prokurori për ndjekje penale.

Të njëjtat masa ndëshkuese, pra gjobë me 10 milionë lekë dhe sekuestrim të mallit, do të aplikohen edhe kur biznesi mban apo përdor kasa fiskale, të cilat nuk janë në përputhje me kërkesat e përcaktuara në ligj. Projektligji nuk ashpërson vetëm masat ndëshkuese për bizneset që nuk lëshojnë kupon dhe s’kanë kasa të rregullta. Paralelisht, ai i jep të drejta shtesë administratës tatimore që të përdorë forcën në mbledhjen e detyrimeve për bizneset, të cilat nuk e kanë shlyer atë në kohë. Sipas projektligjit, Tatimet do të kenë tagrin për të monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50 për qind të qarkullimit të realizuar.

Projektligji parashikon ndryshime të shumta dhe ashpërsim të ndjeshëm si të gjobave për mospërdorim të kuponëve tatimorë, deri në sekuestrim malli dhe të xhiros ditore, nëse je debitor ndaj shtetit, ndërsa i jep shumë të drejta tatimorëve, duke i lejuar të krijojë bazën e të dhënave të numrave IMEI të telefonisë celulare . Ndër ndryshimet e tjera përfshihen ndalimi i nëpunësve të administratës tatimore qendrore dhe vendore që të kenë të kenë nën pronësi të tyre apo të afërm të tyre zyra të kontabilitetit apo konsulencës fiskale.

Një tjetër ndryshim sanksionon që “Nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri në datën 31.12.2015, për të gjithë tatimpaguesit që kryejnë shitje me shumicë të mallrave tek blerës jo ushtrues të një veprimtarie tregtare (individë), shitjet me kupon tatimor të lëshuar nga pajisja fiskale nuk duhet të tejkalojnë 10 për qind të vlerës së tatueshme të mallrave të shitura gjatë një periudhe tatimore mujore, pa përfshirë TVSH. Nga data 1 janar 2016, për këtë kategori nuk lejohet shitja me kupon tatimor”.

Ndryshimet në projektligj

Ndryshimet në ligjin për procedurat parashikojnë masa të ashpra për mospërdorimin e kuponëve tatimorë, sidomos për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, që mund t’u sekuestrohet edhe malli. Në nenin 122 bëhen këto ndryshime: 1. Në pikën 1, germa, “b” dhe “c” ndryshohen me këtë përmbajtje: “1. Tatimpaguesi, person juridik ose fizik, tregtar, dënohet në rast se: a) nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve: i. Për çdo konstatim të kryer, me gjobë në masën 10,000,000 (dhjetë milionë) lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjende, dhe gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tjerë, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjende, ii. Për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas verifikimit të parë, ku konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve sipas kërkesave të këtij ligji, si më sipër, konsiderohet evazion tatimor, sipas nenit 116, të ligjit, dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin. c) lëshon një kupon tatimor/ dëftesë tatimore/biletë me vlerë të para shtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, për kuponin tatimor/dëftesën tatimore/biletën me vlerë të para shtypur, me gjobë, në masën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat