Nis të hënën shërbimi i skanimit të konteinerëve

Shqipëria

Nis të hënën shërbimi i skanimit të konteinerëve

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 18:08

Sistemi i skanimit të konteinerëve do të fillojë nga puna të hënën, më 7 shtator. Siç njofton Ministria e Financave, sistemi i operimit për shërbimin e skanimit të konteinerëve dhe automjeteve të tjera për bizneset dhe individët që kanë si veprimtari të tyre importin, eksportin dhe kalimin tranzit në Shqipëri është gati, pasi zgjidhjes me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve me shoqërinë “S2 Albania shpk” dhe “Rapiscan Systems Inc”.

“Ministria e Financave iu bën me dije të interesuarve se, duke filluar nga dita e hënë, data 7 shtator 2015, shoqëria koncesionare do të fillojë operimin për shërbimin e skanimit të konteinerëve dhe të automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, kundrejt tarifës së skanimit.

Pagesa për skanimin do të kryhet mbi bazën e deklaratës doganore. Pagesë do të kryejnë të gjitha bizneset. Pra, do të përfshihet, si aktivitet, importi, eksporti dhe kalimi tranzit.

Pagesa për deklaratë do të jetë 22 euro. Për deklaratat doganore që janë me vlerë deri në 1 000 euro, pagesa respektive do të jetë 5 euro”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në prill të 2013-s, kompania “Rapiscan Systems” nënshkroi fitoi një kontratë 15-vjeçare me qeverinë “Berisha” për skanimin e konteinerëve. Koncesioni u kundërshtua nga biznesi për shkak të tarifave të larta dhe u anulua në shtator të po atij viti nga kryeministri Rama.

“Rapiscan Systems” e dërgoi çështjen në arbitrazh në gusht të 2014-s, duke kërkuar nga qeveria shqiptare 350 milionë dollarë dëmshpërblim. Disa muaj më vonë, qeveria shqiptare arriti të zgjidhë me marrëveshje konfliktin me kompaninë “Rapiscan”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat