Nismat në ndihmë të 61 bashkive

Shqipëria

Nismat në ndihmë të 61 bashkive

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 16:14

Diskutimi i përparësive dhe sfidave të qeverisjes së re vendore, pas konstituimit të këshillave bashkiakë ishte në qendër të takimit të sotëm mes ministrit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi me kryebashkiakët e rinj.

Në takim, u prezantuan edhe nismat historike të qeverisë shqiptare në ndihmë të bashkive të reja, me qëllim ofrimin me cilësi të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm vendor.

Nga këto iniciativa, ministri Çuçi prezantoi projektin e Planeve të Përgjithshme Vendore si dhe hartimin e Planit të Zhvillimit Operacional për 26 bashki, të shoqëruara me një paketë financiare të vënë në dispozicion nga qeveria dhe donatorët. Po ashtu, ministri njoftoi që në datën 8 shtator 2015 do të nënshkruhet kontrata me një nga katër kompanitë ndërkombëtare të auditimit, për konsolidimin administrativ financiar të 61 bashkive.

Të pranishmëve iu prezantua edhe kalimi i kompetencave të reja në nivel vendor, që do të realizohet në kuadër të paketës së decentralizimit: në fushën e ndihmës ekonomike, arsimit, funksioneve të policisë bashkiake, mbrojtjes nga zjarri, rrugëve rurale, shërbimit pyjor, etj.

Sipas ministrit Çuç, një moment tjetër historik i reformës administrativo-territoriale, është iniciativa e qeverisë shqiptare për saktësimin e kufijve administrativë sipas koordinatave të sakta gjeografike dhe legalizimi i tyre duke i dhënë fund mbivendosjes së juridiksioneve administrative, si edhe problematikave shoqëruese. Për këtë ftoi të gjithë kryebashkiakët të bashkëpunojnë në mbështetje të këtij procesi serioz që ndodh për herë të parë në Shqipëri.

Takimi vijoi me diskutime mbi mënyrën e zgjidhjes së problematikave të përditshme që kryetarët hasin në punën e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat