Operacioni kundër informalitetit/Vjero: Ja sa biznese të reja janë regjistruar për dy muaj

Shqipëria

Operacioni kundër informalitetit/Vjero: Ja sa biznese të reja janë regjistruar për dy muaj

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 16:08

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Vasilika Vjero ka përsëritur edhe njëherë apelin drejtuar bizneseve për t’u regjistruar në QKR. Kur operacioni kundër informalitetit ka hyrë në diten e tij të katërt, në sportelet e QKR-së punohet me orare të zgjatura për të përballuar fluksin e bizneseve që vijnë për t’u regjistruar.

Vjero ka dhënë shifrat e regjistrimeve të reja sipas të cilave, për periudhën Korrik –Shtator 2015, janë regjistruar 9152 biznese ose 3 herë më shumë se viti 2014, ndërsa për nëntëmujorin (deri në datën e sotme), janë regjistruar 18,054 biznese të reja ose 33.3 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014, ose 8% më shumë se totali i vitit 2014. Vetëm gjatë muajit gusht 2015, janë regjistruar 4,847 biznese ose 6.8 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014;

Në këto ditë të para të muajit shtator 2015 janë regjistruar 2,533 biznese ose 2 herë më shumë se 2014;

Është rritur me 19% prezenca e kompanive me kapital 100% të huaj (761 regjistrime të reja);

Sa i përket ç’regjistrimeve, numri i bizneseve të ç’regjistruara në QKR për periudhën Janar – Gusht 2015 është ulur me 2.3 %, krahasur me të njëjtën periudhë të vitit 2014.

Vjero ka ripërsëritur apelin drejtuar bizneseve, për t’u regjistruar, formalizuar, pajisur me kasa fiskale dhe përdorur kuponat tatimorë, ndërsa ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e QKR-së për t’i shërbyer biznesit me orare të zgjatura në sportele dhe përmes portalit online e-Albania.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat