Ndryshimi në ligjin për procedurat tatimore/ “Mos paguaj, nëse s’merr faturë tatimore”

Shqipëria

Ndryshimi në ligjin për procedurat tatimore/ “Mos paguaj, nëse s’merr faturë tatimore”

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 10:46

Qeveria i propozon Kuvendit disa shtesa në ligjin në 9920, datë 19.5.2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”. Ndryshimet e propozuara parashikojnë që nëpunësit e administratës tatimore qendrore dhe vendore ndalohen të kenë në pronësi të tyre apo të afërm të tyre zyra të kontabilitetit apo konsulencës fiskale.
Por në propozimet e Qeverisë sanksionohet edhe e drejta e cdo blerësi apo konsumatori që të mos pagujë për vlerën e mallit ose shërbimit të marrë, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor në përputhje me këtë ligj.
Mes ndryshimeve të propozuara, i jepet e drejta Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të krijojë bazën e të dhënave të numrave IMEI të telefonisë celulare, në të cilën regjistrohen të gjitha numrat IMEI- e të telefonave celularë në momentin e importimit dhe të gjitha IMEI të telefonave që shiten nga tatimpaguesit në tregun vendas, shitës me shumicë dhe shitës me pakicë, pa cënuar legjslacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Gjithashtu në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, për llogari të detyrimeve tatimore të pashlyera të tatimpaguesit.
Tatimpaguesi për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij, apo të shesëtransferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur nëpërmjet shitjestransferimit të aktiveve synohet shlyerja në masën 100% e detyrimit tatimor të papaguar.”.
Ndryshimet në ligjin për procedurat parashikojnë masa të ashpra për mospërdorimin e kuponave tatimorë, sidomos për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, që mund t’u sekuestrohet edhe malli.
Në nenin 122 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, gërma, “b” dhe “c” ndryshohen me këtë përmbajtje:
“1. Tatimpaguesi, person juridik ose fizik, tregtar, dënohet në rast se:
a) nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve:
i. Për çdo konstatim (verifikim) të kryer, me gjobë në masën 10,000,000 (dhjetë milon) lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjende, dhe gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tjerë, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjende,
ii. Për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas verifikimit të parë, ku konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve sipas kërkesave të këtij ligji, si më sipër, konsiderohet evazion tatimor, sipas nenit 116, të ligjit, dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin.
c) lëshon një kupon tatimor/dëftesë tatimore/biletë me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, për kuponin tatimor/dëftesën tatimore/biletën me vlerë të parashtypur, me gjobë, në masën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë.
2. Në pikën 1, pas shkronjës d), shtohet shkronja d/1) dhe pas me përmbajtjen:
“d.1. Nuk afishon në një vend të dukshëm në adresën ku kryen veprimtarinë, një poster që tregon të drejtën e blerësit për të mospaguar për mallrat dhe shërbimet e blera në zbatim të nenit 46 pika 3 të këtij ligji, me gjobë në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë.”.
3. Në pikën 1, pas gërmës gj), shtohet gërma h) me këtë përmbajtje:
“h) mban apo përdor pajijse fiskale të cilat nuk janë në përputhje me këtë ligj apo aktet nënligjore në zbatim të tij, me gjobë, në masën 10,000,000 (dhjetë milon) lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjendje, dhe gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tjerë, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjendje.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat