Aksidentet, policia i kërkon ndihmë bashkisë

Shqipëria

Aksidentet, policia i kërkon ndihmë bashkisë

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 08:59

Komisariati i Policisë Rrugore në kryeqytet, ka kërkuar ndihmën e Bashkisë së Tiranës për marrjen e masave, lidhur me rrjetin rrugor, sistemin semaforik, ndriçimin e rrugëve dytësore, vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale dhe mbi të gjitha, uljen e aksidenteve me vdekje te këmbësorët. Sipas shkresës së siguruar nga gazeta “Shekulli”, policia rrugore i kërkon institucionit të Bashkisë, në fund të muajit gusht, marrjen e masave dhe një akordim i dyanshëm, ndërmjet dy institucioneve për sistemimin e trafikut rrugor në Tiranë. Problematikë kryesore që paraqitet në shkresë është se, aksidentet rrugore me pasojë vdekjen kanë shkaktuar 16 viktima për vitin 2014 në radhët e këmbësorëve, duke zënë afërsisht 30 për qind të numrit në total të aksidenteve me vdekje në kryeqytet. Në këtë kuadër, policia rrugore i drejtohet në këtë formë institucionit të Bashkisë.

“Nisur nga statistikat vjetore, nëse do t’i referoheshim pasojave fatale të ndodhura në vitin 2014, 30 për qind e të aksidentuarve me pasojë vdekjen, kanë qenë këmbësorë. Kjo do të mjaftonte që të gjithë së bashku të ngrinim mekanizmat mbrojtës, pikërisht për këto kategorish përdoruesish rruge, të pambrojtur dhe të paorientuar, në mënyrë që të eliminojmë sa më shumë të mundemi, pasojat e rënda në jetë njerëzish”, citohet në kërkesë që i drejtohet Bashkisë së kryeqytet.

Ulja e aksidenteve

Sipas Policisë Rrugore të kryeqytetit, duhet të përmirësohet gjendja aktuale e vendkalimeve për këmbësorët si edhe ndërtimi i të rejave, si p.sh., nënkalime apo mbikalime, që do të sillte, padyshim, një përmirësim të situatës në kryeqytet. “Orientimi dhe kanalizimi i fluksit të këmbësorëve me anë të rrethimit me trotuare, me kangjella mbrojtëse ose me barriera të ngritura një lartësi të caktuar si trafikndarësja, do të përmirësonte në mënyrë të prekshme, rezultatet, në uljen e aksidenteve me dëme në këmbësorë”, thekson policia rrugore në shkresë e saj.

Nga ana tjetër, policia rrugore i kujton Bashkisë së Tiranës se duhet të respektojë ligjin e datës 10 nëntor 2011, me numër 1694, për mjetet e transportit të mallrave dhe atyre teknologjike, që shkelin orarin e qarkullimit në kryeqytet. “ Problemi i vetëm dhe më kryesor është se, kjo urdhërese që nuk po gjen zbatim, gjatë gjithë kohës që ka hyrë në fuqi prej 4-vitesh. Mjetet e tonazhit të rëndë qarkullojnë lirshëm me anë të autorizime dhe lejeve të posaçme jashtë orarit të përcaktuara në këtë urdhëresë.

Aktualisht në asnjë segment rrugor të qytetit të Tiranës nuk konstatohet asnjë sinjal vertikal rrugor, “ndalim qarkullimi me orar të kufizuar”. Zbatimi me rigorozitet i kësaj urdhërese, do të reduktonte ne një përqindje të prekshme trafikun në qytetin tonë, sidomos në oraret e pikut të tij”, mbyll shkresën e saj policia rrugore në kryeqytetit, drejtuar institucionit të Bashkisë.

Policia Rrugore: Ja problemet me trafikun

I nderuar z.kryetar

Duke ju uruar një fillimi sa më të mbarë dhe sa më të suksesshëm në detyrën tuaj, ju urojmë punë të mbarë dhe plot suksese, duke shpresuar shumë edhe në bashkëpunimin midis dy institucioneve tona, të cilat si pikë të përbashkët kanë Kodin Rrugor dhe një pafundësi detyrash dhe obligimesh, kundrejt qytetarëve dhe qytetit të Tiranës. Nisur nga kontrolli i përgjithshëm i territorit të qytetit të Tiranës, nga ana e shërbimeve të policisë rrugore edhe më herët janë konstatuar se, në disa segmente kryesore dhe dytësore, ka parregullsi dhe avari, porsa i përket rrjetit rrugor, semaforik apo sinjalistikës rrugore.

Mungesa e këtyre komponentëve ka sjellë çrregullime në trafikun e qytetit, si edhe ngjarje aksidentale, deri me pasoja fatale, sidomos për këmbësorët. Konstatimet për parregullsi dhe avari në rrjetin rrugor, elektrik, semaforik dhe të sinjalistikës, nga ana jonë si Komisariat, kanë qenë të vazhdueshme dhe në kohë reale, duke bërë adresimin e problemeve në mënyrë të drejtpërdrejtë, institucionit të Bashkisë Tiranë, me anë të shkresave zyrtare.

Komunikimi me anë të shkresave zyrtare, ka qenë i vetmi komunikim ndërmjet dy institucioneve, asaj të Bashkisë dhe Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore, pasi për asnjë rast të vetëm, Policia Rrugore, nuk ka qenë pjesë e politika të Bashkisë Tiranë, madje, duke qenë i përjashtuar në dhënien e mendimeve për përmirësimin e trafikut. I nderuar, z. Kryetar i Bashkisë, ishte e pamundur që shqetësimet tona të përbashkëta për përmirësimin e trafikut dhe rritjen e cilësisë së jetës së qytetareve, të përmblidheshin, në një apo dy paragrafë të vetme. Jemi të angazhuar për një bashkëpunim serioz dhe frutdhënës për përmbushjen e angazhimeve tona, të cilët kanë si qëllim, përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës.
Ju faleminderit për mirëkuptimin

Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore Tiranë

Ndriçimi dhe sinjalistika, shkak për aksidentet

Një tjetër pikë ku Policia Rrugore e kryeqytetit kërkon bashkëpunimin e Bashkisë së Tiranës, është rrjeti elektrik dhe sinjlistika horizontale e vertikale.

“Rrjeti elektrik për ndriçimin e rrugëve në qytetin e Tiranës është i mundshëm vetëm në unazën e vogël dhe të mesme të qyteti. Pjesa tjetër është në errësirë të plotë, ku mungojnë kushtet për një qarkullim normal dhe të sigurt, sidomos për çiklistët, motoçiklistët dhe këmbësorët. Situatën e rëndojnë edhe më shumë, mungesa e theksuar e sinjlistikës rrugore, vertikale dhe hizontale, ku për shkak të mungesës së tyre, drejtuesit e mjeteve nuk gjejnë orientimin e duhur, duke bërë kështu që të jenë pjesë e një qarkullimi kaotik dhe pa sens. Mungesa e tabelave orientuese, urdhëruese apo ndaluese, ndarja e karrexhatave dhe korsive me vijëzime përkatëse, përveç sjelljes kaotike të drejtuesve të mjeteve, na ka bërë që të shpenzojmë shumë forca policore, duke bërë kështu, që tabelat dhe semaforët të zëvendësohen me shërbime policore. Kjo ka sjellë edhe devijimin, duke dalë nga objekti kryesor i punës së policisë rrugore, pasi 60 për qind e ditës dhe e kohës, të një punonjësi të qarkullimit rrugor, kalon pikërisht për drejtimin dhe menaxhimin e trafikut rrugor”, theksohet në shkresën e Policisë Rrugore drejtuar baskisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat