Gjykata: Si u vendos pasuria e Gjokës nga trafikimi

Shqipëria

Gjykata: Si u vendos pasuria e Gjokës nga trafikimi

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 08:57

Historia e vënies në sekuestro të pasurisë së Dashamir Gjokës, në vendin tonë, duket se ka nisur shumë vonë, ndonëse autoritete italiane prej kohësh kanë kërkuar ndalimin e tij për llogari të tyre. Fakti i nisjes vonë të verifikimit të pasurive të dyshimta, mësohet nga vendimi i zbardhur Gjykatës së Krimeve të Rënda, vendim që është marrë në ditët e para të muajit gusht dhe në të cilin janë të detajuara një sërë kredish të dhëna nga banka të nivelit të dytë, shuma që u publikuan një ditë më parë nga “Shekulli’.

Ky vendim, i cili nisi të zbatohej dy ditë më parë, ose më saktë u bë publik nga Prokuroria është plot 18 faqe, në të cilin shpjegohen të gjitha arsyet që çuan Gjykatën të pranojë kërkesën e prokurorit Ened Nakuçi, i cili ka kërkuar, në bazë të shkresës së ardhur nga Prokuroria e Durrësit, për të vënë nën sekuestro pasuritë e panumërta të Dash Gjokës. Në vendim, Gjykata ka fiksuar gjithë pasurinë e identifikuar të Dashamir Gjokës dhe të familjes së tij, ndërsa janë bërë me dije edhe të gjitha faktet e sjella nga drejtësia italiane që konsiderohen si vepra penale për të cilat është gjetur dhe shpallur fajtor Dash Gjoka.

Letër-porositë e drejtësisë italiane tregojnë me detaje dhe data të sakta rrugët që kryente grupi kriminal i kryesuar nga Gjoka, për të kaluar në tokën italiane vajza, kryesisht të huaja. Janë disa raste të identifikuara, ku femrat mësohet se ishin moldave dhe rumune, ndërsa vetëm një grua është me emër të saktë në materialin e referuar nga italianët e hetimit. Në fakt, rreth vitit 2000, grupi i Gjokës thuhet se u denoncua, por në këtë vendim nuk bëhet me dije asnjë lloj hetimi dhe verifikimi mbi këtë denoncim. Më poshtë botojmë pjesë nga vendimi i 5 gushtit ku është vendosur të vihet në sekuestro pasuria e Dash Gjokës, ku vetëm kompleksi, sipas Gjykatës kap vlerën e mbi1.7 miliardë lekësh.

Vendim për sekuestrim pasurie

“Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, e përbërë nga gjyqtare Liljana Baku, me datë 05.08.2015 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore kërkesën penale nr. 25 me: Kërkuese; Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, përfaqësuar nga prokurori Ened Nakuçi. Kundër; shtetasit Dashamir Gjoka, i biri i Limanit dhe i Ikbales, i datëlindjes, 29.06. 1971, lindur në Shijak dhe banues në Sallmone, komuna Xhafzotaj, Durrës.

Objekti:

1- Sekuestrim i pasurive

2- Për administrimin dhe përdorimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të ngarkohet Skënder Met`hasani, i cili është administrator i Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave

3-Për ekzekutimin e këtij vendimi të ngarkohet Zyra e Përmbarimit, Durrës.

Gjykata

Gjykata pasi dëgjoi pretendimin përfundimtar të prokurorit, i cili kërkoi pranimin e kërkesës sipas objektit të saj, verën se: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, më 28.07, 2015 regjistroi procedimin pasuror nr. 07, viti 2015, në ngarkim të shtetasit Dashamir Gjoka, ndryshe Ilir Doja, si person i dënuar nga organet kompetente në Itali me 7.6 vite burg për kryerjen e veprave penale të bashkëpunimit në organizatë kriminale me qëllim favorizimin e emigracionit të paligjshëm dhe të shfrytëzimit e prostitucionit, të parashikuar nga legjislacioni italian.

Gjithashtu, Dashamir Gjoka është nën hetim edhe nga Prokuroria e Durrësit për llogari të procedimit penal nr. 1279/2012, për veprën penale ‘Pastrim i produkteve të veprës penale’. Prokuroria e Durrësit ka referuar materialet te Prokuroria e Krimeve të Rënda më 13.07.2015 dhe më 15.07.2015 referimi është bërë edhe nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. Në përmbajtje të materialit referues rezultoi se Dashamir Gjoka me vendimin e formës së prerë, më 02.11.2007, të Gjykatës së Apelit të Milanos u dënua me 10.6 vite burg (vendimi u la në fuqi pjesërisht, vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë në Milano, dhënë më 04.12.2003.

Për Dashamir Gjokën, prokuroria e Milanos nxori vendimin e ekzekutimit më 30.11.2009, për dënimin e mbetur prej 7.6 vite, i mbetur i paekzekutuar për shkak të mungesës së të dënuarit, duke përfituar ulje në masën prej 3 vjet burg nga amnistia e vitit 2006”.

Dosja penale në Itali e Dashamir Gjokës

“Nga aktet e dërguara nga autoriteti gjyqësor italian rezultoi se shtetasi Dashamir Gjoka u dënua për faktet penale të mëposhtme: -Për bashkëpunim me disa persona, në kryerjen e disa krimeve relative, me qëllim futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetit italian të grave me origjinë nga vendet e Europës Lindore, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion, duke qenë ai në rolin e organizatorit dhe drejtuesit të grupit me shtrirje të veprimtarisë në Milano dhe Puglia para vitit 1999 dhe deri sot, në vazhdimësi.

-Për organizim dhe drejtim në bashkëpunim, të aktivitetit të kryer në Puglia, para datës 8.1.2000, i cili favorizoi hyrjen klandestine në Itali të dy vajzave me origjinë moldave, me qëllim shfrytëzimin e tyre.

-Për veprim në bashkëpunim me qëllim kalimin dhe shfrytëzimin për prostitucion të dy grave, kryer në Milano, para datës 08.01.2000.

-Për organizmi dhe drejtim të aktivitetit në bashkëpunim të kryer në Milano në periudhën nga janari i vitit 2000 deri më datë 6 nëntor të po këtij viti, kohë kur pala e dëmtuar depozitoi kallëzimin me qëllim favorizimin e hyrjes klandestine në Itali të tri vajzave me origjinë moldave.

-Për organizimin dhe drejtimin e aktivitetit në bashkëpunim të kryer në Itali më 15.12. 2000, favorizimin e hyrjes në Itali në mënyrë klandestine të katër vajzave me origjinë të huaj, ku njëra ishte shtetase rumune.

-Për organizmin dhe drejtimin në bashkëpunim me disa persona të tjerë të aktivitetit të hyrjes në drejtim të Italisë të vajzave rumune.

-Për favorizim dhe shfrytëzim të shtetases V. A, kryer në Milano më 13.01.2000. Provat për fajësinë e Dashamir Gjokës u siguruan mbi bazën e një hetimi kompleks duke përdorur metoda speciale të përgjimit telefonik dhe duke marrë dëshmitë e palëve të dëmtuara, të cilat denoncuan aktivitetin e kundërligjshëm të tij.

Grabitja

Në kuadër të hetimit paraprak u administruan edhe materialet e mbërritura në ekzekutim të letër-porosisë me shkresën nr 1642, datë 25.06.2014 nga të cilat rezultoi se shtetasi Dashamir Gjoka njihej në Italia edhe me emrin Ilir Doja, referuar pasaportës së paraqitur prej tij në momentin e ndalimit nga policia italiane. Në Itali ai u identifikua në një rast si autor i grabitjes me dhunë të shumës prej 500.000 lireta dhe si i përfshirë në veprimtarinë kriminale.

Për veprimtarinë kriminale në fushën e shfrytëzimit për prostitucion rezultoi dënimi i tij dhe nxjerrja e urdhrit për ekzekutimin e dënimit me 7.6 vite burg dhe 103.000 Euro gjobë. Kështu, nga verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në shtetin italian rezultoi se Dashamir Gjoka dhe familjarët e yij nuk kishin paraqitur deklaratë të të ardhurave dhe nuk rezultonin bashkëlidhur të dhëna të tipit pasuror apo kontraktor”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat