Debate në Këshillin Bashkiak, PD kundër 4 fishimit të gjobave/Veliaj: As e kisha menduar që në 2015 të kishte parti kundër pastërtisë

Shqipëria

Debate në Këshillin Bashkiak, PD kundër 4 fishimit të gjobave/Veliaj: As e kisha menduar që në 2015 të kishte parti kundër pastërtisë

Nga: Gjergj Koja Më: 3 shtator 2015 Në ora: 20:19

Këshilli Bashkiak i Tiranës mes debatesh ka zhvilluar mbledhjen e ditës e një rend dite me disa pika të rëndësishme.

Debateve dhe akuzave të ndërsjellëta i është shtuar edhe mungesa e energjisë elektrike për mbi 30 minuta, cka ka detyruar këshillin të ndërpresë mbledhjen deri në rilidhjen e energjisë.

Një nga pikat më të diskutueshme të rendit të ditës ishte masave ndëshkuese, për dëmtuesit dhe zaptuesit e hapësirave publike të Tiranës. Kryebashkiaku, Erion Veliaj u shpreh se ligji i ri parashikon gjoba për efekt kontrolli të pronës publike dhe kush dëmton pronën publike. Por, këshilltarët e djathtë kundërshtuar me pretendimin se nuk janë respektuar afatet ligjore për ndryshimin e ligjit.

Kryetari i Bashkisë është shprehur i keq ardhur që një forcë politike shprehet kundër masave që kërkojnë të rrisin pastërtinë në qytet. “Duam të sjellim pastërtinë në Tiranë dhe as që e kisha menduar që në vitin 2015 të kishte forca politike që janë kundër pastrimit të qytetit”, – tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Gjithashtu ai u shpreh se rritja e masave ndëshkimore për ata që shkelin ligjin janë të nevojshme për sa kohë qyteti gjendet në një gjendje të keqe sa i përket pastërtisë. “Ne sot kemi një qytet më të pastër por shumë larg asaj që duhet të jetë. Ndaj falenderoj Këshillin që ne të fusim në rendin e ditës pikën që kërkon rritjen e masës së gjobave”, u shpreh Veliaj.

Pavarësisht kundërshtimit të këshilltarëve demokrat, Këshilli Bashkiak ka përfshirë me shumicë votash, ndryshimin e masave të gjobave në rendin e ditës së mbledhjes së sotme.

Gjoba për dëmtimet dhe ndërhyrjet në rrjetin rrugor

Dëmi Gjoba
Dëmtim, çarje, ndotje rruge 10 000 Lekë/m2
Bllokim rruge 10 000 Lekë/ml
Dëmtim, çarje, ndotje trotuari 10 000 Lekë/m2
Bllok trotuari 10 000 Lekë/ml
Dëmtim bordure 10 000 Lekë/ml
Dëmtim, bllokim pusete, kunetë 10 000 Lekë/copë
Vjedhje kapaku, pusete, zgare 10 000 Lekë / cope

Dëmtimet ose ndërhyrjet në rrjetin elektrik rrugor, dënohen me gjobë në masën 20 000 Lekë për copë

Lidhjet e pamiratuara në kandelabrat apo rrjetin ajror
Dëmtim i shtyllave
Dëmtim i ndriçuesve
Përdorim i shtyllave si support për montimin e reklamava, kapjen e kabllove etj.

Dëmtim i traseve kabllorë e linjave ajrore nga punimet që kryhen pranë tyre me leje ose pa leje si edhe shkulja e shtyllave
Ndërhyrje të kuadrot e komandimit.

Dëmtimet ose ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit, si më poshtë, dënohen me gjobë në masën 20 000 lekë

Lidhjet e pamiratuara në tubacion
Dëmtim i pusetave
Dëmtim i tubacioneve nga punimet që kryhen pranë tyre me leje ose pa leje
Dëmtimet ose ndërhyrjet në hapësirat e gjelbra dënohen me gjobë

Dëmi Gjoba
Dëmtim hapësire të gjelbër 20 000 Lekë/m2
Zënie hapësire të gjelbër pa leje 20 000 Lekë/m2
Dëmti, prerje pemësh 20 000 Lekë/m2
Vendosje posterash pa leje 20 000 Lekë/m2
Vendosje tabelash, banderolash pa leje 20 000 Lekë/m2

Këshilli Mbikqyrës i UKT

Bashkia e Tiranës duke qenë aksioner e shoqërisë Ujësjellës Kanalizime të Tiranës ka propozuar 4 anëtarë për këshillin mbikëqyrës në UKT. Këshilltarët e djathtë kërkuan që të njiheshin me CV-të e emrave të propozuar, por Kreu i Këshillit Bashkiak u shpreh se kjo është një kërkesë që do të plotësohet në ditët e ardhshme.

Nga ana e këshilltarëve të majtë u hodhën akuza se përgjatë drejtimit të Bashkisë nga Basha, UKT u kthye në strehë partiake që ka 1800 punonjës, por realisht nuk punon asnjë.Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se problemi më serioz është se lagje të tëra janë pa ujë. “Sot kemi një ujësjellës që është i paaftë të çojë ujë në lagje. Yzberishti është pa ujë, Shkolla e Baletit dhe një pjesë e Rrugës së Elbasanit është pa ujë. Tirana është pa ujë dhe do një menaxher efektiv. Sot kjo ndërtesa ku po flasim ka qenë pa ujë. Administratori aktual më ka folur seriozisht duke më thënë se nuk mund të bëjë dot reformë. Pas çdo faturisti është një deputet i PD-së. Nuk jeni gati për debat serioz, prandaj them stan me lepuj. Edhe dhi e zgjebosur edhe bishtin përpjetë. Ju nderon të ndihmoni, se fëmijët tuaj ecin në të njëjtat rrugë, edhe kur nuk ka ujë nuk ka për të gjithë. Borxhi ndaj ujësjellësit është 820 milionë lekë. Nuk vjel dot lekët. Nuk mund të lë Tiranë pa ujë sepse tubacioni në një kilometër është çarë si kullese makaronash. Kam propozuar katër kategori për ujësjellësin”, tha Veliaj.

Administrimi i digës së liqenit

Kalimi në administrim të Ujësjellës Kanalizime të Tiranës të Digës së Liqenit Artificial është miratuar pas një debati të gjatë. Kreu i bashkisë, Erion Veliaj tha se me vendim qeverie diga i ka kaluar në administrim bashkisë që prej vitit 2007. Por në atë kohë bashkia e kundërshtoi këtë gjë pasi nuk kishte kapacitete për ta menaxhuar. “Jeni e vetmja parti që mbroni ndërtimin në digë. E keni zakon që i bini nga Kina për të thënë diçka, por them troç do të jemi partnere kundër. Jam këtu për të luftuar për digën pa ndërtime. Bërë një lapsus frojdian the do të lajmërojmë ato që janë poshtë digës”, iu drejtua Veliaj këshilltarëve të PD. Por kreu i këshilltarëve demokratë Leonard Olli tha se nuk kemi asnjë lidhje dhe asnjë konflikt interesi. Gjithashtu pro projektvendimit për administrimin e digës së liqenit nga UKT u shprehën edhe këshilltarëte LSI dhe PDIU-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat