Ikin dritat në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Veliaj: Katërfishim gjobave

Shqipëria

Ikin dritat në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Veliaj: Katërfishim gjobave

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 19:10

Këshilli bashkiak i Tiranës vendos sot për dhënien e pagesës për PAK dhe invalidët e punës, kalimin e digës së Liqenit Artificial të Tiranës në administrim të UKT-së dhe caktimin e përfaqësuesit të Bashkisë si anëtar në mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme. Debate për ashpërsimin e gjobave për ndotësit e hapësirave publike
Është mbledhur sot pasdite, në orën 17:00, Këshilli Bashkiak i Tiranës, ku pritet të merren vendime të rëndësishme.

Mirëpo, ndërprerja e energjisë e ka pezulluar atë, ndërsa disa nga këshilltarët kanë dalë jashtë sallës. Nuk dihet ende shkaku i kësaj ndërprerjeje disaminutëshe.

Në nisje të mbledhjes, u miratua rendi i ditës me tre pika: 1) dhënia e pagesës për personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës; 2) kalimi i digës së Liqenit Artificial të Tiranës në administrim të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë; dhe 3) caktimi i përfaqësuesit të Bashkisë së Tiranës si anëtar në mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme dhe anëtarëve të këshillit mbikëqyrës në Shoqërinë Ujësjellës-Kanalizime të Tiranës.

Që në nisje të mbledhjes, ka pasur debate mes të majtës dhe të djathtës për lejimin e medies, ndërsa në rendin e ditës është shtuar edhe një pikë nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ai propozoi futjen e një pike të katërt, atë të penalitetit të gjobave për ndotjen, por ndeshi në kundërshtimet e këshilltarëve të djathtë.

"Duam të sjellim pastërtinë në Tiranë dhe as që e kisha menduar që në vitin 2015, të kishte forca politike kundër pastrimit të qytetit", tha Veliaj. Sipas tij, rritja e masave ndëshkimore për shkelësit e ligjit është e nevojshme në një qytet me një nivel të tillë ndotjeje, si Tirana.

Mirëpo grupi i këshilltarëve të djathtë është shprehur kundër futjes në rendin e ditës të kësaj pike. "Ju keni nevojë për shou, s'e keni mendjen tek ndotja", u shpreh një nga këshilltarët e PD-së. Sipas tyre, mazhoranca në këshill duhet të marrë edhe mendimin e opozitës për këtë çështje.

Veliaj deklaroi ditën e djeshme se në mbledhjen e Këshillit do të propozonte rritje të sanksioneve për ndotësit. “Në disa raste do t’i kërkoj Këshilit Bashkiak të 4-fishojë gjobat për ndotësit. Po ju them që gjobat funksionojnë. Fakti që po funksion me këto gjoba minimale, me katërfishimin e gjobave do të thotë që do të funksiojë më mire”, tha ai.

Mbledhja e parë e Këshillit, e drejtuar nga kreu i Bashkisë, Erion Veliaj u mblodh më 13 gusht, ku u diskutuan dhe u miratuan çështje të rëndësishme. Njëra prej tyre ishte edhe shpërndarja e banesave sociale për 242 familje, të cilat ishin në pritje prej katër vitesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat