Akuzat e PD ndaj Metës/Vasili: Shpifje! Iliri ka tejkaluar planin e dorëheqjeve

Shqipëria

Akuzat e PD ndaj Metës/Vasili: Shpifje! Iliri ka tejkaluar planin e dorëheqjeve

Nga: Gjergj Koja Më: 3 shtator 2015 Në ora: 17:49

Shpifje i ka cilësuar Lëvizja Socialiste për Integrim akuzat që bëhen ndaj kreut të kësaj partie Ilir Meta, njëkohësisht edhe Kryetar i Kuvendit. Në një deklaratë për mediat, duke iu përgjigjur kreut demokrat Lulzim Basha, i cili kërkoi dorëheqjen e Ilir Metës nga funksionet publike dhe hetimin mbi akuzat e bëra për marrjen e një rryshfeti nga kompania që mblidhte borxhet e CEZ, kreu i deputetëve të LSI-së Petrit Vasili tha se Ilir Meta e ka tejkaluar planin e dorëheqjeve me kohë. Sipas Vasilit, vërtetësisa e shpifjeve të tilla është e njëjtë me vërtetësinë e sondazhit të SOROS në 2013. Megjithatë Vasili shprehet se është e drejtë e Bashës dhe e cilitdo tjetër si ai që të japë ose jo dorëheqjen, ndërsa garanton se çdo kërkesë e opozitës do të trajtohet me prioritet në Kuvend.

Akuzat e Bashës

Ilir Meta duhet të dorëhiqet, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm të nisë një hetim të shpejtë e serioz ndaj Ilir Metës. Kërkesa është bërë nga Kreu demokrat Lulzim Basha, sipas të cilit Kryetari i Kuvendit akuzohet se ka marrë rryshfet nga kompania DIA, e cila ishte kontraktuar nga CEZ për mbledhjen e borxheve të energjisë. “Jam sot këtu për ti kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, të nisë një hetim të shpejtë e serioz ndaj Ilir Metës, i cili akuzohet se ka marrë rryshfet nga kompania DIA, kompani që ishte kontraktuar nga CEZ, nën ndikimin e Ilir Metës për mbledhjen e borxheve të energjisë. Faktet janë tronditëse dhe të publikuara tashmë në media. Avokatët e huaj të qeverisë shqiptare që po mbrojnë çështjen e OSHEE në arbitrazh, kanë deklaruar se kanë prova që Ilir Meta ka marrë rryshfet nga kompania e mikut të tij, Ismailaj, person që gjendet aktualisht nën arrest për pastrim parash, ndërtim skeme mashtrimi dhe korrupsion.

Kompania DIA e Ismailajt u krijua enkas për këtë biznes, për të mbledhur borxhet e CEZ, sipas Agjensisë së njohur BIRN, me lobimin e drejtpërdrejtë të Ilir Metës, i cili shkoi edhe në Pragë në zyrat qendrore të kompanisë çeke, për të ndikuar në kontraktimin e firmës në fjalë.

Avokatët e qeverisë shqiptare kanë zbuluar se firma e mikut të kryetarit të Kuvendit ka përfituar miliona euro, dhe një pjesë të parave e ndante me Ilir Metën. Faktet janë publikuar. Dosja është e plotë. Çështja është shumë serioze. Siç shprehet avokatja e qeverisë shqiptare Clifford Chance, hetimi mund të zbulojë skemën më të madhe të korrupsionit dhe mashtrimit në Shqipëri.

Korrupsioni, marrja e rryshfetit, përvetësimi i miliona eurove është kthyer në normë sjellje e Ilir Metës dhe Edi Ramës, është bërë zakoni i tyre. Por kjo është e papranueshme për ne, është e papranueshme për qytetarët shqiptarë.

Ne nuk do të lejojmë që korrupsioni e rryshfeti të sundojnë vendin. Ilir Meta ia ka dalë ti shpëtojë drejtësisë më parë, duke ndikuar hetimet, për akuza shumë të rënda, duke i paracaktuar konkluzionet e hetimit me pushtetin e tij. Ndaj, Partia Demokratike, dhe unë, kërkojmë sot dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës nga posti i tij, dorëzimin para drejtësisë pa imunitet, pa pushtetin e numrit dy të vendit.

Largimi i tij nga detyra është një parakusht që çështja të zbardhet e plotë. Të shkojë para drejtësisë e të japë llogari për akuzat, si qytetar i thjeshtë. Barazia para ligjit do të arrihet me çdo çmim. Drejtësia do të vendoset me çdo mjet. Nëse Ilir Meta e ortaku i tij Edi Rama do tentojnë sërish manipulimin, do të përballen me forcën e qytetarëve të bashkuar”, theksoi Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat