E rrallë / Padit 8 kryeministra për të gjitha të këqijat që i kanë bërë Shqipërisë

Shqipëria

E rrallë / Padit 8 kryeministra për të gjitha të këqijat që i kanë bërë Shqipërisë

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 12:43

Gjykata e Lartë dërgon në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal kundër tetë kryeministrave që kanë kryesuar qeveritë shqiptare pas vitit 1990, përfshi edhe aktualin, Edi Ramën.

Gazeta “Panorama” shkruan se tetë drejtuesit e qeverive, në më tepër se dy dekada janë kallëzuar nga një qytetar, i cili i konsideron ata si përgjegjësit kryesorë për të gjitha ato që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë periudhës postkomuniste. Kallëzimi kundër Kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrave Sali Berisha, Fatos Nano, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ilir Meta dhe Ylli Bufi ishte pushuar nga Prokuroria e Durrësit më 23 korrik 2014. Kjo prokurori kishte vendosur “mosfillimin e çështjes penale për materialin e kallëzuar nga shtetasi Nikoll Prenga”.

Prenga është ankuar në Gjykatën e Durrësit kundër vendimit të Prokurorisë. Çështja ka kaluar dhe në shkallët e tjera të Gjyqësorit deri në Gjykatën e Lartë, ku më 23 qershor 2015, një Kolegj Penal i kryesuar nga gjyqtari Mehdi Bici ka vendosur: “Pranimin e kërkesës. Prishjen e vendimit të mosfillimit të procedimit penal të datës 23.07.2014 të Prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Kalimin e akteve të çështjes për kompetencë lëndore Prokurorisë së Përgjithshme”.

VENDIMI

Referuar vendimit të arsyetuar të Gjykatës së Lartë, një kopje e të cilit është siguruar nga “Panorama”, më 26 qershor 2014, “kërkuesi Nikoll Prenga ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Përgjithshme kundër shumicës së kryeministrave të shtetit shqiptar që kanë drejtuar vendin pas vitit 1990, duke i konsideruar ata si përgjegjësit kryesorë për të gjitha ato që kanë ndodhur në vendin tonë gjatë kësaj periudhe postkomuniste”.

Prokuroria e Përgjithshme ia ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Durrësit më 17 korrik 2014 dhe vetëm shtatë ditë më pas, kjo Prokurori ka vendosur mosfillim procedimi penal. Gjykata e Durrës nuk e ka pranuar ankimin e Prengës, me argumentin se në kallëzimin e tij nuk ka asnjë provë thelbësore apo të rëndësishme për të përligjur fillimin e procedimit penal. Më tej, Apeli i Durrës ka vendosur prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën e Lartë. Kolegji Penal ka vlerësuar në gjykim se disa prej personave të kallëzuar nga Prenga kryejnë funksionet e deputetit, të Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit dhe për rrjedhojë, kompetenca në lëndë për gjykimin e këtyre personave i përket vetëm Gjykatës së Lartë. “Vendimi i mosfillimit të çështjes penale i marrë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës është i pabazuar në ligj, sepse kësaj Prokurorie i ka munguar kompetenca në lëndë, e cila i përket Prokurorisë pranë Gjykatës së Lartë, prandaj kërkesa e prokurorit pranë Gjykatës së Lartë dhe e kërkuesit Nikoll Prenga, të bëra në gjyq, janë të bazuara në ligj dhe për rrjedhojë, ato duhet të pranohen”, – arsyetohej në vendimin e Gjykatës së Lartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat