Emigrantët, miratohet marrëveshja me shtetin gjerman për pensionet. Përfitojnë 20 mijë shtetas

Shqipëria

Emigrantët, miratohet marrëveshja me shtetin gjerman për pensionet. Përfitojnë 20 mijë shtetas

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 08:48

Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim e ka miratuar në parim marrëveshjen, mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, “Për mbrojtjen shoqërore dhe protokollit përfundimtar të saj”, e cila i hap rrugën njohjes së sigurimeve shoqërore për efekt pensioni për emigrantët shqiptarë që punojnë në Gjermani dhe anasjelltas. Miratimi u bë gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, ndërkohë që paralelisht me të, dokumenti të kalojë edhe në parlamentet e 2 vendeve për miratim, në mënyrë që të hyjë në fuqi.

Negociatat me shtetin gjerman u hapën në muajin janar të këtij viti, ndërsa u pasuan nga një raund i dytë bisedimesh të suksesshme, që u mbyll në muajin prill. Ashtu sikurse u bë e ditur në atë kohë, në vjeshtë pritet të mbërrijë dhe grupi i punës nga Gjermania për të përmbyllur të gjithë hapat. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, nga nënshkrimi i saj do të përfitojnë rreth 20 mijë shtetas shqiptarë që kanë derdhur kontributet e sigurimeve në Gjermani. Po ashtu, ditën e djeshme qeveria ka miratuar të njëjtën marrëveshje edhe me Çekinë, çka do të thotë se përfitues do të jenë edhe shqiptarët që punojnë e kontribuojnë në këtë shtet. Përmbajtja e plotë e këtyre marrëveshjeve pritet të zbardhet në ditët në vijim, po nëse i referohemi marrëveshjes së ngjashme të nënshkruar me Luksemburgun, atëherë pritet që ato të përfshijnë njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore të vlefshme për pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare, të derdhura nga shtetasit shqiptarë që punojnë në këtë shtet dhe anasjelltas.

Po ashtu, marrëveshja me këtë shtet do të zbatohet edhe për degët e tjera të sigurimit të detyrueshëm, e më konkretisht për: Sigurimi i sëmundjes, barrëlindjes, sigurimi i aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, sigurimi i të punësuarve, përfitimet e papunësisë dhe përfitimet familjare. Marrëveshjet Deri më tani, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për njohjen reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore me Luksemburgun dhe Turqinë, ndërkohë që vijojnë bisedimet me Rumaninë dhe Austrinë. Po ashtu, janë nënshkruan marrëveshjet me Kanadanë dhe Maqedoninë dhe pritet shumë shpejt dhe finalizimi me Hungarinë. Megjithatë, sfida më e madhe janë Italia dhe Greqia, për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë në këto vende.

Në këtë kuadër, në janar të këtij viti, kryeministri Edi Rama bëri me dije se pas vizitës së kryeministrit italian në vendin tonë, Matteo Renzi, ka nisur bashkëbisedimi për të ngritur grupet negociatore me Italinë. “Një vend ku numri i emigrantëve është i jashtëzakonshëm, ku negociatat janë më të vështira, por ku edhe mesazhi i bashkimit të shqiptarëve rreth vendit amë do të jetë shumë i fortë, pasi të gjithë ata shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, me finalizimin e kësaj marrëveshjeje, për gjithë vitet që kanë punuar në Itali dhe janë rropatur në Itali do të marrin pension italian dhe për vitet që kanë punuar në Shqipëri, pjesën tjetër. Dhe mesatarja do të jetë, sigurisht, një pension i rëndësishëm”, – tha Rama në atë kohë.

Ndërkaq, është finalizuar marrëveshja me Belgjikën, nga e cila përfitojnë 35 mijë emigrantë shqiptarë. Procedurat Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në bashkëpunim me ministrinë e linjës është duke punuar për nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh me shtete të ndryshme ku jetojnë dhe punojnë shtetas shqiptarë, me qëllim mbrojtjen shoqërore e më konkretisht njohjen reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Përmes tyre synohet që shtetasve shqiptarë që kontribuojnë në këto shtete të mos u digjet asnjë sigurim e po kështu edhe shtetasve të huaj që jetojnë e punojnë në vendin tonë. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve paraprihet nga disa raunde negociatash, ndërkohë që për shtete të ndryshme, faza në të cilat ndodhen secila prej tyre është e ndryshme.

Negociatat janë të hapura me 14 shtete, ndërkohë që vetëm njëra prej marrëveshjeve është finalizuar plotësisht e është duke u aplikuar. Bëhet fjalë për mbrojtjen shoqërore të shtetasve shqiptarë që punojnë e jetojnë në Turqi dhe anasjelltas, të cilët po përfitojnë nga marrëveshja e lidhur mes dy vendeve. Ajo hyri në fuqi në datën 15.04.2005, ndërkohë që sipas ISSH, në zbatim të saj janë kryer deri tani 500 procedura, duke realizuar kështu të drejtat e shtetasve shqiptarë dhe turq për sigurimet shoqërore/ GSH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat