Ish-Shefi i Antidrogës: Shefat e mi të përfshirë në trafiqe. Nga Borshi niseshin tonelata drogë 

Shqipëria

Ish-Shefi i Antidrogës: Shefat e mi të përfshirë në trafiqe. Nga Borshi niseshin tonelata drogë 

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 08:31

“U dhashë eprorëve 5 numrat e trafikantëve për t’i vënë në përgjim. Pas 15 ditësh të gjithë numrat ishin mbyllur. U dhashë informacion për 1 ton drogë në filan banesë në Borsh që ruhej natën nga 2 vetë me kallash. Më thanë: ‘Shkuam, s’gjetëm gjë’.”, këto janë akuzat e Dritan Zagonit, ish-Shefit të sektorit të Antidrogës në Fier, ai akuzon Policinë e Shtetit për dekonspirim.

Zagani, i cili dikur ka mbajtur dhe postin e shefit të hetimit në Drejtorinë e Kufirit në Vlorë, sot është në kërkim, pasi ka thyer “arrestin e shtëpisë” ku gjendej me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ish­-shefi i Antidrogës në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, rrëfen implikimin e drejtuesve të lartë të policisë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Në një pjesë të rrëfimit, Zagoni thotë se, “U dhashë informacion për 1 ton drogë në filan banesë në Borsh që ruhej natën nga 2 vetë me kallash. Më thanë: ‘Shkuam, s’gjetëm gjë’. Për grupin e Vlorës, homologu im i Antidrogës më tha: “Hiq dorë, e ke kot”.

Zagani u arrestua më 2 maj 2015 dhe u dyshua së pari për bashkëpunim në trafikun e narkotikëve, por kjo akuzë nuk u provua dhe më vonë u rrëzua.

Ish-shefi i antidrogës dyshohet se i ka dhënë informacione për trafikantët një oficeri të Guardia di Finanza.

Dritan Zagani, dëshmi të rënda, akuzon drejtues të policisë në Tiranë dhe Vlorë, të Prokurorisë për Krimeve të Rënda si të implikuar në trafiqe.

Në atë çka rrëfen, ai flet për laboratorët e përpunimit të heroinës në Fier, lidhjet e Antidrogës së Vlorës me trafikantët, rrugën që ndiqte droga e Lazaratit nga Borshi drejt Italisë dhe Greqisë.

Ku mbas gjithën kësaj situate të rrezikshme, frika për jetën dhe familjen e tij, bëri transferimin e këtij të fundit në Zvicër.

Si nisi karriera juaj në Policinë e Shtetit?

Kam mbaruar shkollën e Ministrisë së Brendshme, degën e policisë në vitet, ‘93­‘94, por duke qenë brezi i fundit i sistemit katërvjeçar të kësaj shkolle, vitin e fundit e kemi kryer në korrespondencë dhe në vitin 1993, jam titulluar oficer policie, me detyrë konkrete inspektor i sektorit të policisë kriminale në komisariatin e policisë Tropojë. Detyrë funksionale, që e kam kryer deri në nëntor të vitit 1996, muaj në të cilin me kërkesën time jam transferuar nga ky komisariat, për në komisariatin e policisë Vlorë. Nga komisariati policisë Tropojë në atë të Vlorës kam ardhur me ndryshim funksioni organik dhe jam emëruar një sektor tjetër, me detyrë specialist i luftës kundër narkotikëve.

Sa qëndruat në këtë detyrë?

Nga ai vit deri në vitin 2000 kam qëndruar në këtë drejtori si specialist. Në vitin 2000 jam shkëputur nga policia për nëntë vite, kohë në të cilën kam qenë emigrant ekonomik në Itali.

Përse u larguat nga detyra?

Ka qenë një urdhër i ministrit të asaj kohë, urdhër në vitin 2009, të cilin nuk e gjeta asnjëherë, me motivin se kisha kaluar kufirin shtetëror në mënyrë të jashtëligjshme. Ndërkohë unë kisha shkuar në Kosovë, në vitin 1999, për motive private, vit në të cilin edhe ishin hapur kufijtë dhe isha kthyer. Ishte më tepër një sebep për t’u hequr nga puna. Pas konflikteve që pata edhe me drejtuesit e asaj kohe në Vlorë, të së njëjtës linjë në raport me punën.

Kur u rikthyet?

Jam rikthyer në gusht të vitit 2009, jam kthyer nga Italia, dhe më 1 mars të vitit 2010, pas kërkesës sime për t’u rikthyer në polici, ka dalë urdhri i drejtorit të përgjithshëm, ku jam emëruar me detyrë përsëri në sektorin e Antidrogës, në Drejtorinë e Policisë Vlorë. Detyrë që e kam kryer për 2 apo 3 muaj deri në një moment ku me kërkesën time u transferova nga eprorët nga Srejtoria e qarkut Vlorë, në Drejtorinë e Kufirit po në Vlorë. Me detyrën e shefit të seksionit të hetimit të krimit në kufi, detyrë të cilën e kam kryer deri në tetor të vitit 2012, kohë në të cilën pa kërkesën e dijeninë time më ka dalë urdhri i transferimit nga Drejtoria e qarkut Vlorë, për në Drejtorinë qarkut Fier, si specialist i qarkullimit rrugor.

Përse?

Ka qenë një periudhë parazgjedhore, ishte disi e vështirë situata në lidhje me trafiqet e paligjshme, që zhvilloheshin kryesisht nëpërmjet detit dhe sidomos në zonën që unë mbuloja, Fier, Vlorë, Sarandë, zona e bregdetit e cila mbulohet nga Drejtoria Rajonale e Kufirit Vlorë, ku unë isha shef i seksionit të hetimit për gjithë këtë vijë bregdetare.

Sa zgjati?

Aty punova disa muaj si specialist qarkullimi, jashtë profilit të specializimit tim. Me kërkesën time, drejtori i qarkut Fier më miratoi largimin nga ky sektor dhe më komandoi në sektorin kundër krimit të organizuar. Ndodhën ndryshime? Po në vend të zotit Bozhaj, në Fier vjen drejtor i policisë së qarkut, Ervin Hodaj, i cili vinte pas një karriere të gjatë në Drejtorinë e Përgjithshme në sektorin Kundër Drogës. Reformë? Pas reformës së përfolur aso kohe pas ndryshimeve të pushteteve, drejtori Hodaj më thërret në zyrë dhe më thotë se kam vendosur të të riemëroj në atë detyrë, pasi kam pyetur dhe kam informacionin se ti mund ta bësh shumë mirë këtë detyrë të rëndësishme, duke më thënë se isha në aftësitë profesionale cilësore dhe më kërkon që të punonim së bashku sa më fort në Fier.

E nisët me vrull?

Jo, nuk e mora me eufori, pasi isha i sapoardhur në Fier dhe nuk e njihja zonën dhe terrenin aq mirë sa e njihja në Vlorë, ku kisha ushtruar aktivitetin tim profesional prej shumë kohësh. I thashë shefit se do bënim maksimumin, por i thashë gjithashtu që informacioni im ishte i shumtë për Vlorën.

Drejtori çfarë ju tha?

Nuk ka rëndësi se ku godasim, rëndësi ka të kemi rezultate konkrete dhe të godasim bazën e trafikut të drogës. Dakord i thashë drejtorit, e pranoj këtë sfidë dhe do të bëjmë maksimumin.

Si e nisët operacionin e parë?

Po e nisa me një informacion konkret për rrethin e Vlorës dhe i thashë shefit se kam një informacion shumë të fortë, që po punojnë shumë trafikantët si në drogat e lehta që ishte kanabis me origjinë nga Lazarati, po ashtu edhe në drejtim të trafikut të drogave të rënda.

Kanabis vinte nga Lazarati?

Po, vinte nga Lazarati dhe trafikohej në drejtim të Italisë dhe Greqisë, por kryesisht në Itali. E gjithë ngarkesa vinte nga Lazarati, bëhet fjalë për vitin 2013, kur unë u riemërova në detyrë në sektorin e Antidrogës në Fier.

Ishte vetëm një grup?

Jo, ishte një linjë e cila funksiononte shumë mirë për trafikantët dhe ishin disa grupe që funksiononin dhe janë ende të pagoditur dhe me një mbështetje logjistike shumë të fortë, sipas informacioneve që kisha unë dhe kolegët e mi.

Për çfarë fliste konkretisht informacioni juaj?

Fliste për një grup kriminal që transportonte tonelata marijuane nga brigjet detare me gomone, me një gomone të fuqishme, e cila mbahej në Greqi dhe vinte nëpërmjet detit deri në Borsh, në Palasë dhe ku të mundej ngarkohej, nga Llogaraja deri në Borsh, në këtë vijë bregdeti ngarkohej me drogë. Minimumi i ngarkesave ishte 1 dhe 1.2 tonë, por kam pasur të dhëna deri në 1.7 tonë një gomone 12 metra e gjatë.

Po ku merrej droga?

Sipas informacioneve të mia, trafikantët e kishin ngritur punën dhe e transportonin drogën nga Lazarati në Borsh. Pjesën më të madhe të transportit të drogës e bënin nëpërmjet linjës Gjirokastër, Fier, Vlorë nëpërmjet autostradës, por unë kisha të dhëna që e kanë sjellë edhe nga Saranda. Gjirokastër, Sarandë, Vlorë.

Sa shpesh trafikonin në këtë linjë drogë këto grupe kriminale?

Në atë periudhë, nëntor 2013 deri në maj 2015, ku unë isha në detyrë, të fiksuara janë shtatë rrugë. Ky grup ishte i mirorganizuar edhe si logjistikë, edhe si financim.

Ç’përfaqësonte ky grup?

Ky grup përfaqësonte një grup kriminal shumë të fuqishëm, me mbështetje të madhe edhe nga kolegët e mi.

Po thoni se grupi kishte në përbërje dhe ndihmohej nga policia?

Shumë të fortë e të fuqishëm në atë kohë dhe sipas informacioneve të mia, ende edhe sot.

Deri në çfarë niveli ishin të implikuar policët?

Homologu im i Vlorës, në një bisedë që unë kam zhvilluar me të gjatë kohës që isha në Fier, ku i thashë se kam të dhëna se x person, për një person që njihej për drejtuesin e këtij grupi dhe pronarin e mjetit si një nga skafistët me të mëdhenj të Vlorës, që po bën një aktivitet shumë të fortë në drejtim të trafikut. I thashë përse nuk nisni një procedim, të hetoni të bëni diçka, të dhëna mund t’jua jap edhe unë, sa të duash. Dhe ai në mënyrë konfidenciale, pasi deri në atë moment më hiqej si fort si koleg korrekt, ishte kolegu im i drejtpërdrejtë, më thotë: “Do një këshillë personale nga unë? Larg duart nga ky person dhe nga ky grup, mos u merr me këto se e ke të kot”.

Njeri i fortë i botës së krimit?

Po, shumë i fortë. Ai investon shumë dhe është i paarrestuar dhe ende në aktivitet.

Por ju nisët operacionin?

Në momentin kur kam nisur me të dhënat për këtë grup kriminal, më thërret drejtori Ervin Hodaj dhe më thotë ‘dua një informacion pikant që të zhvillojmë një operacion të bukur dhe me rezultat, një goditje të mirë’.

Si i thatë?

I thashë që kam informacion për një grup të madh në Vlorë, që përveç marijuanës po merret edhe me kokainë. Ai ka një linjë që ikën me makinën e tij private nga Vlora në Greqi. Në Greqi ka një mjet gomone me tre motorë me gjatësi 12 metra, me kapacitet deri në 2 tonë ngarkesë. Me këtë mjet vjen në Borsh, ngarkohet dhe zbarkon në Puglia dhe Leçe ku ka zonën e tij të zbarkimit. Por ka pasur kërkesa dhe për më tej. Ka pasur një mjet të fuqishëm dhe dilte edhe me det 5 ballë dhe mund ta dërgonte edhe në Kalabri zbarkimin e mallit. E mbulonte ketë aktivitet me biznes.

Në informacionet tuaja përmendej gjëkundi ky emër, nga burimet e tjera zyrtare apo konfidenciale?

Ky personazh së paku ligjërisht me aq sa unë di nuk është në asnjë biznes. Mund të them se ky është një ndër trafikantët dhe skafistët më të njohur në Vlorë dhe quhet siç e ka shkruar prokurori në aktakuzë, shtetasi A. D. Emri i tij përmendet në materialet e prokurorisë, nuk penalizohet asnjëherë. Madje, prokuroria pretendon se unë kam kryer një veprim arbitrar duke hetuar këtë shtetas jashtë territorit të kompetencës sime. Sipas prokurorisë, nëse unë marr një informacion jashtë Fierit për çështje trafiku, nuk kam të drejtë të hetoj. Në fakt, Ligji për Policinë e Shtetit ngarkon çdo punonjës policie kudo dhe kurdo që është edhe jashtë funksionit, kur vihet në dijeni për një vepër penale apo aktiviteti kriminal të shkruajë menjëherë informacionin dhe nisë menjëherë hetimin ndaj këtij aktiviteti kriminal dhe ta raportojë tek eprorët, siç unë kam vepruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat