Agjensia e Zhvillimit të Territorit, Qeveria përcakton rregullat e funksionimit dhe strukturën

Shqipëria

Agjensia e Zhvillimit të Territorit, Qeveria përcakton rregullat e funksionimit dhe strukturën

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 20:22

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij rregullat mbi funksionimin e Agjensisë e Zhvillimit të Territorit. Në bazë të vendimit agjensia do të ketë 45 punonjës, ndërsa struktura e saj miratohet nga Kryeministri, ndërsa varësia e Agjensisë është nga Ministria e Zhvillimit Urban.
Sipas këtij vendimi, Agjencia kryen funksionet e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit. Në këtë kuadër, Agjencia ka përgjegjësi për të:
a) pranuar dokumentacionin për shqyrtim dhe miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit;
b) organizuar mbledhjet e KKT-së;
c) përgatitur dhe administruar dokumentacionin që shqyrtohet në to. Agjencia ka kompetencë dhe përgjegjësi për të organizuar, drejtuar dhe bashkërenduar procesin me autoritetet e tjera përgjegjëse, në nivel qendror dhe/ose vendor, me qëllim përgatitjen për shqyrtim dhe miratim të dokumenteve në kompetencë të KKT-së, sipas parimit të shërbimit me një ndalesë;
ç) bashkëpunuar me njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera përgjegjëse për çështje të planifikimit dhe zhvillimit të territorit, që janë në kompetencë të KKT-së;
d) kryer komunikimin me palë të treta, për llogari të KKT-së;
dh) komunikuar, shpërndarë dhe botuar, në regjistrin e integruar të territorit, vendimet dhe dokumentet e miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit;
e) vënë në zbatim vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe
monitoruar zbatimin e tyre nga njësitë e qeverisjes vendore e institucionet e tjera përgjegjëse;
ë) kryer monitorimin e zhvillimeve në territor, nëpërmjet regjistrit të integruar të territorit, përgatitur raportin përkatës dhe informuar Këshillin Kombëtar të Territorit e autoritetet e tjera që kanë përgjegjësi në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit;
f) ofruar mbështetje ndaj njësive të qeverisjes vendore në proceset e tyre të zbatimit të instrumenteve të drejtimit të zhvillimit, sipas legjislacionit për planifikimin.
Agjencia siguron që dokumentet e kontrollit të zhvillimit, në nivel qendror e vendor, të jenë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe me dokumentet e miratuara të planifikimit në çdo nivel.
Agjencia, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj, ka të drejtë të marrë nga organet e tjera shtetërore, qendrore e vendore, dhe autoritetet përgjegjëse të gjithë ndihmën, të dhënat dhe dokumentet e nevojshme për ushtrimin e funksioneve që i janë caktuar.
Institucionet shtetërore kanë detyrimin të bashkëpunojnë me Agjencinë, të shkëmbejnë të dhëna e të krijojnë të gjitha lehtësitë për përmbushjen e qëllimeve e të funksioneve gjatë veprimtarisë së saj.
Me qëllim realizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, të gjitha ministritë, si autoritete kombëtare për zhvillimin e territorit, sipas fushës së përgjegjësisë, kanë detyrimin të ngarkojnë një strukturë ose person përgjegjës për rakordimin e punës me Agjencinë dhe dhënien e mendimit teknik përkatës në fushën e veprimit të sekretariatit të KKT-së. Ngritja dhe funksionimi i strukturave përgjegjëse si dhe mënyra e bashkëveprimit të tyre me Agjencinë miratohen me urdhër të Kryeministrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat