Veliaj: Do ta kthej Tiranën në qytetin më të pastër të Ballkanit

Shqipëria

Veliaj: Do ta kthej Tiranën në qytetin më të pastër të Ballkanit

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 16:28

Nis në Tiranë ditën e premte, më 4 shtator, aksioni i madh i pastrimit të kryeqytetit, një nismë e ndërmarrë kjo nga Bashkia. Dy ditë para këtij aksioni, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, ka mbledhur në një takim 24 administratorët e Tiranës, për të folur mbi aksionin e pastrimit dhe ndarjen e punëve.

Veliaj e ka konsideruar këtë nismë një provë edhe për performancën e tyre. Me këtë aksion, por jo vetëm me të, Veliaj tha se synon ta kthejë Tiranën në kryeqytetin më të pastër në Ballkan. Ndërkaq, porositi se këtë qëllim do ta arrijë edhe duke vënë gjoba.

Veliaj: Jemi shumë mbrapa me pastrimin, kërkojmë ndihmën e qytetarëve

"Jemi shumë, shumë mbrapa me pastrimin. Edhe gjermanët e paguajnë taksën e pastrimit megjithatë sa herë që lind nevoja, bëjnë punë vullnetare. Ndaj dhe unë besoj se taksa modeste 450 lekë që paguan çdo familje, krahasuar me punën gjigande dhe monumentale që duhet për të hequr papastërtitë nga Tirana nuk është në përputhje, dhe kurrë nuk do të advokojmë rritjen e taksave, por sigurisht që do të advokojmë rritjen e kontributit qytetar dhe kjo është arsyeja se pse do të kërkojmë edhe ndi hmë vullnetare nga qytetarët," tha Veliaj.

Kryetari i Tiranës paralajmëroi edhe kompanitë e pastrimit që kanë një kontratë me Bashkinë se do të kalojnë në filtrin e një testi, ku vlerësues i punës së tyre do të jetë qytetari. Çdo kompani që vlerësohet nën mesatare nuk do mund të aplikojë sërish për kontratë në Bashkinë e Tiranës.

Veliaj: Kompanitë e pastrimit do të vlerësohen nga qytetarët

"Do t’i kërkoj të gjithë kompanive që kanë kontrata me qytetin që në ditën e pastrimit duhet të shumëfishojnë forcat dhe të nxjerrin të gjithë flotën e tyre, dhe të gjithë mjetet, gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në secilën prej lagjeve dhe njësive administrative, 24 orë. Pra nëse për qytetarët aksioni nis në orën 9 dhe zgjat d isa orë, për të gjitha kompanitë e pastrimit aksioni është 24 orë atë ditë. Pas aksionit të Pastrimit, ne do të fillojmë ashtu siç kam premtuar, një sondazh në të gjitha lagjet e Tiranës, dhe në mënyrë transparente në fund të shtatorit do të informoj çdo kompani se çfarë note iu kanë dhënë qytetarët për mënyrën se si po pastrohet qyteti. Pra pasi të mbarojmë këtë pastrim gjeneral, çdo kompani do të jetë në vlerësimin e qytetarëve", tha Veliaj.

Ndërkohë kryebashkiaku i Tiranës paralajmëroi qytetarët se në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak do të katërfishojë gjobat kundër atyre që ndotin qytetin.

Veliaj: Do të katërfishohen gjobat për ndotësit në Tiranë

"Në disa raste do ti kërkoj Këshillit Bashkiak ti katërfishojë gjobat për ndotësit. Po ju them se gjobat po funksionojnë, shkoni shikoni sot Lanën, mezi kem i kapur një, do të thotë që po funksionon. Ne mund të kemi qytetin më të pastër në Ballkan ashtu si e kemi ambicien", tha kryebashkiaku Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat