Tekstet shkollorë, si ndryshojnë çmimet nga vjet

Shqipëria

Tekstet shkollorë, si ndryshojnë çmimet nga vjet

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 10:35

Pikat e shitjes, ku është programuar të bëhet shpërndarja dhe shitja e librave shkollore, nga dje kanë nisur të furnizohen, ndërkohë duket se procesi do nisë në datën 5 shtator. Edhe pse në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit është parashikuar që ky proces të nisë në datën 1 shtator, duket se vonesa vjen për shkak të futjes në sistemin arsimor të teksteve të reja për klasat e para dhe të gjashta në arsimin 9-vjeçar. Zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj konfirmon për “Shekulli”-n lajmin, duke shtuar se në shkolla është lëshuar njoftimi që i informon prindërit për këtë spostim të datave.

“Procesi shtyhet me 3-4 ditë dhe ai do të vijojë deri në ditën e fillimit të mësimit për nxënësit në arsimin bazë.Tashmë, ka nisur shpërndarja e teksteve në pikat përkatëse dhe këtë vit çmimet e librave nuk pësojnë ndryshime të mëdha, me përjashtim të lëndëve shtesë, si gjuha e huaj etj.” shprehet Malaj, ndërsa shton se këtë vit, bazuar edhe në ligjin e arsimit parauniversitar, të miratuar në parlament, tekstet alternative janë reduktuar, duke e çuar në 3 numrin përfundimtar të tyre në të gjitha shkollat e vendit.

Sa i përket fondit të akorduar prej 2.2 milionë eurosh, për kategoritë e veçanta që do të përfitojnë tekste falas, Malaj thotë se “fillimisht do të përpilohen listat, për të gjithë emrat, të cilët preken nga vendimi. Më pas, do të bëhet edhe kompensimi i tyre, sipas faturës që ata do të dorëzojnë. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit shkollor, tekste falas do të shpërndahen edhe për grupimin e fëmijëve të trafikuar, fëmijët e policëve të vrarë etj. Për të gjitha grupet që përfitojnë si dhe mënyrën apo afatet se kur do kryhet procesi, ai sqarohet edhe në vendimin e Qeverisë.

Çmimet

Sa i përket përplasjeve apo polemikave të mundshme, lidhur me çmimet apo përzgjedhjen e shtëpive botuese, Malaj tregon se kjo nuk do të ndodhë, pasi tekstet që janë eliminuar dhe ato që do të hyjnë në sistem këtë vit janë përzgjedhur nga mësuesit dhe drejtoritë arsimore e shtëpitë botuese kanë rënë dakord për to. Ajo që bie në sy në librat që kanë marrë tashmë pikat e shitjes, është diferenca në çmim mes teksteve deri në 300 apo 400 lekë.

Kështu nëse Teknologjia e klasës së pestë kushton 130 lekë, çmimi për lëndën e Matematikës, për të njëjtën klasë arrin në 450 lekë. Por, shqetësim për xhepat e prindërve duket se këtë vit do të jenë lëndët e gjuhëve të huaja, të cilat janë përzgjedhur nga metodat që serviren nga shtëpitë botuese të huaja, çmimi i të cilave rrit ndjeshëm vlerën e çantës së fëmijëve që shkojnë në shkolla. Një variant i Gjuhës angleze kushton deri në 1000 lekë, ai i Gjuhës gjermane 970 lekë, por nuk mbeten pas dhe lëndët e tjera, kryesisht të klasës së parë, të cilat arrijnë deri në 560 lekë (Matematika). Në listën e librave, duke iu referuar varianteve të së njëjtës lëndë të lëshuara nga shtëpitë botuese, çmimet janë të përafërta, duke mos krijuar diferenca, edhe sikur kusht për përzgjedhjen të bëhej pikërisht vlera monetare e tij.

Edhe punonjësja në pikën e shitjes pranë shkollës “Edit Durham” teksa merr inventarin e lëndëve që vijnë aty tregon se çmimet janë të ngjashme me vitin e kaluar, megjithëse ende nuk kanë mbërritur të gjitha lëndët, të paktën për një grupmoshë, për të bërë llogaritjen e plotë. Ajo shton se ende nuk ka nisur procesi i shpërndarjes, për të parë edhe reagimin e prindërve. Këta të fundit, me shumë gjasë do të ankohen, pasi buxheti i familjeve duket se do ta përballojë me vështirësi blerjen për fëmijët, sidomos për ata që kanë më shumë se një të tillë.

Në udhëzimin e MAS, përcaktohet se çdo shkollë, u vë në dispozicion falas personave të ngarkuar nga shpërndarësit e rrethit (librashitësit), një ose dy klasa të sigurta për shitjen e teksteve shkollore me hologramën e MAS-it. Veç teksteve të reja për nxënësit e klasave të para dhe të gjashta, librat shkollorë për klasat e tjera, pra tekstet për nxënësit nga klasa e 2-5 dhe nga klasa e 7-12, do të kenë një rritje të lehtë, e cila është llogaritur në bazë të inflacionit të vitit 2014. Në katalogun e teksteve shkollore është përcaktuar se “çmimi për tekstet shkollore 2015, është indeksuar me vlerën e inflacionit 31.12.2014 referuar INSTAT-it, 0.7 për qind”

Përzgjedhja

Edhe këtë vit, përzgjedhja e teksteve shkollore u bë nga mësuesit në të gjitha shkollat e vendit, nëpërmjet plotësimit të një formulari dhe kjo, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, është bërë me qëllimin për eliminimin e pretendimeve të mundshme nga prindërit, politika, shtëpitë botuese etj. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, gjatë procesit të përzgjedhjes së teksteve shkollore të reja nuk lejohet asnjë veprimtari e shtëpive botuese, që ka për qëllim publicitetin e teksteve të tyre. Çdo ndikim në proces nga shtëpitë botuese sjell përjashtimin e teksteve të tyre nga procesi i përzgjedhjes.

Rregullat e reja i ndalojnë punonjësit e MAS-it dhe të institucioneve të varësisë të ndikojnë në procesin e përzgjedhjes së teksteve shkollore nga mësuesit. Gjithashtu, rregullorja përcakton se tekstet e mësuesve dhe të drejtuesve të shkollave nuk duhet të përzgjidhen nga shkollat në të cilat ata punojnë. Drejtori dhe punonjësit e Drejtorisë Arsimore, si dhe drejtuesit e shkollave e kanë të ndaluar të bëjnë presion apo të ndikojnë te mësuesit në përzgjedhjen e teksteve shkollore. Atyre nuk u lejohet favorizimi i shtëpive botuese apo i autorëve të veçantë, si dhe dallimi i teksteve të veçanta në raport me të tjerat.

Shkollat profesionale, rriten kërkesat

Gjatë ditës së djeshme në të gjitha shkollat profesionale të kryeqytetit janë shënuar 409 regjistrime të reja. Sipas drejtorive arsimore, por edhe Ministrisë së Mirëqenie Sociale dhe Rinisë, kjo është një shifër rekord, teksa interesi që nga viti i kaluar ka ardhur në rritje. Politikat qeverisëse, por edhe kërkesat e vendeve të zhvilluara për krah të kualifikuar pune, duket se kanë nxitur të rinjtë shqiptarë që ta kthejnë vëmendjen pikërisht nga arsimi profesional.

Kjo pasi nga të dhënat paraprake nga dita e parë e regjistrimit në shkollat profesionale të Tiranës është vënë re një fluks shumë i lartë i të rinjve që kërkojnë të ndjekin këtë lloj arsimi, me qëllimin e vetëm për të marrë një profesion të caktuar, çka mund t’u garantojë nesër një punë të sigurt. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Profesional në kryeqytet bëjnë të ditur çeljen e regjistrimit të nxënësve në shkollat e arsimit profesional dhe vetëm në ditën e parë janë regjistruar 409 nxënës. Më konkretisht, numrin më të madh të të regjistruarve e zë shkolla e mesme profesionale në Kamëz. Në këtë shkollë raportohet se janë regjistruar 109 nxënës.

Më pas vjen shkolla e ndërtimit “Karl Gega”, me 90 të regjistruar dhe pastaj me radhë, në shkollën elektrike “Gjergji Canko” 76 nxënës, në Hoteleri-Turizëm, 75 nxënës të regjistruar dhe në shkollën e mesme ekonomike, 58 nxënës. Ndërkohë, në të gjitha shkollat profesionale të vendit në këtë vit të parë numri i të regjistruarve ka shkuar në afro 1600. Një kërkesë e lartë kjo, që duket se kalon edhe përtej pritshmërive.

Orientimi i të rinjve drejt atij lloj arsimi që të jep një zanat, ka qenë në prioritetin e qeverisë dhe në veçanti të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, prej dhe nga varen shkollat profesionale. Që nga viti i kaluar u lidh marrëveshja për të deleguar shkollat profesionale, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në varësi të MMSR-së. Duket se fushata që zhvilloi MMSR, si dhe orientimi për t’i orientuar të rinjtë drejt një zanati, ka arritur të japë frytet e saj, teksa arsimi profesional, kishte krijuar një hendek të madh, që pas vitit 1990.

Standardet për shkollat

Ministria e Arsimit ka publikuar dje udhëzuesin për projektimin e ndërtesave shkollore, ku përcaktohen normat dhe standardet e ambienteve të jashtme dhe të brendshme. Në shkresën drejtuar, Bashkive, MAS u kërkon të gjithë subjekteve, të përfshirë në procesin e planifikimit dhe ndërtimit të shkollave, apo në rehabilitimin e objekteve ekzistuese, të hartojnë dhe të marrin në dorëzim projektet, sipas normave të reja.

Tekstet falas

Familjet me më shumë se dy fëmijë do të përfitojnë tekstet shkollore falas për fëmijën më të vogël. Po ashtu, nga vendimi i qeverisë, lëndët mësimore do të jenë pa pagesë edhe për romët, viktimat e trafikimit, fëmijët që kanë të paktën një prind invalid, fëmijët e policëve të vrarë etj. Qeveria ka akorduar për këto kategori një fond që kap vlerën 2.2 milionë euro.

Fituesit e Maturës

Studentët fitues në universitetet publike do të shpallen këtë javë. Rreth 30 mijë maturantë garojnë për të fituar studimet e larta në universitetet publike, por jo të gjithë do të kenë shansin që të fitojnë një të drejtë studimi, pasi qeveria për vitin e ri akademik 2015­2016 miratoi 19.651 kuota pranimi. Përzgjedhja e fituesve do të bëhet nëpërmjet rezultateve në provimet e maturës dhe plotësimit të formularëve A2 dhe A3.

Provimet e vjeshtës

Deri në datën 11 shtator do të zhvillohen provimet e vjeshtës, si për nxënësit e shkollave të arsimit 9-vjeçar, ashtu edhe për ata të gjimnazeve. Për këta të fundit, të cilët kanë mundësinë e dytë për të hyrë në universitet, duket se rregullat do të jenë më të forta. Në rast se ata do të marrin notë kaluese në testim, do të duhet (sipas dëshirës) të plotësojnë formularin A3, që del pas shpalljes së fituesve të parë të Maturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat