Tatimet në sulm, kupon edhe për dy banane. Ja gjobat për bizneset

Shqipëria

Tatimet në sulm, kupon edhe për dy banane. Ja gjobat për bizneset

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 08:54

Teksa aksioni i paralajmëruar kundër informalitetit dhe evazionit fiskal ka nisur tashmë, në rrugët e Tiranës vështirë se hasje biznese të cilat nuk kishin kasë fiskale. Ajo me çfarë një blerës i thjeshtë “habitej” sot ishte këmbëngulja nga ana tjetër e banakut që të tërhiqet kuponi tatimor.
Shumica e njerëzve që në mëngjeset e tyre kishin rutinën e të bërit pazar tregojnë se tashmë edhe bulmetin, frutat dhe perimet i marrin me kupon tatimor. “Kurrë nuk kisha blerë një kg. domate me kuponin përkatës”- tregojnë ata.
Nga ana tjetër, një numër i konsiderueshëm i bizneseve si dyqane veshjesh apo konfeksionesh, bar-kafe, dyqan lulesh, dyqanet e kompanive celulare tregojnë për Monitor se asgjë nuk ka ndryshuar me ardhjen e 1 shtatorit, duke qenë se kanë qenë të pajisur me kasë fiskale që në fillimet e aktivitetit të tyre tregtar.
Megjithatë, ishte thuajse e pamundur që të mos hasje biseda nëpër dyqane të ndryshme rreth këtij aksioni. Shitësit shpreheshin se kanë vendosur edhe një fletë të ngjitur në dyqane (përgjithësisht ato ushqimore apo fruta-perime) që shkruajnë qartësisht, me germa të mëdha: “Klientë, ju lutem merrni kuponin tatimor”.
Një shitëse pranë rrugës “Sami Frashëri” në kryeqytet, teksa po peshonte artikullin e kërkuar, në mënyrë të menjëhershme preu kuponin tatimor dhe e vendosi brenda qeses, duke i thënë blerësit: mbaje se edhe juve ju kontrollojnë. Gjithçka për dy banane me vlerë 80 lekë.
E njëjta situatë në tregun e fruta-perimeve pranë Vasil Shantos, një amvisë i shtoi shportës së saj të konsumit për sot një kg.domate, për të cilat, për herë të parë, iu vendos kuponi tatimor, për një vlerë prej 60 lekësh.
Nga vëzhgimi i shkurtër i këtij mëngjesi, dyqanet e vogla mbartnin shqetësimin e kësaj “euforie” të kontrollit dhe ndëshkimit, teksa bizneset më të mëdha shpreheshin të qetë: 1 shtatori u dukej i njëjtë si çdo ditë tjetër.
Penalitetet për biznesin dhe klientët
Udhëzimi i ri që përcakton procedurat se si tatimorët e terrenit duhet të kontrollojnë biznesin, që hyri në fuqi një muaj më parë, tregon format se si ky kontroll duhet realizuar për vendndodhjen, regjistrimin, numrin e punonjësve të biznesit, si dhe përdorimin e kasës fiskale.
Sipas këtij udhëzimi, konstatimi që në herën e parë se mungon pajisja fiskale apo mospërdorimi, ka një gjobë në masën e 50 mijë lekëve. Konstatimi i të njëjtës shkelje për herë të dytë, vendos një masë më të rëndë, atë të konfiskimit të të gjithë sasisë së mallit.
Ndërsa, udhëzimi saktëson se vazhdimi i kësaj shkeljeje, i përsëritur, konsiderohet evazion tatimor dhe vijon procedimi penal. Për moslëshimin e kuponit tatimor nga bizneset, gjoba shkon nga 200 mijë lek për subjektet e tatim fitimit dhe 50 mijë lekë për bizneset e tjera.
Sipas udhëzimit, edhe mallrat që kapen gjatë transportit të pashoqëruara me faturë tatimore do të konfiskohen menjëherë. Një tjetër sanksion ndaj bizneseve është parashikuar në rastet kur nuk mban dhe mirëmban në kushte pune pajisjet fiskale ose sistemet e monitorimit të qarkullimit, me gjobë në masën 40 mijë lekë dhe kur nuk njofton për difekt në kasën fiskale, në masën 25 mijë lekë.
Mosmarrja e kuponit tatimor , sipas nenit 124 të ligjit për Procedurat tatimore, për një individ, blerës gjobitet në masën 1 mijë lekë. Udhëzimi thotë se Blerësi ose përfituesi i shërbimit, duhet ta kërkojë atë në kohën e realizimit të shitjes apo të kryerjes së punimit ose shërbimit . Në të kundërt, në rast kontrolli nga tatimoret, n.q.s nuk ka kupon tatimor, dënohet me gjobë me 1 000 lekë.
Reagimi i kryeministrit
"Po vjen era shtet. Nuk po e teprojmë aspak me hekurat në duar"- tha kryeminstri Rama gjatë ditës së parë të aksionit kundër evazionit fiskal në vend. Më tej ai garantoi se ky aksion nuk është kundër biznesit të ligjshëm, por do të penalizojë të gjithë ata që shkelin ligjin. Kryeministri apeloi qytetarët të refuzojnë të paguajnë nëse nuk u japin kuponin tatimor.
"Të këndosh këngën e flamurit e të mos paguash taksat është shfaqja më kuptimplotë e hipokrizisë ndaj vendit tënd. Prandaj nëse i them sot qytetarëve të këtij vendi se kur refuzoni të paguani një mall apo një shërbim pa e marrë kuponin tatimor, ju bëheni pjesë në një përpjekje patriotike, sepse refuzoni hajdutërinë, që e pengon vendin tonë në rrugën e civilizimit të mëtejshëm. Refuzoni mënyrën e trishtueshme të të jetuarit prej vitesh duke ja hedhur njëri-tjetrit, sepse ky vend nuk bëhet, s’na mbetet gjë tjetër vetëm t’ja fusim njëri-tjetrit dhe pastaj shohim. Refuzoni inercinë e të shkuarit përpara duke dëmtuar të ardhmen e vendit, familjes e fëmijëve tuaj"- tha Rama.
Njësoj si bëri me aksionin kundër vjedhësve të energjisë, kryeministri organizoi një event ku ishin të pranishëm disa ministra dhe drejtues institucionesh të rëndësishme. Gjatë fjalës së tij Rama paralajmëroi tatimorët për respektimin e kodit etik në këtë aksion dhe foli për hapjen e një shkolle nate për ata./Lapsi.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat