Vijon operacioni në Dukagjin, vetëm në mëngjes u asgjësuan 34 parcela me kanabis

Shqipëria

Vijon operacioni në Dukagjin, vetëm në mëngjes u asgjësuan 34 parcela me kanabis

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 02:31

(E plotësuar) Prej orës 07:00 ka nisur dita e dytë e operacionit masiv antikanabis në zonën e Dukagjinit.

Policia e Shkodrës njofton se operacioni sot do të shtrihet në fshatrat Kasnec, Mgullë, Xhan, Poq dhe Kir të njësisë administrative Pult.

”Deri tani janë evidentuar 34 parcela me 3.780 bimë. Në terren veprojnë 400 forca policore të ndara në 25 grupe pune. Në operacion veprojnë forcat speciale Renea, Fnsh-të dhe policia lokale Shkodër. Operacioni drejtohet nga Drejtori i FLO dhe Drejtori i Policisë Shkodër. Forcat gjatë natës janë dislokuar në zonën e Pogut”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme blutë kanë shkatërruar 173 parcela me 32.676 bimë kanabis në territorin e fshatrave Plan,Gjurë, Kujë dhe Temal.

Nis dita e dytë e operacionit masiv antikanabis në Shkodër

Ka nisur dita e dytë e operacionit antikanabis në Dukagjin të Shkodrës. Prej orës 07.00 të ditës së sotme, aksioni është përfshirë në fshatrat Kasnec, Mgullë, Xhan, Pog dhe Kir të njësisë administrative Pult.

Në njoftimin e policisë thuhet se deri tani janë evidentuar 34 parcela me 3780 bimë narkotike. Po sipas policisë, në terren veprojnë 400 forca policore të ndara 25 grupe pune. Në operacion janë të përfshira forcat speciale RENEA, FNSH dhe policia e Shkodrës.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme blutë kanë shkatërruar 173 parcela me 32.676 bimë kanabis në territorin e fshatrave Plan, Gjurë, Kujë dhe Temal.

Operacion masiv antikanabis në Veri

Në Shqipëri, policia nisi sot një tjetër operacion masiv për shkatërrimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike në Veri të Shqipërisë. Operacioni i sotëm është përqendruar në dy prej ish komunave malore të Dukagjinit, në atë të Planit dhe atë të Pultit, dhë në të janë angazhuar të paktën 400 forca policore e 60 automjete. Për shkak të vështirësive të shumta të terrenit malor dhe sigurisë së tyre, në operacion janë përfshirë edhe forcat speciale të policisë “Renea” si dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa nga ajri po jepet mbështetje me 2 helikopterë, që transportojnë trupat “Renea” drejt zonave më të vështira.

Gjatë paradites së sotme, forcat e policisë arritën të asgjësojnë me djegje 109 parcela me 11 450 rrënjë të bimës narkotike cannabis sativa, ndërkohë që operacioni është në vazhdim e sipër në zonën e Pultit, Gjurës dhe Temalit.

Ky është operacioni i dytë masiv antidrogë që policia shqiptare ka ndërmarrë , gjatë javëve të fundit, në zonën malore të Dukagjinit, ku mendohet se gjendet edhe numri më i madh i parcelave të mbjella me bimë narkotike në zonën Veriore të Shqipërisë.

Në operacionin e parë masiv antidrogë, që nisi me 8 gusht të po këtij viti, dhe që u përqendrua në ish komunat malore të Shalës e Shoshit në Dukagjin, policia asgjësoi më shumë se 250 parcela me rreth 35 mijë bimë narkotike. 224 prej këtyre parcelave ishin identifikuar më parë përmes ajrit, me ndihmën e helikopterëve të specializuar të policisë italiane.

Operacionet antikanabis në zonën e Dukagjinit paraqesin shkallë të lartë vështirësie për policinë për shkak të terrenit tepër malor dhe të pyllëzuar, shtrirjes së madhe të territorit ku kultivohen bimët narkotike, por edhe largësisë së tyre nga zonat e banuara. Shumica e parcelave të drogës gjenden në toka pa pronar, çka e ka vështirësuar punën e policisë për identifikimin dhe arrestimin e kultivuesve të drogës.

Vitin e kaluar, gjatë operacioni të ngjashëm me atë që po zhvillohet në zonën e Dukagjinit, forcat e policisë u goditën me armë nga një grup i armatosur, i cili qëlloi edhe një prej helikopterëve të përfshirë në operacion, duke e dëmtuar dhe shtyrë të bëjë zbritje të detyruar.

Që nga fillimi i këtij viti, në tre rrethet e Qarkut të Shkodrës; në Pukë, Malësi të Madhe dhe Shkodër, forcat e policisë kanë shkatërruar rreth 1000 parcela me bimë narkotike, duke shkatërruar me djegje më shumë se 140 mijë bimë narkotike, çka vazhdon ta renditë edhe këtë vit Qarkun e Shkodrës në krye të zonave, që vazhdojnë të kultivojnë bimët narkotike në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat