Basha: S’ka koalicion me Ramën apo Metën

Shqipëria

Basha: S’ka koalicion me Ramën apo Metën

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 23:14

Nuk do të ketë asnjë koalicion për të qeverisur vendin me Edi Ramën apo ilir Metën. Kështu u shpreh kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili gjithashtu ka konfirmuar se ka një kohë shumë të gjatë që nuk ka kontaktuar as me ish-mikun e tij, Meta. Basha nuk e ka mohuar faktin se, një politikan perëndimor i ka shkuar në zyrën e tij, në Bashkinë e Tiranës dhe i ka propozuar një koalicion bashkëqeverisës me Edi Ramën, me qëllim bërjen e reformave të mëdha në vend.

Intervista e Bashës për Çim Pekën

Zoti Basha përshëndetje. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, paraardhësi juaj zoti Berisha, është shprehur për zgjedhjet lokale, në fakt një shprehje surprizë, pasi me sa mbaj mend unë në 25 vjet zoti Berisha nuk ka pranuar ndonjëherë se i ka humbur zgjedhjet në opozitë. Megjithatë është shprehur konkretisht, në vlerësimin tim PD-ja i humbi zgjedhjet, Rama u plagos rëndë. Zoti Basha a i ka humbur Partia Demokratike zgjedhjet lokale?


Se çfarë ishin zgjedhjet e 21 qershorit e ka thënë fare qartë raporti i OSBE-ODHIR-it paraprak. Raporte të cilat janë të kufizuara në vlerësimin e tyre, i dënuan këto zgjedhje si një proces që minoi besimin e publikut shqiptar në integritetin e zgjedhjeve dhe nuk përmendi për asnjëherë të vetme zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo sepse jo vetëm OSBE-ODHIR-i por i gjithë faktori ndërkombëtar, ambasadat e huaja në Tiranë, ishin në këmbë dhe vëzhguan me sytë e tyre dhunimet e njëpasnjëshme të procesit zgjedhor, që kulminuan ditën e zgjedhjeve, e në veçanti shtyllat kryesore të kapjes dhe rrëzimit të zgjedhjeve të 21 qershorit, që ishin shit-blerja masive e votës, kandidimi dhe përfshirja e elementit kriminal nga ana e mazhorancës nga jugu në veri, përdorimi i parave të pista të krimit dhe korrupsionit, dhe presioni i jashtëzakonshëm ndaj votuesve dhe ndaj administratës publike në një përmasë të pa-dokumentuar nga asnjë raport i OSBE-ODHIR-it në 25 vite zgjedhjesh të lira dhe të ndershme. Opozita i ka denoncuar dhe tashmë i ka faktuar këto shkelje, duke dërguar një raport të hollësishëm pranë gjithë institucioneve ndërkombëtare. Në këtë shtrat dhunimesh flagrante të standardeve zgjedhore u zhvilluan zgjedhjet e 21 qershorit. Partia Demokratike dhe unë, dhe askush tjetër nuk ka folur asnjëherë për fitore në zgjedhjet e 21 qershorit. Natyrisht në kontekstin e dhunimeve kemi folur për rezultatin, i cili pavarësisht dhunës, shitblerjes së votës, përdorimit të kontingjentit kriminal, përdorimit si asnjëherë të administratës publike, blerjes dhe falsifikimit të kartave të identitetit, falsifikimit të listave zgjedhore, i cili siç u faktua dhe nisi dhe procesi në prokurori. Pavarësisht prej të gjitha këtyre qeveria pati një rënie domethënëse të mbështetjes në vota ndërkohë që opozita pati një rritje të rezultatit krahasuar me vitin 2013.


Megjithatë zoti Basha pyetja është krejt konkrete, i keni humbur apo jo zgjedhjet e 2015?


Dhe përgjigja ime është mjaft konkrete të flasësh për një proces kaq kompleks, aq më shumë të dhunuar siç u dokumentua nga raporti paraprak i OSBE-ODHIR-it dhe presim për pak javë raportin përfundimtarë, për rezultatin e zgjedhjeve si një vezë është zier apo nuk është zier akoma, për mendimin tim është e gabuar. Partia Demokratike dhe unë jemi të zotuar të lexojmë kuti më kuti rezultatin e zgjedhjeve dhe nga ky lexim të nxjerrim konkluzionet tona edhe për sa i përket të metave tona, gabimeve tona, do marrim përgjegjësitë tona. Por askush të mos kujtojë se kjo do të bëhet jashtë analizës së shkaqeve objektive të dokumentuara ndërkombëtarisht të kapjes dhe rrëzimit të zgjedhjeve të 21 qershorit.

Kush shprehet se Partia Demokratike nuk i ka fituar zgjedhjet?


Askush nuk ka thënë, as unë as dikush tjetër nuk ka thënë që Partia Demokratike ka fituar zgjedhjet, kjo më duket është një stilemë e stisur për të hequr vëmendjen nga fakti që zgjedhjet e 21 qershorit morën një goditje vdekjeprurëse për demokracinë nëse nuk ndërmerren hapat që komuniteti ndërkombëtarë sugjeron, që OSBE-ODHIR-i në raportin e tij sugjeron. Me këtë rast dua të përfitoj për të konfirmuar publikisht që Partia Demokratike është e angazhuar të zbatojë me përpikmëri rekomandimet e OSBE-ODHIR-it në raportin përfundimtar.


Parashtruat kontestimet tuaja në mënyrën se si janë zhvilluar zgjedhjet lokale të 2015, megjithatë kemi një rezultat zyrtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zoti Basha a i kontestoni apo i njihni këto zgjedhje?


Qëndrimi ynë për këto zgjedhje është fare i qartë, standardet u rrëzuan zgjedhjet u kapën, rezultati është produkt i kësaj kapjeje. Nuk ka dhe nuk mund ti kërkohet në asnjë mënyrë të PD-së të certifikojë dhunimin e zgjedhësve, intimidimin e tyre. Në Vorë vëzhguesit ndërkombëtarë ambasadat e akredituara në Tiranë, panë se si familje të tëra nuk u lejuan të dilnin nga shtëpia për të votuar, imagjino se çfarë ka ndodhur në qytetet dhe fshatrat e thella të tjera të Shqipërisë. Do të ishte naive të pritej nga opozita certifikim apo pranim i këtyre shkeljeve dhe dhunimeve të standardeve zgjedhore.


Zoti Basha ju keni folur paraprakisht për hartën elektorale e cila e ka paravendosur rezultatin në tavolinë, po flisni dhe po shtroni kontestimet tuaja lidhur me procesin zgjedhor gjatë ditës dhe para zgjedhjeve. Zoti Basha a keni përgjegjësi ju i kryetar i PD-së që nuk arritët të parandalonit dyshen Rama-Meta, për të paracaktuar hartën dhe rezultatin në tavolinë siç pretendoni ju?


Përgjegjësitë e mia si kryetar i PD-së dhe i opozitës i kam ushtruar në mënyrë të plotë. Pyetja shtrohet, a mbeti alternativë pa u ezauruar? Po të keni një prapakthehu të shkurtër se çfarë ndodhi në këtë 1 vit e gjysmë që kur u propozua rindarja e Shqipërisë do të shikoni që opozita, PD unë personalisht disa herë ju drejtuam mazhorancës, me kërkesën dhe ftesën për të bashkëpunuar me konsensus për një hartë realiste që do të adresonte problemet e pushtetit vendor , duke e sjellë pushtetin vendor më afër qytetarëve, por dhe duke e pajisur dhe me një fuqi më të madhe ligjore dhe me fuqi dhe më shumë mjete financiare për t’iu përgjigjur nevojave të tyre. Por e vetmja axhendë që kishte dyshja Rama-Meta, ishte të bënte një hartë politike, një tortë elektorale, me anë të së cilës të uzurponin edhe pushtetin vendor, pas kapjes së çdo instance të pushtetit qendror pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Mohuan konsensusin me opozitën, mohuan bashkëpunimin dhe sollën një hartë pa ligjin e pushtetit vendor, një hartë e cila sot peshon mbi qytetarët shqiptarë. Sot një muaj pas certifikimit të shumicës së kryetarëve të Bashkive nga KQZ-ja dhe marrjes së detyrave shohim se jo vetëm nuk ka përmirësim të shërbimit ndaj qytetarëve po ka një përkeqësim, i cili më vjen keq ta them do vijë duke u thelluar, sepse kjo ndarje nuk mori parasysh interesat e qytetarëve. Ne ju bëmë thirrje pushtetit vendor qytetarëve që të ngriheshin kundër kësaj harte, u ngritëm në protesta, hartuan peticione, kërkuan zhbërjen e hartës përmes referendumeve, të cilat për fat të keq nën trysninë e oligarkisë, njëra pas tjetër dështuan si përpjekje. E vetmja përpjekje që mbeti pa u provuar ishte bojkoti i zgjedhjeve të 21 qershorit.


Zoti Basha ju jeni shprehur se nuk do të ketë zgjedhje me këtë hartë elektorale. Zgjedhje kishte, rezultati është ky që është, diferenca mes opozitës dhe mazhorancës është pothuajse diferenca e vitit 2013, a mbani ju përgjegjësi zoti Basha si kryetar i opozitës?


Faktet nuk janë këto që thoni ju për sa i përket rezultatit, por le të mbetemi tek procesi. Unë kam thënë që nuk do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me këtë hartë dhe parashikimi im, paralajmërimi im për fat të keq është provuar katërcipërisht tashmë nga qytetarët shqiptarë dhe nga institucionet ndërkombëtare.


Unë mbaj mend se keni thënë që nuk do të ketë zgjedhje me këtë hartë?


Nuk do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, me këtë hartë nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sigurisht duke i shkuar deri në fund me kokëfortësi rrugës arbitrare dhe të padrejtë që zgjodhën dyshja Rama-Meta shpresuan se do të provokonin një bojkot nga ana e opozitës, me anë të së cilit do ta kishin shumë më të lehtë të përligjnin zullumin e madh elektoral të zgjedhjeve të 21 qershorit dhe në të njëjtën kohë të mos linin asnjë gjurmë, pra të vidhnin pa lënë shenjat e gishtërinjve. Sot hajdutët dhe shkatërruesit e zgjedhjeve të 21 qershorit janë fotografuar identifikuar dhe shpallur si të tillë. Përgjegjësia për shkatërrimin e zgjedhjeve të 21 qershorit është e Ilir Metës dhe Edi Ramës, e Edi Ramës dhe Ilir Metës, të cilët veç e veç dhe së bashku ngritën standard të papara kriminalizimin e zgjedhjeve dhe shitblerjen e votës. Këto tashmë nuk janë vetëm paralajmërime apo frikë e opozitës, por janë konstatime të institucioneve ndërkombëtare, që të ishin të pamundura të ishin të zezë mbi të bardhë siç janë sot, nëse opozita do të kishte zgjedhur ti largohej procesit zgjedhor. Prandaj nuk kam asnjë pishman që i kam shkuar këtij procesi deri në fund, që opozita i ka shkuar këtij procesi deri në fund, që aty ku me forcën e qytetarëve ja kemi dalë pavarësisht presioneve kriminale shitblerjes së votës të triumfojmë dhe aty ku ja kemi dalë dot kemi treguar para botës mbarë, e cila sot është në këmbë për standardet zgjedhore shqiptare, që dyshja Rama-Meta është dyshja që ka ndërruar qimen, por nuk ka harruar zakonin e prishjes së zgjedhjeve të lira dhe demokratike, duke rikthyer kështu çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në fokusin në vëmendjen jo vetëm të qytetarëve shqiptarë por edhe të institucioneve ndërkombëtare. Pa bërë këtë qytetarët shqiptarë opozita bashkë me ta do të shkonin drejt zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, në një situatë tërësisht të paracaktuar, të manipuluar dhe të pamundur për të kërkuar llogarinë që qytetarët shqiptarë kanë filluar që sot të kërkojnë nga qeveria e dështuar e dyshes Rama-Meta.


Zoti Basha mund t’ia keni dalë për këtë që sap thatë, por sot mbi ¾ e hartës së pushtetit lokal në Shqipëri është në duart e mazhorancës, opozita pothuajse është zhdukur nga qeverisja lokale. A ka përgjegjësi Partia demokratike për këtë gjë? A keni menduar të bëni ndonjë analizë lidhur me zgjedhjet lokale zoti Basha?


Së pari dua tu them edhe njëherë duke e ripërsëritur për herë të dytë që të shmangësh atë që vetë raporti i OSBE-ODHIR-it e quajti si minimi i besimit të publikut në zgjedhje të lira dhe të ndershme është një gabim i madh dhe ti referohesh një rezultati që është ngritur pikërisht mbi bazën e këtij manipulimi, mendoj që është tërësisht e padrejtë. Parë në këtë kontekst, Partia demokratike ka nisur procesin e leximit të rezultatit të bërjes së analizës, që pavarësisht prej fenomeneve që shkatërruan këto zgjedhje, të shit-blerjes së votës , përfshirjes së elementeve kriminalë si kandidatë dhe si mbështetës infrastrukturorë të shumicës së dyshes Rama-Meta, përdorimit të administratës dhe intimidimit të zgjedhësve , përdorimit të kartave false, blerjes dhe mbledhjes së kartave të identitetit, manipulimit të listave zgjedhore, kërcënimit të institucioneve zgjedhore dhe shumë shkelje të tjera tashmë të evidentuara në raportin paraprak të OSBE-ODHIR-it, pavarësisht prej kësaj rezultati do të lexohet dhe po lexohet kuti për kuti. Masat dhe hapat që do të ndërmerren për të adresuar të metat, gabimet dhe defektet do të jenë të plota në mënyrë që besimi i strukturave të Partisë Demokratike dhe i votuesve tanë të justifikohet dhe të rivendoset plotësisht aty ku ajo është lëkundur për shkaqe të brendshme.


Pyetja e fundit lidhur me zgjedhjet zoti Basha. Në gjykimin tuaj Partia Demokratike dështoi apo jo në këto zgjedhje?


Unë mendoj që në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme i kemi dhënë përgjigje kësaj pyetjeje me pyetjet e mëparshme. Partia Demokratike qëndroi fort në ato vlera që beson, zgjedhje të lira dhe të ndershme, përballje dhe jo largim nga fusha e betejës, shërbim axhendës së qytetarit dhe jo hartës oligarkike e cila ka filluar që sot të peshojë duke rënduar edhe më shumë hallet dhe e njerëzve.


Zoti Basha duket qartë që me këtë listë të gjatë kontestimesh nuk keni ndërmend të bëni analizë mbi rezultatin e zgjedhjeve?


Kjo është e gabuar, këtë e thoni ju. Partia Demokratike e ka nisur analizën dhe do ta çojë deri në fund, por askush të mos shpresojë se analiza e brendshme, analizimi kuti për kuti i rezultatit dhe nxjerrja e përgjegjësive do të na shmangë ne nga detyra jonë kryesore që është një opozitë e fortë ballore, e papërkulur, tashmë me një axhendë të trefishtë, luftën kundër kriminalizimit të pushtetit, korrupsionit që ka sjellë krizën ekonomike dhe ringritjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Megjithatë zoti Basha si kryetar i PD-së, fakti që sipas jush dyshja Rama-Meta ja doli të njollosë dhe të paracaktojë jo vetëm hartën elektorale por edhe rezultatin elektorale, a ju ka bërë ndonjëherë të mendoni qoftë dhe njëherë se dështuat dhe mund të jepni dorëheqjen?


Dorëheqja konsiderohet në ato momente kur në përgjegjësinë individuale dhe politike shikon që ke pasur hapa dhe mundësi që mund ti hidhje dhe nuk i ke hedhur, apo ke hedhur hapa në drejtimin e gabuar. Në gjykimin tim ky nuk është rast, që nga momenti i parë i fillimit të punës së njëanshme për një hartë elektorale e cila paracaktonte në tavolinë rezultatin, Partia Demokratike nën drejtimin tim ka ofruar një betejë ballore me argumente të plota dhe të gjithanshme për të ndalur këtë proces. Betejë e cila nuk është kufizuar vetëm në parlament por është shtrirë me grupet e interesit, me pushtetin vendor, me qytetarët deri në kërkesat për referendum të 130 njësive vendore. Pra siç e thashë në qoftë se mbetet një gjykim është ai për pjesëmarrjen apo jo në zgjedhjet e 21 qershorit. Gjykimi im për pjesëmarrje, vendimi ynë për pjesëmarrje ka qenë dhe mbetet në optikën time vendimi i duhur dhe vendimi i drejtë.


Zoti Basha të kalojmë tek lajmi politik i verës, i cili fillimisht u duk si një fantazi, megjithatë mediat kanë folur jo pak, kanë folur gjatë për një përplasje midis Edi Ramës dhe Ilir Metës, ky i fundit kryetari i parlamentit disa herë është munduar t’iu joshë në atë që mund të quhet lojë e tij politike për të shantazhuar zotin Rama. Por gjithsesi ka dhe zëra brenda opozitës, në mënyrë të veçantë brenda PD-së të cilët kanë thënë pse jo një koalicion me Edi Ramën por jo me Ilir Metën. Gjithsesi ka një aludim mediatik se në vjeshtën e kaluar, një personalitet shumë i lartë perëndimor në zyrën tuaj si kryetar bashkie nëse do të ishit dakord të bashkëqeverisni me Edi Ramën. A është i vërtetë ky lajm gazetaresk po them, dhe e dyta a e keni menduar ndonjëherë realisht një bashkëqeverisje në këtë situatë?


Koalicionet e mëdha, bashkëqeverisjet i cakton populli, i cakton kur flet me votë. Në gjykimin tim leximi i gjendjes në vend dhe përpjekja për të lexuar përmes gjendjes në vend atë çfarë kërkojnë shumica e shqiptarëve nuk shkojnë drejt një koalicioni të madh, por shkojnë drejt një ndryshimi rrënjësor të situatës. Gjendja është shumë e rëndë, e kemi thënë e kemi paralajmëruar që ditët e para të kësaj qeverie kur kemi parë planin e saj ekonomik, kemi ngritur zërin kur kemi parë ndërthurjen e planit apo mos plasjen e një plani ekonomik, pra të rritje së taksave në kohë krize, të rritjes së tarifave në kohë krize, të rritjes së çmimit të energjisë në kohë krize, të ngritje së kërbaçit mbi të pamundurin në kohë krize dhe kësaj i është shtuar korrupsioni galopant në kohë krize. Pra më shumë para dalin nga xhepat e qytetarëve për të paguar taksat më të larta, por këto para nuk përfundojnë nuk përfundojnë as në shkolla as në shëndetësi, as në vende pune as në larjen e borxhit publik i cili është thelluar, por përfundojnë në një korrupsion galopant në xhepat e dyshes Rama-Meta. Pra lajmi në këtë verë për mua është lajmi i përkeqësimit pa shpresë i rrokullisjes së qytetarëve, i cili vjen për arsye të dështimit të kësaj qeverie, dhe secilit prej komponentëve të kësaj qeverie për hesap të vet, Edi Ramës dhe Ilir Metës. Prandaj gjykoj se askush tjetër përveç Edi ramës dhe Ilir Metës, bashkë apo veç e veç për hesap të vet, nuk kanë leverdi apo përfitim nga hapja e ndonjë spiraleje apo që do ta quaja thjeshtë mediatike për gjoja bashkëpunim me Partinë Demokratike. Partia Demokratike siç e kam bërë të qartë nga fillimi nuk bashkëpunon dhe nuk bashkëqeveris me ata që i vunë lakun në fyt këtij populli, me taksat e larta me kriminalizimin dhe kapjen e zgjedhjeve.


E përjashtoni kategorikisht bashkëpunimin me Edi Ramën ose Ilir Metën?


Ne jemi në opozitë të plotë dhe të gjithanshme me këtë qeveri, ne jemi dhe alternative. Konkretisht Partia Demokratike ka nisur punën për hartimin e një programi dhe një frymëzimi të ri zhvillimor për Shqipërinë, me një ofertë konkrete e cila duhet të gjykohet nga qytetarët shqiptarë.

Zoti Basha a është marrë mendim vjeshtën e kaluar në ish-zyrën tuaj në bashkinë e Tiranës, nëse do të ishit të gatshëm për hir të reformave të mëdha një bashkëqeverisje me Edi Ramën?


Mua nuk më intereson të merrem as me mesazhe dhe as me retrospektiva episodike, mua më intereson thelbi, diagnoza. Diagnoza është një qeveri e cila tashmë pas dy vjetësh, sepse për dy vjet mendoj se edhe një pjesë e publikut ka dashur ti japë kohë kësaj qeverisjeje që të shikojnë se çfarë po bëjnë. Pas dy vitesh ajo që më intereson ëhtë rruga e daljes nga kjo krizë e gjithanshme ku gjendet Shqipëria.


Zoti Basha duhet të kesh një qetësi të jashtëzakonshme, të mos joshesh nga konflikti i aleatëve, në mënyrë të veçantë e një kryetari opozite kur shifrat i tregojnë se e ka të nevojshme një aleancë të re për të ardhur në pushtet?


Nuk ka asnjë konflikt midis tyre kur vjen puna për të ndarë paratë që vjedhin, nuk ka asnjë konflikt midis tyre kur vjen puna për të shpëtuar kriminelët duke korruptuar vendimet e Gjykatës së Lartë, nuk ka asnjë konflikt midis tyre kur vënë të garojnë trafikantët dhe pimtët, kodoshët e korrupsionit, nuk ka asnjë konflikt midis tyre për këto çështje. Konflikti midis tyre lind për arsye jo parimore, lind për çështje koncesionesh, tenderësh dhe influencash. Pra siç e faktuan edhe në atë që ju e quajtët lajmi i verës, që për mua është një përpjekje e turpshme për të hequr vëmendjen nga problemet e thella që po kalon vendi për shkak të Edi Ramës dhe Ilir Metës, siç e provuan nuk ka asnjë konflikt aty ku gjendet fjala për pazare. Pra shqiptarët duhet ta kuptojnë qartë se hajdutët, kusarët prishën për ndarje plaçke por edhe rregullohen duke ndarë plaçkën. Në këtë hesap Partia Demokratike nuk ka dhe nuk ka për të pasur asnjë rol tjetër përveç përballjes demaskimit dhe siç e thashë, pas dy vitesh prodhimit të alternativës, dhënies së një alternative të besueshme shqiptarëve për daljen nga kjo situatë.


A ju ka dërguar Ilir Meta, ish miku juaj dhe ish aleati juaj, sinjale për ti bërë presion Edi Ramës?


Ju më njihni prej 10 vitesh të kontributit tim në jetën politike dhe publike. Unë nuk jam person që impresionohem as nga komunikimet tangent, as nga mesazhe të dhëna apo të perceptuara, mesazhet e mia janë publike, komunikimi im është publik, çështjet që më preokupojnë si kryetar i opozitës, janë çështje që preokupojnë qytetarët shqiptarë. Nuk kam parë edhe nuk shoh dhe nuk do të shoh asnjë mundësi për rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet si një patericë e Ilir Metës apo Edi Ramës. Partia Demokratike do të vijë në pushtet me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë me një proces të ndershëm edhe të lirë zgjedhor, atëherë kur shqiptarët ti besojnë alternativës dhe rrugëdaljeve që do të paraqesë, atëherë kur shqiptarët të besojnë se ne jemi shpresa e re për të vënë Shqipërinë në rrugën e daljes nga kriza dhe për ti dhënë shpresë shqiptarëve për një jetë më të mirë.


Kur jeni takuar për herë të fundit me kryetarin e parlamentit? Apo kur keni komunikuar përmes telefonit me Ilir metën për herë të fundit?


Nuk më kujtohet, ka shumë kohë.


Ajo që po konsiderohej si suksesi juaj personal, lufta për dekriminalizimin e politikës në Shqipëri, duket se mori një goditje qartësisht të fortë në këto zgjedhje. Mazhoranca sipas jush por edhe sipas diplomatëve të huaj nuk ka pranuar dhe ja ka dalë të mos përjashtojë nga lista në garën elektorale disa persona me precedent kriminalë të cilët në mënyrë të habitshme janë votuar masivisht në zonat e tyre elektorale. Pra edhe kjo betejë e juaja, kjo që ndoshta konsiderohej si sukses i juaj i parë në këto dy vjet si kryetar i opozitës, duket se dështoi zoti Basha?


Së pari dua të them se beteja jo vetëm që nuk ka dështuar por ka korrur një sukses të pjesshëm. Sipas të gjithë informacioneve tona, por edhe në domenin publik, numri i personave me rekorde kriminale që do të kandidoheshin në këto zgjedhje nga ana e shumicës do të ishte shumëfish më i lartë, nëse opozita, Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk do të angazhoheshim në një betejë të përmasave që tashmë publiku është dëshmitar, kundër pranisë së kriminelëve në politikë dhe kandidimit të tyre në poste publike. Sigurisht nuk mund ta quaj sukses të plotë. Ajo që ndodhi më 21 qershor tregon qartë se e ashtuquajtura fitore e 21 qershorit është një fitore e Pirros, prandaj nuk ka gëzim as në shtëpinë e Edi Ramës dhe as në shtëpinë e Ilir Metës, e kam fjalën për shtëpitë tyre politike, sepse e dinë që me rrëzimin e standardeve zgjedhore, pjesë kryesore e të cilës ishte kandidimi i personave me rekorde penale, përkundër thirrjeve tona, përkundër opinionit publik dhe vetë opinionit të militantëve të dy partive politike dhe përkundër thirrjeve të përfaqësuesve më të lartë të opinionit ndërkombëtarëve, të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të ambasadorëve të vendeve evropiane, është një kosto dhe një faturë e jashtëzakonshme që natyrisht ja kanë vënë barrë vendit, por natyrisht që përgjegjës janë kryekëput Edi Rama dhe Ilir Meta. Beteja ende nuk ka përfunduar, dekriminalizimi është betejë kryesore e opozitës. Shtatori, Tetori, Nëntori do të shikojnë lëvizje parlamentare dhe ekstraparlamentare të Partisë Demokratike. Duke nisur me propozimin e ligjit dhe amendamenteve ligjore, për të përjashtuar të gjithë ata me rekorde kriminale që mbajnë zyra publike, duke përfshirë kryebashkiakët që i morën këto poste në zgjedhjet e 21 qershorit, i morën them jo i fituan, siç janë Artur Bushi dhe Elvis Roshi dhe të tjerë, të njëjtën gjë dhe për deputetët me rekorde kriminale në parlamentin shqiptar si dhe aprovimin e masave ligjore për të parandaluar futjen në parlament apo në funksione publike të çdo personi me të dhëna kriminale.


Gjithsesi kjo mund të jetë një dëshirë e opozitës?


Ky është një projekt i opozitës më mbështetje të gjerë qytetare dhe ndërkombëtare dhe që tashmë ka dhe ekspertizën e Komisionit të Venecias për të ndjekur procesin. Kemi tashmë dhe këshillimin e Komisionit të Venecias, pra ka një proces që mbështet në marrëveshjen e 24 dhjetorit, të firmosur, të kthyer në një rezolutë parlamentare nën vëzhgimin e Parlamentit Evropian. Pra nuk jemi në rrafshin e dëshirave, jemi në rrafshin e veprimeve dhe vendimeve konkrete. Sigurisht opozita do të bëjë atë që i takon, shumica, dyshja Rama-Meta do të bëjë atë që i takon dhe secili do të marrë përgjegjësitë.


Megjithatë u shprehët në mbështetjen e ndërkombëtarëve. Zoti Basha, Tiranën zyrtare në këto kohë e kanë vizituar delegacione të rëndësishme ndërkombëtare, kanë takuar kryeministrin, ju kanë takuar ju, nuk kanë takuar kryeparlamentarin. Çfarë garancish ju kanë dhënë se luftës së dekriminalizimit të politikës do ti shkohet deri në fund? Të paktën në zgjedhjet lokale duket se partnerët ndërkombëtarë, përveç retorikës publike ju lanë vetëm?


Nuk do të thoja kështu. Duhet të keni parasysh që kjo është një përgjegjësi e vendit, është përgjegjësi e Shqipërisë e shqiptarëve, është përgjegjësi e zgjedhësve shqiptarë, e qytetarëve shqiptarë, që të marrin vendimet e duhura , kur një qeveri erdhi me premtimin se s’do të qeveriste me një shtet të së drejtës, qeveris me një shtet zuzar, i cili u bie në qafë atyre që janë në kufijtë e mbijetesës dhe të pamundurve , e atyre që janë në kufijtë e pamundësisë që janë më keq se mbijetesa, por favorizon klientelën e vet, gradon me pushtet kriminelët, kandidon për deputetë dhe kryetarë bashkishë, trafikantë dhe njerëz të dënuar dhe të shpallur në kërkim sipas mediave ndërkombëtare.


Përveç atyre që janë thënë publikisht, në zyrën tuaj a ju janë thënë gjëra që mund t’iu bëjnë realisht optimist, nga partnerët ndërkombëtarë se kësaj beteje do ti shkohet deri në fund?


Nuk ka të ardhme Shqipëria pa përfundimin me sukses të kësaj beteje. Çmimin e kësaj beteje, faturën që do të paguajnë shqiptarët për këtë betejë, fatkeqësisht e përcakton dyshja Rama-Meta, por fundi i kësaj beteje përcaktohet nga qytetarët shqiptarë dhe opozita shqiptare. Kjo betejë do të fitohet me çdo çmim, se sa i lartë do të jetë ky çmim do të jetë në dorë të dyshes Rama-Meta, por edhe fatura që do të rëndojë mbi supe do të mbahet nga dyshja Rama-meta.


Zoti Basha keni marrë garanci nga partnerët ndërkombëtarë se nuk do të jeni vetëm në këtë betejë?


Mendoj se publiku na ka ndjekur ne, ka ndjekur partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë qenë të qartë dhe pa ekuivokë në qëndrimet e tyre për procesin e dekriminalizimit. Jam i bindur tashmë që efekti i kriminalizimit të pushtetit është shtrirë në ekonomi, ku në vetëm 7 muaj mungojnë 170 milionë dollarë, në rend dhe siguri, ku Shqipëria është shtrirë në kopshtin më të madh të hashashit në Ballkan dhe në kolonën kryesore të demokracisë që është procesi zgjedhor. Nuk pritet dhe nuk mund të pritet veçse një ashpërsim dhe një vendosmëri akoma më e madhe e institucioneve ndërkombëtare dhe e partnerëve ndërkombëtarë për të goditur një nga nyjet “gordiane’, që mbajë në këmbë këtë sistem, këtë regjim të korruptuar, që është angazhimi i kriminelëve në politikë, veshja e kriminelëve me pushtet dhe veshja e pushtetit me krim.


Meqenëse jemi tek dekriminalizimi dhe mbështetja partnerëve ndërkombëtarë, sërish me ato që thonë mediat por jo e përgënjeshtruar deri kohët e fundit, ka një ide se ka një raport miqësor dhe një farë simpatie nga Kancelarja Merkel ndaj kryeministri Rama. A jeni ndier gjatë këtyre dy viteve, qoftë edhe për njëherë të vetme xheloz ndaj Edi Ramës?


Kjo është një pyetje e cila ka marrë një përgjigje të gjithanshme, dhe përgjigjen e fundit e ka marrë këtu në Tiranë, kur çdo përpjekje për të karamelizuar realitetin e hidhur shqiptar si rezultat i dështimit të qeverisë së Edi Ramës me përralla publicitare me afeksione personale mori një përgjigje institucionale, politike nga një zonjë shteti drejtuese e vendit më të madh të BE-së, drejtuese e politikave evropian kancelarja Merkel. Ndaj unë nuk dua të merrem asnjë sekondë me spekulime të tjera. Dua t’ju them vetëm se Shqipëria ka humbur dhe vijon të humbasë shumë shanse të mëdha, të cilat burojnë nga gatishmëria e zonjës Merkel e Gjermanisë për të ndihmuar vendin tonë për të kapërcyer disa prej sfidave që janë rajonale , për shkak të vështirësive ekonomike të rajonit në përgjithësi, të krizës greke në veçanti. E ka bërë këtë sepse në mënyrë të përsëritur Edi Rama, duke rendur pas fasadës, pas asaj që duket dhe jo asaj që është, ka injoruar mesazhet e Gjermanisë në raport me dekriminalizimin, në raport me luftën kundër korrupsionit dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar në gjirin e kësaj mazhorance dhe në raport me pasojat e tmerrshme që kjo politikë po sjellë disa prej të cilave po ndjehen drejtpërdrejtë në Gjermani, siç është rasti me 30 mijë bashkatdhetarët tanë, të cilët kanë kërkuar azil në vetëm këto 7 muaj duke u renditur në grupin e parë, pas sirianëve të azilkërkuesve në Gjermani.


Çfarë do të bënit ndryshe ju zoti Basha, nëse do të ishit kryeministër i këtij vendi për të ndaluar shqiptarët që të mos shkojnë drejt azilit? E thënë më shkurt, a mban përgjegjësi qeveria e Berishës, ku dhe ju keni qenë pjesë, për gjendjen ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria sot?


Po të jap një përgjigje të shkurtër për këtë. Shqiptarët dy vite më parë vendosën me votë për ta kaluar Partinë Demokratike në opozitë. E bënë këtë edhe në kushte për mendimin tim, që qeverisja e mëparshme edhe ndonëse u përball me një rënie të qartë të rritjes ekonomike bëri çdo përpjekje që vendi të mos hynte në recension dhe nuk hyri në recension . Raporti i para disa javësh i Bankës Botërore e vlerëson këtë në mënyrë objektive. Ndërkohë që vetë FMN-ja duke vlerësuar negativisht performacën fiskale të kësaj qeverie, lavdëroi dhe vlerësoi politikën e taksës së sheshtë të ndjekur nga qeveria Berisha, e cila në pikëpamjen time jo vetëm që garantoi më shumë liri, më pak abuzivizëm dhe më pak korrupsion, por solli më shumë të ardhura të cilat u përdorën jo vetëm për të ndërtuar infrastrukturën shqiptare, e cila është krejtësisht e ndryshme nga jo që kishte 10 vjet më parë, por në këtë mënyrë edhe për të ngadalësuar dhe zbutur efektet e krizës ekonomike e cila qartësisht kërcënonte rritjen ekonomike të Shqipërisë. Megjithatë më 23 qershor të vitit 2013 shqiptarët morën një vendim me votë, nuk i kthehemi këtij vendimi me votë, por së bashku me shqiptarët i kthehemi se cili ishte ndryshimi për të cilin ata shpresuan dhe votuan. Ndryshimi që prisnin kur votuan më 23 qershor. A kanë më shumë vende pune sot shqiptarët? A janë më të sigurtë për vendet e tyre të punës? A fitojnë më shumë? A paguajnë më pak taksa? A paguajnë më pak energji elektrike? A është nafta më e lirë? A ka favore bujqësia në kuptimin e heqjes së akcizës së naftës apo rimbursimit për imputet e bujqësisë. Pyetje të cilat marrin vetëm një përgjigje, jo, jo e jo.


Çfarë do të bënte Lulzim Basha nëse do të ishte kryeministër për të ndaluar eksodin e madh të shqiptarëve në këtë vit?


Partia Demokratike dhe unë personalisht së pari, i bëjmë thirrje të përsëritur shqiptarëve që të mos ta kërkojnë zgjidhjen e halleve dhe problemeve të tyre jashtë realitetit shqiptar, por së bashku të punojnë për ta bërë këtë zgjidhje të mundur këtu në vendin tonë, sepse Shqipëria i ka të gjitha mundësitë, i ka të gjitha potencialet për të siguruar rritje ekonomike, për të siguruar vende pune, për të siguruar mirëqenie. Atë që nuk ka Shqipëria sot, është një qeveri e përgjegjshme. Çfarë do të ndryshonte Lulzim Basha në raport me këtë qeverisje, gjithçka, duke nisur nga politikat e saj të dështuara dhe të paralajmëruara si të dështuara fiskale, të cilat nga njëra anë siç e thashë në kohë krize rritën taksat, rritën tarifat rritën çmimet. Por çfarë ndodhi me rritjen e taksave dhe të tarifave? U rritën çmimet e ushqimeve, u rrit çmimi i naftës, u rrit çmimi i energjisë, u rritën faturat e energjisë dhe më shumë njerëz u varfëruan.


Zoti Basha pyetja është e thjeshtë, a keni ju një paketë në rast se kryeministri aktual, imiton apo merr shembull nga homologu i tij, i cili njëherë në 6 muaj po e çon vendin në zgjedhje në Greqi? Është e gatshme Partia Demokratike, ju si kryetar dhe stafi juaj në rast se zoti Rama e teston veten në elektorat? Keni ju një platformë si opozitë për të ndaluar këtë rrënim ekonomik apo jo?


Sigurisht që po dhe e kemi shpallur si të tillë. Ju vetë jeni dëshmitar qytetarët shqiptarë e kanë dëgjuar, që në disa mbledhje të grupit parlamentar dh në disa formate të tjera Partia Demokratike, unë personalisht kemi bërë të ditur nisjen e punës për një plan kombëtar për shpëtimin. Një plan kombëtar shpëtimi për të ndalur dështimin e kësaj qeverie. Pse ikin shqiptarët? Ikin sepse qeveria ka dështuar , ikin sepse nuk kanë shpresë, se me këtë qeveri mund të kenë një të nesërme më të mirë. Për fat të keq gjendja ekonomike është katastrofike, më vjen keq ta them, por me këtë qeveri ekonomia do të shkojë më keq nesër dhe pasnesër, e kemi thënë para dy muajsh, e kemi thënë para 4 muajsh, e kemi thënë para dhe kjo po ndodh.


Me ju do ishte ndryshe?


Sigurisht që po, pa asnjë pikë dyshim, sepse së pari dhe mbi të gjitha ne do tu ofrojmë shqiptarëve një model që funksionon për ta dhe jo për qeverinë.


A ju duket paaftësi dhe e opozitës e cila nuk po i bind shqiptarët që më të do të shihte ndryshe dhe në vend që të kërkojnë azilin të kërkojnë ndryshimin e qeverisë?


Mendoj që pyetja është jashtë kontekstit, sepse për dy vite Partia Demokratike nuk ka pasur përgjegjësinë e qeverisjes, ka pasur përgjegjësinë e opozitës. Çfarë ka bërë si opozitë, ka paralajmëruar, ka denoncuar dhe ka bërë protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë dhe rritjes së çmimit të naftës.


Por përgjegjësi për ti mbajtur qytetarët me shpresë ka zoti Basha?


Dakord, por çfarë kemi bërë? Ju keni qenë dëshmitarë, ne kemi thirrur protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë dhe kundër rritjes së çmimit të naftës, ne kemi çuar amendamentet tona në Kuvend, për të ulur çmimin e energjisë, për të ulur naftën, për të ulur taksat, për të shtuar fonde për bujqësinë, për të hequr taksat pë rata që punësojnë të rinjtë dhe çfarë përgjigje kemi marrë nga kjo qeveri me dhunë e kartonëve, sepse kartonat i kanë këta. Pra ne jo vetëm kemi kundërshtuar me argumente dhe me fakte çdo hap që kjo qeveri ndërmori dhe që çoi siç paralajmëruam ne në përkeqësimin e ekonomisë. Ne nuk jemi mjaftuar me kaq, i kemi çuar propozimet tona në parlament, i kanë rrëzua në parlament dhe kemi thirrur qytetarët para qeverisë, para godinave qeveritare në protesta masive dhe zëri i tyre nuk është dëgjuar. Opozita ka bërë gjithçka që mund të bënte. Sot opozita është angazhuar në një dimension të ri, dy vite kaluan, ky stan këtë bylmet ka, dhe dita e mirë duket që në mëngjes dhe dita nuk është më në mëngjes. Prandaj opozita siç e kam shpallur po përgatit platformën e saj për daljen e vendit nga kriza. Platformë cila ka një dimensionin të fortë ekonomik dhe fiskal. Një dimension që synon që shqiptarët të mos i trajtojë si skllevër, Partia Demokratike nuk është parti e skllevërve por parti e njerëzve të lirë. Ne duam tu japim mundësinë që me punën e tyre, me taksën më të ulët në Ballkan, me taksën e sheshtë më të ulët në Ballkan të kenë mundësi të punojnë pa ju rënë në qafë, pa ju dalë polici mbrapa çdo peme, pa ju ngritur kërbaçin për çdo iniciativë, pa ju shkatërruar djersën dhe kursimet e një jete të tërë. Pra një paketë të plotë masash e cila përbëhet nga një komponent afatshkurtër për ndaljen e rrokullisjes së krizës dhe një komponent afatmesëm për rritjen ekonomike, zhvillimin ekonomik, investimet, rikthimin e besimit tek ekonomia shqiptare, më shumë kreditim, më shumë investime, më shumë vende pune.


Ju po i thoni shqiptarëve se me Lulëzim Bashën dhe me Partinë Demokratike gjithçka do të jetë ndryshe. Sipas burimeve të mija, që në këtë rast besoj se janë korrekte, zoti Meta ka ndjerë një lloj kërcënimi nga aleati i tij Edi rama dhe sigurisht që i ka dërguar sinjale që bashkë me mua ikën dhe ti. Zoti Rama në të njëjtën mënyrë i ka kthyer përgjigje, se unë shkoj në zgjedhje të parakohshme edhe pa ty. Gjithmonë pas zgjedhjeve local. Duke parë këtë triumf pavarësisht formave, të Edi Ramës ndaj opozitës në zgjedhjet e 21 qershorit. Zoti Basha a do të ishit i gatshëm kaq shpejt të përballeshit edhe njëherë me Edi Ramën në zgjedhje politike?


Tre janë problemet e Shqipërisë sot dhe pa zgjidhjen e këtyre problemeve as që mund të bëhet fjalë për zgjidhje të situatës apo zgjedhje të lira dhe të ndershme. Problemi i parë është problem i inkriminimit të pushtetit, gradimit të personave me rekorde të tmerrshme kriminale me pushtet, si drejtorë të mëdhenj, si deputetë, si kryetar bashkish, cuba që bëjnë ligjin duke shkelur ligjin nga jugu në veri, njerëz që nuk paguajnë taksat që dhunojnë qytetarët, që zhvendosën me dhunë bizneset. Këto para dhe këta njerëz u përdorën për të kapur zgjedhjet e 21 qershorit dhe ndërkohë mungesa e transparencës, evazioni, kontrabanda kanë shkatërruar konkurrencën e lire, dhe pa konkurrencë të lirë dhe të ndershme nuk mund të ketë ekonomi të shëndoshë. Pra ekonomi dhe zgjedhjet, ekonomia dhe demokracia janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetrën.

Po në rast se kjo mazhorancë këto gjëra nuk i zgjidh deri në 2017, ju nuk mund të evitoni pjesëmarrjen në zgjedhje?


Qytetarët shqiptarë janë ndërgjegjësuar tashmë, jam i bindur që nuk mund të ketë një ekonomi të fortë dhe një të ardhme të sigurtë me cilindo në pushtet që qeveris me kriminelët, që qeveris apo bashkë-qeverisë me zyrtarë të të gjitha nivele të korruptuar, të njohur si të tillë nga kancelaritë perëndimore. Nuk mund të qeverisë duke ardhur në pushtet me zgjedhje të kapura, siç ishin këto të 21 qershorit.


Zoti Basha në rast se kryeministri Rama ju fton në zgjedhje, çfarë do të bëni?


Unë nuk merrem zoti Peka, me supozime teorike. Zgjedhjet e shqiptarëve u dhunuan më 21 qershor. Beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme është beteja kryesore e opozitës, që do ta shpalosim në parlament dhe jashtë parlamentit duke nisur nga shtatorit.


Ajo çfarë po merr vëmendjen kryesore për sa i përket sigurisë në vend është tashmë mbulimi i Shqipërisë me hashash. Gjithsesi keni qenë Ministër i Brendshëm dhe Lazarati në kohën tuaj ishte i paprekur. A ndieni dhe ju përgjegjësi personale?


Çfarë do të thotë i paprekur, sepse në kohën që unë kam qenë Ministër i Brendshme, bashkimi Evropian certifikoi përpjekjet tona si përpjekje të suksesshme në luftën kundër kultivimit të hashashit, përndryshe vizat nuk do të ishin hequr. Vizat janë hequr, në 15 dhjetor 2010 shqiptarët nisën lëvizjen e lirë dhe kjo ndodhi pasi dy vite radhazi misionet e BE-së dhe të vendeve anëtare certifikuan se përveç kontrollet e kufijve, sistemet inteligjente të ndjekjes proaktive së kriminelëve u instaluan dhe u vunë në punë se sot i kanë kyçur, aty i kanë por i kanë kyçur, por mbi të gjitha si funksiononin këto, u vëzhgua gjithçka nga toka dhe nga ajri me të gjitha burimet inteligjente. Sa i përket Lazaratit i cili është stigmatizuar, sepse sot kemi gjithë Shqipërinë të kthyer në një bahçe të madhe hashashi dhe të vetmet zona që goditen janë ato ku ministri i Brendshëm dhe eskorta e tij kriminale i konsiderojnë konkurrentë për tregun e drogës. Le të kthehemi tek e kaluara u certifikua se përqasja jonë në bashkëpunim me komunitetin për të ulur kultivimin e hashashit dha rezultatet e duhura, prandaj u hoqën vizat. Askush nuk i hoqi vizat, për një Shqipëri e cila nuk demonstron luftë të vazhdueshme kundër kultivimit të hashashit, por sot bandat që kultivojnë hashashin janë në qeveri, i kanë fijet e tyre në qeveri. Sot policia nuk futet dot, ka me dhjetëra hektarë të mbjella me hashash në Tepelenë, Skrapar, Përmet anembanë Shqipërisë që ruhen nga njerëz të armatosur dhe policia nuk guxon dot të shkojë sepse dihet që pas këtyre njerëzve të armatosur, pas këtyre bandave qëndrojnë pushtetarët e sotëm


Zoti Basha faleminderit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat