Aksioni ndaj informalitetit shtyhet disa ditë, u lihet kohë bizneseve

Shqipëria

Aksioni ndaj informalitetit shtyhet disa ditë, u lihet kohë bizneseve

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 21:23

I paralajmëruar për të nisur në 1 shtator, aksioni masiv ndaj informalitetit duket se është shtyrë disa ditë. Duke parë kërkesën e madhe për t’u regjistruar, që me zor po përballohet nga QKR, po ashtu dhe dyndjen për t’u pajisur me kasa fiskale, tatimorëve u është kërkuar që t’i lënë disa ditë kohë bizneseve që të vetëformalizohen.

Ndërkohë po organizohen në mënyrë të koordinuar grupet e punës, me pjesmarrjen e tatimorëve dhe inspektorëve të punës, në mbështetje edhe me forcat e rendit.

Mësohet se aksioni nuk do të ketë në fokus bizneset e vogla, por dhe të mëdhatë, që do të kontrollohen në të gjitha hallkat, nga punonjësit deri tek mallrat, që nëse nuk I kanë me fatura, do t’I konfiskohen.

Paralajmërimet për luftë, Frika ruan vreshtin

Kanë mjaftuar vetëm disa paralajmërime për masat e forta kundër informalitetit, që bizneset, sidomos ato të vogla të fillojnë të japin masivisht kupona tatimorë, të palicencuarit të dynden në QKR dhe të mbahet radhë për blerjen apo rregullimin e kasave fiskale.

Mësohet se është rritur ndjeshëm nga tatimet edhe numri I blloqeve tatimore të shitura.

Në një dalje të përbashkët publike në 1 shtator, kryeministri, kreu i Tatimeve, Doganave, si dhe ministri i Financës, theksuan se janë të vendosur për të vijuar këtë rrugë, në mbështetje të biznesit, të konsumatorit.

I ashpër ishte kryeministri Edi Rama, që nuk ngurroi të përmendte fjalën luftë. “Operacioni është kryeprioriteti i qeverisë sonë në 300 ditët e treta të këtij mandati qeverisës, ashtu siç bëmë ndaj grabitësve të energjisë elektrike vëmendja jonë do jetë në maksimum, sepse kjo është luftë. Shqipëria është në gjendje lufte me këtë fenomen, njësoj si kultivimi i narkotikëve që dëmton më shumë se sa duket, edhe ky zinxhir hajdutërie dëmton shumë më tepër, se shkon përtej shifrave, cenon procesin e rilindjes së organizmit të këtij shteti dhe kësaj shoqërie, për ti përkitur qytetërimit evropian”- deklaroi Rama”./Monitor

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat