Petrit Vasili: Kujdes me operacionin kundër infornalitetit, jo arrogancë. Ndryshimi politikave fiskale, jo tabu

Shqipëria

Petrit Vasili: Kujdes me operacionin kundër infornalitetit, jo arrogancë. Ndryshimi politikave fiskale, jo tabu

Nga: Gjergj Koja Më: 1 shtator 2015 Në ora: 18:32

Megjithëse kritikat e LSI ndaj politikave fiskale të aplikuara deri më tani nga Qeveria u lidhën me temperaturat e Gushtit, edhe në fillim të shtatorit, aleati kryesor i Partisë Socialiste në qeverisjen e vendit ka shprehur të njëjtat kritika.
Kreu i deputetëve të LSI-së Petrit Vasili së pari ka paralajmëruar që aksioni kundër informalitetit dhe evazionit të mos përsërisë gabimet e aksioneve të mëparshme, ku janë evidentuar sjellje arrogate dhe përtej kufijve të ligjit të nëpunësve të shtetit.
“Historia e zbatimit në terren të nismave të mëdha, të gjera në Shqipëri ka rezultuar jo në pak raste, pra nuk kanë qenë sporadike por kanë qenë të shpeshta rastet ku ka pasur edhe qëndrime të ashpra përtej atyre që janë në kufijtë e ligjit. Nganjëherë ka pasur pse jo edhe arrogancë dhe këto në vend që ta ndihmojnë e dëmtojnë procesin. Kështu që këto eksperienca negative të së shkuarës sigurisht duhet të jenë një moment delikat, i cili duhet kontrolluar dhe monitoruar nga ministria e Financave që normalisht e udhëheq aksionin, ku besoj që sikur edhe një akt i vetëm sikur të verifikohet duhet të konsiderohej si ngjarje e madhe në mënyrë që biznesi në përgjithësi të ndihet i qetë”, theksoi Vasili.
Sipas tij, mosrealizimi i të ardhurave në buxhetin e shtetit me rreth 160 milionë dollarë, ka nevojë për analizë. Madje Vasili shkon edhe më tej kur thotë se ndryshimi i politikave fiskale nuk ka pse të jetë tabu, veçanërisht kur të ardhurat nuk mblidhen.
“Asnjëherë nuk mund të themi që politika financiare është më e mira, nëse rezultatet na mungojnë, sepse këto rezultate që mungojne do të thotë sasi të rëndësishme parash, të cilat në radhë të parë do të ishin shumë jetike për t’iu dhënë përgjigje disa problemeve veçanërisht ne fushën e çështjeve sociale”, tha kreu i deputetëve të LSI
Por pavarësisht këtyre qëndrimeve që nuk shkojnë në të njëjtën linje me qeverinë, për Vasilin koalicioni PS –LSI funksionon pa asnjë problem.
“Ka një përgjigje per funksionimin, u konstituan të gjithë këshillat bashkiake në të gjithë vendin dhe ju e patë që koherenca e votës në të gjithë territorin ishte një koherenca që fliste vetë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat