Cani sqaron pse mungojnë 15.5 mld lekë nga të ardhurat

Shqipëria

Cani sqaron pse mungojnë 15.5 mld lekë nga të ardhurat

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 13:13

Në takimin e organizuar për aksionin kundër informalitetit, ministri i Financave, Shkëlqim Cani iu përgjigj opozitës lidhur me akuzat e mungesës së 160 milionë eurove, në mbledhjen e taksave në dogana dhe tatime.

Cani tha se mungesa e këtyre të ardhurave lidhet me faktorë, që nuk varen as nga administrata doganore e tatimore dhe as nga qeveria shqiptare.

Kreu i Financave sqaroi se, shkak për mungesën e kësaj shume është bërë ulja e çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa pjesa tjetër lidhej me uljen e importit të energjisë dhe prodhimeve bujqësore, të cilat kanë dhënë efekt në uljen e të ardhurave në buxhet, por kanë efekt pozitiv në ekonomi.

“Me përgjegjësinë qeverisë dhe transparencën e publikut nuk është e vërtetë se mungojnë 15.5 miliardë lekë në buxhet. Do t’i marr sot zë për zë. Pas një analize të plotë të gjendjes, 15.5 mld lekë që mungojnë, janë për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare dhe çmimet në këto tregje nuk varen nga qeveria shqiptare. Mbi 2 mld lekë mungojnë nga ulja e importit të energjisë. 1.2 mld lekë mungojnë nga ulja e interesit bankar, që ndikojnë në zhvillimin ekonomik për mirë, edhe pse na japin më pak të ardhura. 730 mln lekë mungojnë për shkak të lehtësirave fiskale në importin e makinerive dhe lëndëve të para, për të prodhuar sa më shumë në vend.

Humbën diçka nga të ardhurat, por fituam më shumë prodhim në ekonomi. 500 mln lekë mungojnë nga importi i ushqimeve, sepse bujqësia po prodhon më shumë. 44 përqind është rritur eksporti i mallrave bujqësore. Humbëm gjysmë miliardi, por fitojmë shumë nga prodhimi vendas. 2.2 mld lekë i mungojnë buxhetit për arsye se me TVSH-në e rimbursuar me sistemin automatik, kemi rimbursuar më shumë ndaj biznesit duke i dhënë atë që i takon, ndryshe nga ç’ishte bërë nga qeveritë e shkuara. Hoqëm dorë nga mbajtja e asaj që i takon biznesit. 2 mld lekë mungojnë nga taksa e qarkullimit, karbonit dhe ambalazhit”, argumentoi ministri Cani.

Ndihmë stabilizimit të zhvillimin makroekonomik të vendit, për ministrin Cani do t’i japin reformat e qeverisë kundër evazionit fiskal dhe informalitetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat