Veliaj i dorëzon çelësat e shtëpive 30 familjeve të para që përfituan banesa sociale

Shqipëria

Veliaj i dorëzon çelësat e shtëpive 30 familjeve të para që përfituan banesa sociale

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 11:42

Nga sot 30 familje që përfituan banesa sociale nga vendimi i Këshillit Bashkiak nuk janë më të pastreha. Ato kanë marrë sot në dorëzim shtëpitë e tyre nga vet kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili u ka dorëzuar atyre çelësat dhe dokumentacionin e përkatës, çka i bënë ata pronarë të këtyre banesave sociale. Në fjalën e tij, Veliaj ndërsa ka evidentuar faktin se brenda 1 muaji mundi të mbaj një nga premtimet e tij të fushatës elektorale, ka kërkuar nga banorët e kësaj lagje të re që ta ruajnë këtë pronë dhe të bëhen model i miradministrimit për gjithë Tiranën.

“Ne duhet të sjellim sot një model se si mund të jetë një lagje e Tiranës. Ne duhet ta ruajmë këtë lagje dhe t’i tregojmë Tiranës një model të ri bashkëjetese. Dua shumë që këtë ambient dhe model ta ruajmë si gjënë më të shtrenjtë të qytetit tonë”, – tha kryetari i Bashkisë.

Më tej ai ka shfrytëzuar rastin që t’i bëj thirrje dhe gjithë ndërtuesve që të kontribuojnë në lehtësimin e çështjes së strehimit në Tiranë, duke i ftuar ata që të ulin çmimet e apartamenteve stok. Në të kundërt ai ka bërë të ditur se Bashkia që ai drejton do të përdorë mekanizmat ligjor për t’i detyruar ata që të ulin çmimet sipas kërkesave të tregut.

Dua t’i bëj një apel ndërtuesve dhe shoqatës së ndërtuesve në Tiranës. Kjo që po bëjmë nuk mjafton ndaj i kam bërë thirrje shoqatës së ndërtuesve të ulin çmimet e apartamenteve të pa shitura. Ka disa gjera që shteti mund t’i bëj që t’i detyrojë privatët t’i binden rregullave të tregut. Për këtë arsye ne do propozojmë që në Këshillin Bashkiak të paguhet taksa e pronës edhe për apartamentet e pa shitura. Nëse vendosin të ulin çmimet, atëherë të përgatiten të paguajnë taksën e pronës. Është e vetmja mënyrë se si ne mund t’i kërkojmë ndërtuesve të ulin çmimet”, tha Veliaj.

Më pas ai u ka dorëzuar personalisht çelësat 30 familjarëve përfitues, mes të cilëve ishte dhe këngëtari i njohur i muzikës së lehtë shqiptare, Tonin Tërshana, si dhe banorë të komunitetit rom, që dy vite më parë u nxorën forcërisht në rrugë, te zona e pallatit me shigjeta. Në fjalën e tij, këngëtari Tërshana ka falënderuar kryetarin e Bashkisë që bëri të mundur që pas 20 vitesh edhe ai të kishte një shtëpi si gjithë të tjerët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat