Rikthimi me kusht i opozitës, Halimi: Ikim sërish nëse s’pranohet platforma jonë

Shqipëria

Rikthimi me kusht i opozitës, Halimi: Ikim sërish nëse s’pranohet platforma jonë

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 20:14

Partia Demokratike u rikthye pa shumë zhurmë në komisionin parlamentar për drejtësi, prej të cilës u largua krejt papritur një muaj më parë, pasi akuzoi mazhorancën se, duke mos pritur mendimin e opozitës për reformën në drejtësi, po shkelte marrëveshjen e negociuar nga partnerët, për transprencë dhe gjithëpërfshirje.

Megjithatë kthimi i demokratëve nuk duket të jetë i qëndrueshëm. Përfaqësuesi i opozitës, Eduard Halimi, tha se platforma e Partisë Demokratike për reformën në drejtësi, për të cilën kërkuan kohë një muaj më parë, do të jetë brenda pak ditësh. Dhe me këtë platformë të opozitës lidhet edhe qëndrimi i saj i mëtejshëm në komision.

“Nëse maxhoranca do t’i marrë në konsideratë ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e reformës në drejtësi dhe do të japim impaktin konkret”, tha Halimi.

E thënë duket si një kusht i ri i opozitës, e cila ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se marrja e mendimit nga Komisioni i Venecias dhe ekspertët ndërkombëtare ishte garancia e saj për pjesëmarrjen në komisionin e reformës. I pyetur se çfarë garancish ka marrë opozita tani që u rikthye, ish ministri i Drejtësisë, iu shmang një përgjigjeje direkte.

“E rëndësishme është që duhet të bëjmë qartë që opozita nuk mund të jetë fasadë e maxhorancës. Opozita është për të dhënë impakt konkret se si opozita mendon reformën në drejtësi, si e ka platformën, një drejtësi e cila të jetë e pavarur, por dhe e pakorruptuar. Një reformë që të bëj të mundur largimin nga sistemi të gjyqtarëve të kapur politikisht, të gjyqtarëve të paaftë dhe të korruptuar dhe ta mbajë sistemin e drejtësisë larg duarve të politikës. Pikërisht kjo platformë konkrete do t’i paraqitet javën e ardhshme nga PD, ekspertët e propozuar dhe më pas, pasi të marrë dhe diskutimet në grupin parlamentar të paraqitet në emër të PD-së publikut dhe komisionit të posaçëm parlamentar”, deklaroi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat