Rama: S’jam magjistar. Sa të jem gjallë unë, nuk besoj se gjermanët do të vijnë në Shqipëri për jetë më të mirë

Shqipëria

Rama: S’jam magjistar. Sa të jem gjallë unë, nuk besoj se gjermanët do të vijnë në Shqipëri për jetë më të mirë

Nga: Gjergj Koja Më: 31 gusht 2015 Në ora: 20:10

“Parë nga Shqipëria, sistemi gjerman i azilit duket shumë atraktiv. Njerëzit besojnë se ata do t’i marrin një mijë euro nëse kthehen në Shqipëri”, deklaroi Kryeministri. Rama tha se Shqipëria ballafaqohet me problemin e trafikantëve të njerëzve, të cilët shkojnë në fshatra dhe u thonë njerëzve se Gjermania po i pret.
“Është e vërtetë se Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore, për ato punë që të rinjtë gjermanë nuk duan t’i kryejnë më, për shembull punë në azile pleqsh dhe në spitale. Por askush nuk pret azilkërkues. Gjëja më e dhimbshme është kjo: aq shumë njerëz po e braktisin vendin tonë dhe 99 për qind e tyre kthehen në shtëpi pa punë dhe pa perspektivë”, thekson ai.
Në lidhje me zhvillimin ekonomik të vendit, Rama thotë se nuk është magjistar. Ai shton se ndryshimet e vërteta kërkojnë kohë dhe “derisa të jetoj unë, ne nuk do të arrijmë që gjermanët të vijnë në Shqipëri, sepse shpresojnë në një jetë më të mirë. Udhëtimi do të shkojë përherë në drejtimin tjetër”.
Kryeministri si sukses të tij përmendi faktin se që nga janari, niveli i kriminalitetit është më i ulëti në 25 vitet e fundit. “Kemi arritur që shumë njerëz që punonin ilegalisht t’i fusim në tregun legal të punës.
Para dy vitesh ekonomia ishte në stanjiacion, tani rritja është sidoqoftë mbi dy për qind”. Rama i ka bërë thirrje Gjermanisë të investojë në arsimimin e shqiptarëve, sidomos përmes sistemit dual arsimor, duke iu mundësuar shqiptarëve mësimin e zanateve. Rama shtoi se arsimimi i shqiptarëve do të kushtonte më pak se masat frikësuese kundër migrantëve. “Ne mund t’u themi të rinjve: nëse doni të shkoni në Gjermani, atëherë nuk duhet të kërkoni azil, por të mësoni një zanat. Atëherë mund të niseni”.
Në pyetjen e gazetës nëse qëllimi i tij është që t’u mundësojë njerëzve të marrin një zanat për të emigruar pastaj, Rama u përgjigj: “Nuk mund ta mendojmë më të ardhmen vetëm brenda kufijve të vendit tonë. (…) Do të isha i lumtur nëse shqiptarët do të kishin mundësi të punonin në Gjermani”, raporton Dialogplus.
Lidhur me krizën e refugjatëve në Europë, Rama akuzoi Bashkimin Europian:
“Është e tmerrshme të shohësh se si disa vende të mëdha dhe të pasura po dështojnë t’i pranojnë refugjatët. BE sot duket si një federatë përplot me egoistë që mendojnë vetëm për kombet e tyre. Jo si familje me vlera të njëjta, e cila bashkëpunon”.
Duke folur për imazhin e keq të shqiptarëve në botën perëndimore, Rama kujtoi filmin “Ëag the Dog” me Robert De Niro, ku shqiptarët paraqiten si të çmendur dhe kriminelë.
“Mediumet ndërkombëtare e përshkruajnë Shqipërinë si njollë të zezë plot me rrëmbyes.
Por kush ka qenë njëherë në Shqipëri, e di se është ndryshe.
Natyrisht ne nuk jemi si Zvicra. Por ne as që duam të jemi si Zvicra, sepse kjo do të ishte monotone”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat