Legalizimet/ ALUIZNI i Durrësit: Qytetarët dy muaj kohë për të shlyer detyrimet, në të kundërt sekuestrohen objektet

Shqipëria

Legalizimet/ ALUIZNI i Durrësit: Qytetarët dy muaj kohë për të shlyer detyrimet, në të kundërt sekuestrohen objektet

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 18:09

Qytetarët që kanë objekte për të legalizuar, brenda dy 2 muajsh duhet të shlyejnë detyrimet financiare pasi në të kundërt objektet do të sekuestrohen nga shteti. Apeli është bërë nga dega e ALUIZNI-t në Durrës. Flamur Gjuzi, Drejtuesi i ALUIZNIT dega Durrës bën të ditur se janë rreth 2 mijë dosje të përfunduara të cilat presin procesin e shlyerjes së detyrimeve nga pronarët e tyre në mënyrë që më pas t’ju dorëzohet edhe dokumenti i legalizimit. Këta qytetarë kanë edhe 2 muaj afat që të kryejnë këtë procedurë në të kundërt objektet e tyre mund të sekuestrohen nga shteti.
VKM lidhur me afatet që rregullojnë veprimtarinë e ALUIZNIT ka hyrë në fuqi dhe qytetarët që kanë aplikuar për të legalizuar objektet e ndërtuara pa leje kanë 6 muaj afat nga dita që marrin njoftim nga ALUIZNI për të shlyer detyrimet dhe për të tërhequr dokumentin e legalizimit.
Pranë ALUIZNIT dega Durrës janë një numër i konsiderueshëm qytetarësh që edhe pse kanë gati 4 muaj që janë njoftuar nuk janë paraqitur për të kryer pagesat për parcelat ku kanë ndërtuar pa leje.
Në Durrës që nga muaji maj 2014 deri në fund të gushtit kanë përfunduar 10 mijë dosje prej të cilave 7 mijë janë mbyllur dhe pronarët tashmë ligjërisht janë bërë pronarë të objekteve të ndërtuara pa leje,1 mijë janë në proces pagese ndërsa 2 mijë ende po hezitojnë të kryejnë veprimet e fundit.
Ndërkohë që mendohet se ka ende qytetarë, ndonëse të pakët në numër,që ende nuk i kanë vetëdeklaruar ndërtimet pa leje. Gjuzi bën thirrje që në bazë të VKM këta qytetarë kanë të drejtë që të vetëdeklarojnë objektet deri në fund të muajit shtator. Nëse ato nuk do ta respektojnë këtë afat atëherë shteti ka të drejtë sekuestroje mbi këto objekte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat