OSHEE: Në 7 muaj ulëm humbjet me 6 %, shtuam arkëtimet me 12.9 miliardë lekë më shumë se 1 vit më parë

Shqipëria

OSHEE: Në 7 muaj ulëm humbjet me 6 %, shtuam arkëtimet me 12.9 miliardë lekë më shumë se 1 vit më parë

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 18:01

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka bërë bilancin për 7 mujorin e 2015, ku rezulton një rritje e arkëtimeve nga kompania dhe një ulje e humbjeve të energjisë.
Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se në 7 muajt e parë të vitit 2015, OSHEE mblodhi në total shumën prej 39,3 miliardë lekë, ose 12,9 miliardë më tepër se e njëjta periudhë e 2014-tës me 49% rritje dhe 17,2 miliardë më shumë se 2013-a me 78% rritje.

Krahasuar me të njëjtat periudha të dy viteve më parë, OSHEE ka arritur të arkëtojë për energjinë elektrike të faturuar mbi 104 milion USD më shumë krahasuar me 2014-tën dhe mbi 139 milion USD më shumë nga e njëjta periudhë e 2013-tës.

Edhe në korrik u arkëtuan 40% më shumë lekë nga faturimi i energjisë së konsumuar. Sipas operatorit, arkëtimet në korrik arritën në 4,88 miliardë lekë, ose 1,38 miliard lekë më shumë nga korriku 2014 dhe 1,66 miliard lekë më shumë nga korriku 2013.

Gjithashtu edhe humbjet në rrjet vijojnë reduktimin dhe në muajin korrik zbritën në nivelin 30.6%, ose 6% më pak nga e njëjta periudhë e vitit 2014 dhe 13% më pak nga 2013-ta.

Humbjet teknike dhe jo-teknike në total si 7-mujor arritën në 32.1%, nga 39.8% që ishin në të njëjtën periudhë të 2014-tës dhe nga 45.1% të regjistruara në 2013.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat