Rama mbledh Këshillin Ekonomik Kombëtar: Plan të mirëstudiuar kundër evazionit. Tatimet, Dogana e Policia gati për betejën

Shqipëria

Rama mbledh Këshillin Ekonomik Kombëtar: Plan të mirëstudiuar kundër evazionit. Tatimet, Dogana e Policia gati për betejën

Nga: Gjergj Koja Më: 31 gusht 2015 Në ora: 17:49

Një ditë para nisjes së operacionit kundër evazionit dhe informalitetit, Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Këshillin Ekonomik Kombëtar, ku ka theksuar se Qeveria ka një plan të mirëstudiuar
për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë dhe për të fituar këtë betejë.
Sipas Kryeministrit, pjesë e këtij operacioni do të jenë Tatimet, Doganat dhe Policia e Shtetit ,të cilat do të funksionojnë në harmoni me njëra tjetrën.

“Nesër nis operacioni kundër informalitetit. Qeveria ndërmerr në këtë mënyrë një hap të rëndësishëm përpara për të luftuar paligjshmërinë në ekonomi. Kemi një plan të mirëstudiuar për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë, për të fituar këtë betejë. Ky është një operacion i ngjashëm në thelb me atë të energjisë, ndërtimeve pa leje, e universiteteve. Lufta ndaj informalitetit do të harmonizojë që në fillim veprimet mes Doganave, Tatimeve dhe Policisë së Shtetit. Është një përpjekje për shtetbërjen, për kalimin e Shqipërisë nga një vend i rrënuar në një vend anëtar të Bashkimit Evropian”, theksoi Rama.
Sipas tij, informaliteti i ekonomisë është i dëmshëm për ekonominë e vendit dhe ky lloj operacioni nuk synon që të dëmtojë biznesmenët, por të vërë drejtësi mes taksapaguesve dhe atyre që s’i paguajnë.
“Nuk besoj se është e nevojshme për të folur për dëmet që vijnë nga informaliteti, por është e nevojshme që t’i themi që njerëzit të jenë të qartë. Ne nuk e marrim këtë operacion që shteti të ketë më tepër mundësi për më shumë investime, për të rritur rrogat e pensionet. Nuk duam që të marrë formën e një lufte kundër biznesit. Por është një betejë përkrahë biznesit të ndershëm dhe qytetarëve. Të mos lejojmë shitjen e asnjë malli pa kuponin tatimor. Bizneset e vogla janë hallka e fundit e një zinxhiri të madh. Ne jemi të vetëdijshëm që jemi në një borxh jo të vogël me të gjithë ata që paguajnë rregullisht taksat. E pamundur që ata që paguajnë rregullisht taksat, të konkurrohen padrejtësisht nga mos paguesit e taksave. Çdo konsumator duhet ta ketë të qartë. Kur kërkon kuponin tatimor i krijon kushte vetes”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat