RISHM: Minatorët që humbën jetën minierën e Selishtës, punonin në mënyrë të paligjshme

Shqipëria

RISHM: Minatorët që humbën jetën minierën e Selishtës, punonin në mënyrë të paligjshme

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 14:16

Ministria e Energjisë dhe Industrisë reagoi sot pas aksidentit tragjik që ndodhi një ditë më parë në minierën e Selishtës në Dibër, ku humbën jetën dy kushërinj.

Në një deklaratë për mediat, Drejtoria e Repartit të Inspektim Shpëtimit sqaron se “pas verifikimit u konstatua se aksidenti me pasojë vdekjen e dy shtetasve Miftar Losha 54 vjeç dhe Albert Losha 35 vjeç, ka ndodhur në galerinë nr. 1 në objektin e kromit “Shtrunges”, që zoterohet prej subjektit “Hoxha” shpk me drejtues Ismail Hoxha. Aksioner i këtij subjekti është edhe z. Isuf Pula, me 49% të vlerës së aksioneve”.

Reparti i Inspektim Minierave konstaton se të aksidentuarit kanë qenë duke punuar në mënyrë të paligjshme-informale, në një objekt i cili kishte ndërprere aktivitetin, punonin pa asnjë urdhër pune me shkrim nga drejtues teknik, të pa siguruar dhe të pa mbikqyrur nga specialist minerar.

“Nga verifikimi në vendngjarje, aksidenti ka ndodhur në daljen sipërfaqësore të oxhakut të hapur para shumë kohësh nga nëntoka. Të aksidentuarit kanë qenë duke punuar për rrëzimin e mineralit në grykën e oxhakut kur ka ndodhur shembja e një masivi guresh duke i dëmtur rëndë ata dhe për pasojë kanë humbur jetën rrugës për në spital. Zotëruesi i lejes minerare Ismail Hoxha ka deklaruar prej 3 vitesh e gjysmë ndërprerjen e punës për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë ortakët me njëri-tjetrin. Zotëruesi i lejes Hoxha ka shfaqur pretendime se vazhdimisht në subjektin e tij ushtrohej aktivitet i paligjshëm e informal, nga persona të pa rregjistruar në këtë subjekt”, thuhet më tej në deklaratën për mediat.

Nga verifikimet e para, rezulton se njëri prej të aksidentuarve (Miftar Losha) figuron i rregjistruar deri në muajin Qershor 2015 në zyrën e tatim taksave në emër të subjektit “Pula –X”, punimet e të cilit janë kufitare me ato të subjektit “Hoxha”shpk.

Në mbyllje të njoftimit për shtyp, thuhet se “me përfundimin e plotë të inspektimit dhe verifikimin e të gjithë dokumentacioneve teknike, ligjore të të dyja shoqërive, Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të marrë masat konkrete për rastin deri fillimin e procedurave për revokimin përfundimtar të lejeve minerare të këtyre subjekteve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat