Rama prezanton 3 përparësitë e qeverisë për 4 muajt e ardhshëm

Shqipëria

Rama prezanton 3 përparësitë e qeverisë për 4 muajt e ardhshëm

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 13:26

“I kemi bërë vetes atë që asnjë vend nuk ia ka bërë vetvetes. Kemi kaq shumë burime ujore dhe kaq shumë probleme me furnizimin me ujë".

Reforma në sistemin e ujit të pijshëm, financimi i bujqësisë dhe paketa mbështetëse për bashkitë e reja janë tri pikat kryesore ku do të bazohet puna e qeverisë deri në fund të vitit.

Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për media tha sot se reforma në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm do të jetë e thellë dhe strukturore dhe do të bazohet në avantazhin e madh që sjell ndarja e re territoriale. “I kemi bërë vetes atë që asnjë vend nuk ia ka bërë vetvetes. Kemi kaq shumë burime ujore dhe kaq shumë probleme me furnizimin me ujë. Në javët e ardhshme do të nisim një proces sensibilizimi se uji, njëlloj si energjia, është mall dhe si çdo mall duhet të paguhet”, u shpreh kreu i qeverisë.

Lidhur me paketën mbështetëse për bujqësinë, numri një i Ekzekutivit e cilësoi atë si një kapitull të ri për financimin e zhvillimit të këtij sektori. “Në javët e ardhshme qeveria do të nisë një program për paketën e financimit më të madhe që fermerët kanë pasur ndonjëherë. Do të jetë një linjë tërësisht inovative e kreditimit të bujqësisë, duke e bërë qeverinë garant për investimet e tyre”.

“Së shpejti - tha kryeministri - do të prezantohet edhe një paketë që do t’u japë bashkive të reja mundësi për të ushtruar ashtu siç duhet detyrat e marra”.

I pyetur mbi një raport të fundit të kompanisë të “BMI Research”, sipas të cilit Shqipëria do të mbetet mes vendeve më të varfra të Evropës për dhjetëvjeçarin e ardhshëm, kreu I qeverisë komentoi: “Raporti ka të bëjë me konvergjencën e BE-së. Kjo është paraparë si objektiv për vitin 2029 dhe askush nuk ka pse befasohet nëse ritmet e rritjes ekonomike nuk do ta bëjnë Shqipërinë ndër vendet e pasura të BE-së. Nëse dikush imagjinon të kundërtën shikon ëndrra në diell. Sa i takon rritjes, faktet flasin vetë: Ne sot jemi brenda objektivave, kemi pasur 2.8% në tremujorin e parë dhe synojmë 3% deri në fund të vitit. Vitin e shkuar rritja ishte 2.1%. Këto janë objektiva realiste, nisur nga gjendja në të cilën e morëm vendin. Rritja me 3, 4 apo 4.5% nuk do të thotë kalim nga gjendja ku e trashëguam vendin në një gjendje lumturie. Krahasuar edhe me vendet fqinje, Shqipëria po ecën ashtu siç duhet, brenda mundësive. Por ambicia jonë është të shkojmë përtej këtyre mundësive, bazuar në dy kushte: 1 - Duhet të vazhdojmë përpjekjet dhe sakrificat e nevojshme për të bërë shtet, çka është një rrugë e gjatë dhe e vështirë; 2 - Të krijojmë kushtet për të rritur investimet e huaja. Para pak ditësh në ‘Financial Times’ qeveria shpalli konkursin për zonën e Spitallës, me synimin për të ndërtuar një zonë reale ekonomike. Qeveria e mëparshme deklaroi nëntë zona ekonomike, të cilat sot janë ferra të uzurpuara nga kompani me licencë që nuk kanë bërë asgjë. Po kështu jemi në pritje të investimeve të reja në energji dhe turizëm. Por për të realizuar këto projekte duhet këmbëngulje dhe shtet serioz. Edhe në këtë drejtim kemi ecur përpara, por nuk jemi ende aty ku duhet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat