Raporti për vdekjen e minatorëve: Punonin në mënyrë të paligjshme

Shqipëria

Raporti për vdekjen e minatorëve: Punonin në mënyrë të paligjshme

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 12:36

Dy minatorët që humbën jetën në minierë e Kacnisë po punonin në mënyrë të paligjshme. Kështu theksohet në raportin për vdekjen e dy minatorëve në Dibër publikuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

Raporti i Ministrisë së Industrisë

Me datë 30/08/2015, rreth orës 15 45 , Drejtoria e Repartit të Inspektim Shpëtimit u njoftua për një aksident në galeritë e subjektit "Hoxha"shpk, të cilat ndodhen në objektin e kromit “Shtrunges”, Kacni, komuna Selishtë, rrethi Peshkopi.

Pas verifikimit u konstatua se aksidenti me pasojë vdekjen e dy shtetasve Miftar Losha 54 vjeç dhe Albert Losha 35 vjeç, ka ndodhur në galerinë nr. 1 në objektin e kromit “Shtrunges”, që zotërohet prej subjektit “Hoxha” shpk me drejtues z. Ismail Hoxha, bazuar mbi lejen minerare nr. 537 dt.05.01.2000. Aksioner i këtij subjekti është edhe z. Isuf Pula, me 49% të vlerës së aksioneve.

Reparti i Inspektim Minierave konstaton se të aksidentuarit kanë qenë duke punuar në mënyrë të paligjshme-informale, në një objekt i cili kishte ndërprere aktivitetin, punonin pa asnjë urdhër pune me shkrim nga drejtues teknik, të pa siguruar dhe të pa mbikëqyrur nga specialist minerar.

Nga verifikimi në vendngjarje, aksidenti ka ndodhur në daljen sipërfaqësore të oxhakut të hapur para shumë kohësh nga nëntoka. Të aksidentuarit kanë qenë duke punuar për rrëzimin e mineralit në grykën e oxhakut kur ka ndodhur shembja e një masivi gurësh duke i dëmtuar rëndë ata dhe për pasojë kanë humbur jetën rrugës për në spital.

Zotëruesi i lejes minerare Z. Ismail Hoxha ka deklaruar prej 3 vitesh e gjysmë ndërprerjen e punës për shkak të mosmarrëveshjeve, që kanë ortakët me njëri-tjetrin. Zotëruesi i lejes Z. Hoxha ka shfaqur pretendime se vazhdimisht në subjektin e tij ushtrohej aktivitet i paligjshëm e informal, nga persona të pa regjistruar në këtë subjekt.

Nga verifikimet e para, rezulton se njëri prej të aksidentuarve (Miftar Losha) figuron i regjistruar deri në muajin Qershor 2015 në zyrën e tatim taksave në emër të subjektit “Pula –X”, punimet e të cilit janë kufitare me ato të subjektit “Hoxha” shpk.

Me përfundimin e plotë të inspektimit dhe verifikimin e të gjithë dokumentacioneve teknike, ligjore të të dyja shoqërive, Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të marrë masat konkrete për rastin deri fillimin e procedurave për revokimin përfundimtar të lejeve minerare të këtyre subjekteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat