Riorganizimi, Rama mbledh deputetët e veriut

Shqipëria

Riorganizimi, Rama mbledh deputetët e veriut

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 07:55

Kur na ndajnë edhe pak muaj nga mbajtja e Kongresit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, i programuar për t’u zhvilluar në muajin janar të vitit të ardhshëm, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, nisi t’i vendosë pikat mbi “i” për sa i përket riorganizimit të partisë. Pas takimit të mbajtur vetëm dy ditë më parë në qytetin e Vlorës, ku u vendos ndarja e vendit në 6 rajone dhe zgjedhja e koordinatorëve për secilin prej tyre, Rama gjatë ditës së sotme pritet të zhvillojë një takim me deputetët e qarqeve të veriut.

Ky takim pritet të mbahet në ambientet e selisë së Partisë Socialiste në orën 20:00, me pjesëmarrjen e deputetëve të qarqeve të Shkodrës, Lezhës, Kukësit dhe Dibrës, por edhe koordinatorit të qarqeve të Kukësit dhe Dibrës, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Ndërsa kreu i PS-së Rama, si udhëheqësi i punës për rajonet e veriut gjatë ditës së sotme do të bëjë publik edhe emrin e deputetit apo të ministrit që do të drejtojë rajonin e Shkodrës dhe Lezhës. Përpos kësaj gjatë takimit pritet edhe të vendoset për ngritjen e grupeve të punës për rajonet e veriut, të cilët do të kenë kompetenca për të bërë emërimet në pozicione drejtuese, punësimet në administratë si dhe shpërndarja e investimeve sipas zonave, në përbërje të të cilit do të jenë deputetët e zonës, të zgjedhurit lokalë dhe dy ministra që do të drejtojnë njëkohësisht rajonet.

Ndërkohë në ditët në vijim pritet që kreu i PS-së, Rama të zhvillojë takime edhe me përfaqësuesit e qarqeve të tjera, më konkretisht për rajonin e qarqeve Fier dhe Lushnjë, puna për të cilin do të drejtohet nga ministri Blendi Klosi, rajoni me qarqet Tiranë dhe Durrës, që do të drejtohet nga Saimir Tahiri, rajoni i qarqeve Elbasan dhe Korçë që do të drejtohet nga Taulant Balla. Ndërsa gjatë takimit të mbajtur në qytetin e Vlorës, ku koordinator për rajonin e jugut, për qarqet Vlorë-Gjirokastër, u zgjodh deputeti Koço Kokëdhima, për reformën organizative e politike për përtëritjen dhe zgjerimin e radhëve të PS-së në muajt e ardhshëm, me qëllim që të garantohet suksesi i saj në zgjedhjet e vitit 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat